Justifikimi i Dukës: Tifozët lanë stadiumet se u pëlqen Superiorja në TV

6 Shkurt 2018, 14:56Sport TEMA

“Numri i spektatorëve është rreth 740 mijë për ndeshjet e edicionit të kaluar, ç`ka flet për një rritje progresive”. Këto janë fjalët e deklaruara me krenari një vit më parë nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë Asamblesë Zgjedhore në vitin 2017. Por situata nuk është aspak siç shprehej kreu i FSHF-së dhe tashmë është shumë më e vështirë për të fshehur atë që është bërë gjithnjë e më e dukshme për të gjithë, edhe pse vetë Duka insiston se kampionati shqiptar është ndër më të fortët në Europë.

“Prej vitesh kampionati i Kategorisë Superiore është shndërruar në një produkt cilësor, i cili vlerësohet jo vetëm për garën e fortë në të gjitha drejtimet, por edhe për nivelin e lartë të lojës që prodhon. Mund të konstatojmë me kënaqësi se është shndërruar në një nga kampionatet më të forta në rajon dhe në kontinent”, shkruhet tashmë në raportin e presidentit që u është dërguar pak ditë më parë të gjithë klubeve pjesëmarrëse në Asamble dhe që ai do të lexojë nesër, ndërsa në mënryë absurde, kjo rritje e cilësisë përkthehet në largim të tifozëve.

“Të dhënat që disponojmë thonë se numri i tifozëve në Shqipëri në stadium është rreth 1200 tifozë për ndeshje. Kjo shifër është më e lartë se sa në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Bosnjë dhe në Slloveni”, vijon Duka, duke e krahasuar  Superioren me kampionate që nuk kanë lidhje me elitën e sipërpërmendur nga vetë ai.

Sipas Dukës, largimi i tifozëve “Është një fenomen ndërkombëtar që kërkon studime të hollësishme dhe pa asnjë diskutim që duhet punuar më shumë për të afruar njerëzit në stadium. Një publicitet më i mirë do të kishte një efekt shumë më pozitiv. Në këtë pikë është e vështirë ta ndash federatën nga puna e klubeve, nga rezultati i momentit, nga rrethana të caktuara apo nga konkurenca që vjen nga ekrani i vogël.

Njerëzit sot paguajnë TV, për të parë futboll. Në një farë mënyre ata janë në stadium dhe e kanë prerë biletën e tyre. Po jap një argument: Kam shifra shumë të mira për njerëzit që paguajnë për të parë Kategorinë Superiore në TV. Edhe ata duhen konsideruar tifozë“, thotë kreu i FSHF-së në materialin që u është shpërndarë klubeve.

Me pak fjalë, sipas tij kampionati nuk ka humbur tifozë, thjesht tani ulen në kolltuqe në shtëpi. Por Duka ka harruar diçka shumë të rëndësishme, që kjo përkthehet në humbje të ardhurash për klubet, një fakt që duket se nuk shqetëson aspak kreun e institucionit.

1 komente në “Justifikimi i Dukës: Tifozët lanë stadiumet se u pëlqen Superiorja në TV”

  1. Blero says:

    Po stadiumet ne mbare boten qe mbushen plot me tifoze si e shpjegon presidenti ne ikje, apo ata nuk kane qef ta shikojne nga kolltuqet e shtepive se nuk i kane blere akoma aparatet se jane te varfer. Hajde justifikim hajde. Hajde llogjike hajde. Ky eshte ndryshimi midis stadiumeve tona dhe atyre te botes ku rezultati i ndeshjes eshte i paracaktuar dhe shkallet e stadiumeve i kemi bosh dhe nuk eshte e vertete qe tifozat jane rikthyer stadiumeve. Sa te jeni ju ne krye te F SH F futbolli yne nuk do ngreje koke. Shqiptaret presin ndryshimin dhe ju duhet te hapni krahun me turp O DUKA I KRIMIT.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje