Faza e dytë mbyllet nën shenjën e Skënderbeut, “buzëqesh” edhe Partizani

5 Shkurt 2018, 12:37Sport TEMA

3 barazime, 1 fitore vendase dhe 1 sukses në udhëtim ishin këto rezultatet që prodhoi java e 18-të e Kategorisë Superiore që ishte edhe e fundit e fazës së dytë.

Gjysma e kampionatit u mbyll ashtu siç nisi pikërisht nën shenjën e Skënderbeut. Korçarët falë fitores së thellë me përmbysje 4-1 në Loro Boriçi përballë Vllaznisë e thelluan sërish avantazhin ndaj ndjekësëve. Skënderbeu përfitoi nga sfida direkte mes Flamurtarit dhe Kukësit që përfundoi në barazim 1-1 me Elis Bakajn që iu përgjigj nga penalltia golit të avantazhit provizor të vlonjatëve që mbante firmën e brazilianit Danilo Alves.

Tashmë diferenca mes skuadrës së Dajës dhe asaj të Duros në renditje është 8 pikë ndërkohë që Skënderbeu ka plot 11 pikë më shumë se kampionët në fuqi të Kukësit. Golat e Vangjelit, Lilajt, Muzakës dhe James bënë diferencën në Shkodër, aty ku Vllaznia pësoi një tjetër humbje duke përkeqësuar akoma edhe më shumë pozitat e saj në renditje.

Mori fitoren e parë për 2018-ën, Partizani që në kryeqytet fitoi derbin e vogël ndaj Kamzës me rezultatin 2-1 falë një dygolëshi të talentit Jasir Asani.

Përfunduan në barazime pa gola dy sfidat e tjera Lushnja-Luftëtari dhe Laçi-Teuta, në një javë ku shenja X ishte rezultati më i shpeshtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje