Arsyet pse BE hapi kanatet për 5 vendet e Ballkanin dhe ultimatumi për “liderët që nuk marrin përgjegjësitë”

8 Shkurt 2018, 09:18Rajoni TEMA

Nga Ylli Pata

Miratimi i dokumentit të Bashkimit Europian që i hapi rrugën integrimit të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor është bërë lajm thuajse në të gjitha vendet për të cilat flitet.

Vendimi i Brukselit për të pranuar en block por me faza të ndryshme pesë shtetet e ish-Fuçisë së Barutit nga ku nisi Lufta e Parë Botërore është përshëndetur nga qeveritë përkatëse, por edhe nga opozitat.

Bën përjashtim Presidenti i Republika Srbska në Bosnjë, Milorad Dodik, i cili është i qartë politikisht: preferon më shumë aleancën me Rusinë sesa lidhjen me BE-në.

Ndërkaq, opozita në Shqipëri dhe në Maqedoni, edhe pse parimisht janë shprehur pro-hyrjes së vendeve të tyre në Bashkimin Europian, nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim në lidhje me strategjinë e miratuar dje në Bruksel.

Madje numri dy i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka shpallur nisjen e një përplasje të re civile që sipas tij “po filloi, në Shqipëri nuk mbaron për mirë”.

Megjithatë, ajo çka shpallën në kryeqytetin europian Jean Claude Juncker, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn, ishte një plan veprimi i qartë kundër skenareve destabilizuese.

Në mënyrë të qartë, në dokumentin e BE-së theksohet se: “Për t’i trajtuar kërcënimet sistematike apo shkeljet e sundimit të ligjit në çdo shtet anëtar të BE-së, nevojitet një sistem më efektiv, dhe një nismë e Komisionit që pritet të realizohet në tetor 2018”.

Pra në vjeshtën e këtij vitit, BE-ja pritet që të miratojë një tjetër plan-veprimi për të ndaluar atë që ka qenë edhe shkaku i vendimit për hyrjen e Ballkanit në BE, e që është ndalimi i influencës ruse për ta destabilizuar Bashkimin Europian.

Fluksi i refugjatëve në 2015-n përmes Hungarisë së Viktor Orbanit, aleat i Vladimir Putin-it, ishte një tentativë e fortë për të thyer boshtin gjermano-francez në BE, pra të rrëzonte Angela Merkelin nga qeveria dhe të sillte fitoren e të djathtës ekstreme në Francë.

Megjithëse në SHBA influenca ruse pati sukses me disfatën e armikes së Putin, Hillary Clinton, në Europë Merkel lëvizi fort duke penguar që e njëjta gjë të ndodhte në Francë dhe vendin e saj.

Në Paris u gjet një kandidat i suksesshëm si Emanuel Macron, dhe në Gjermani, Angela Merkel ribëri edhe njëherë Grosse Koalition me socialdemokratët në mënyrë që të sigurojë një stabilitet dhe siguri më të madhe politike për të vepruar.

Ikja e Britanisë së Madhe nga BE-ja që entuziazmoi Moskën dhe euroskeptikët, duket nuk është pritur aspak keq nga qarqet që qeverisin Brukselin të cilat menjëherë u kundërpërgjigjën me Ballkanin.

Dhe vendimi që u mor dje ishte një shtyllë definitive strategjike për të forcuar “portat juglindore” të Europës.

Ajo që ndodhi më 27 prillin e shkuar në Shkup, duket se ishte dëshmia e një realiteti që tashmë po merr rrjedhë tjetër.

Përplasja e fshehur Bruksel-Moskë që u shfry në grushtat e mbështetësve të Gruevskut në kokën e Zijadin Selës dhe Zoran Zaevit, solli si pasojë kthesën definitive të BE-së, dhe që bëhet e qartë në Strategjinë për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua në Strasburg së bashku me Parlamentin Europian.

Ja ç’thuhet në të:

“Komisioni Evropian paralajmëroi gjashtë nisma kyçe – veprime specifike që BE do t’i ndërmarrë gjatë viteve të ardhshme për t’i mbështetur përpjekjet transformuese të Ballkanit Perëndimor në fushat me interes të ndërsjelltë. Këto përfshijnë nismën për fuqizimin e sundimit të ligjit, forcimin e bashkëpunimit për sigurinë dhe migrimin përmes ekipeve të përbashkëta hetuese dhe rojes kufitare dhe bregdetare evropiane, zgjerimin e Unionit Energjetik të BE-së në Ballkanin Perëndimor apo uljen e tarifave të romingut dhe futjen e broadband-it në rajon”.

Pra realisht Brukseli ka paralajmëruar një mini-BE në Ballkan ku do të ketë siguri të integruar, treg të përbashkët energjik por edhe në telekomunikim. Kjo nuk është gjë tjetër veçse paradhoma e anëtarësimit final në klubin politik të Europës së Bashkuar.

Por ai dokument thekson edhe një tjetër qëndrim shumë të prerë drejtuar politikanëve të vendeve të Ballkanit.

“Strategjia nënvizon që liderët në rajon nuk duhet të lënë asnjë dyshim lidhur me orientimin dhe zotimin e tyre strategjik.

Përfundimisht (liderë) do të jenë ata që duhet marrin përsipër përgjegjësinë për ta bërë këtë mundësi historike një realitet”.

Më shkoqur nuk ka. Pra Brukseli mbështet atë lider që ka të qartë vizionin dhe përpjekjen jo vetëm për ambicjen europiane, por edhe që ndjek linjën e dhënë nga Brukseli, i cili realisht fuqinë politike e merr në boshtin Berlin-Paris.

Këtu duhet kërkuar edhe mbështetja e fortë ndaj Edi Ramës në Tiranë, Zoran Zaevit në Shkup, apo Gjukanoviçit në Podgoricë.

Ndryshe si asnjëherë më parë, BE paraqitet jo si një klub me shumë qëndrime, por me një linjë të prerë dhe me strategji të qartë.

Bashkimi duhet të jetë më i fortë, më solid dhe më efikas para se të jetë më i madh. Për të siguruar vendimmarrje efektive, duhet të shfrytëzojmë votimin me shumicë të kualifikuar në Këshill në fushat e politikave ku kjo tashmë është e paraparë. Përveç kësaj, Komisioni Evropian do t’i paraqesë mundësitë për avancimin e mëtejmë të përdorimit të votimit të shumicës së kualifikuar në tremujorin e tretë të vitit 2018 – siç është paralajmëruar nga Presidenti Juncker në fjalimin e tij të Gjendjes së Bashkimit të vitit 2017.

Për t’i trajtuar kërcënimet sistematike apo shkeljet e sundimit të ligjit në çdo shtet anëtar të BE-së nevojitet një sistem më efektiv, dhe një nismë e Komisionit që pritet të realizohet në tetor 2018.

Në fund, duhet të vendosen aranzhime të veçanta për të siguruar që shtetet e ardhshme anëtare nuk janë në pozitë të bllokojnë anëtarësimin e vendeve të tjera kandidate të Ballkanit Perëndimor”.

Pra jo vetëm ka përcaktuar mekanizma për të mos lejuar destabilizim, por edhe ka përkatitur manovrat politike për të mos bllokuar vendimet “nga lart”. Shkurt, kush jep paratë ka edhe fuqinë.

Tashmë Merkel ka venë veton. Ajo e ka bërë që në 2014 kur mbodhi në Berlin liderët e Ballkanit dhe u shpalli planin për t’i futur të gjithë në BE.

Dje është luajtur kapitulli i dytë i këtij plani…

4 komente në “Arsyet pse BE hapi kanatet për 5 vendet e Ballkanin dhe ultimatumi për “liderët që nuk marrin përgjegjësitë””

  1. Sopi says:

    Ylli ?!… Si i ke punët me matematikën ore vëlla se… Mbase mundesh të jesh edhe ti ndonjë patriot ballkanas që të mungon një shtet …

  2. Kuq e zi says:

    Analize be gabime trashanike
    Rusia donte te rrezonte merkelin me refugjate te sirise permes mikut te tij orban??
    Refugjatet si arme nuk ka mundesi te perdore rusia por turqia
    Orban u kritikua nga be dhe gjermania sepse ngriti gardhe kunder refugjateve kur merkel u thoshte ejani dhe jo e kunderta
    Nqs kerkon lidhjen orban-putin ate mund ta gjesh te projekti i gazit sud strim ose duke e modifikuar qe po mundohen ta quajne rrjedha turke

  3. says:

    Jemi bllokuar .,ne s’mund te kthehemi mbrapsht dhe BE s’do te eci me tutje

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje