Dr Kurt Gostentschnigg, figurë e shquar e Albanologjisë

12 Shkurt 2018, 17:09Kulturë TEMA

Nga Agim Shimaj

Gjuha, kultura, historia, traditat, bukuritë tona natyrore kanë qënë vazhdimisht një atraksion i madh për studiues, shkencëtarë, politikanë të ndryshëm, një pjesë prej të cilëve janë ndër Albanologët më të shquar dhe që me veprat e tyre ndër shekuj kanë shkruar emrat e tyre me gërma të arta në plejadën e njerëzve më të mëdhenj të Shqipërisë dhe çështjes së saj.

Pak kohë më parë Albanologjia humbi një nga figurat kryesore të saj në kohët e sotme, Robert Elsie-n, i cili perveç kontributit të madh që dha në  këtë  fushë, duke u prehur në Thethin mahnitës, perlën e Alpeve tona, i bëri një promocion të jashtëzakonshëm vendit dhe popullit tonë.  Këtë  njeri kaq modest por të madh që kaq shumë e deshi gjuhën, zakonin dhe tokën tonë, kemi nderin ta kemi përjetësisht mes nesh, ashtu të veshur me kostumin tonë kombëtar, kemi detyrimin të nderojme ashtu sikurse nderojmë figurat e shquara të kombit  tonë, heronjtë, dëshmorët e atdheut, shkencëtarët dhe shkrimtarët e mëdhenj.

Pak ditë më parë një tjetër albanolog i shquar, ndoshta më i madhi i gjallë i kohës së sotme, Dr Kurt Gostentschnigg, prezantoi në Universitetin e Shkodrës para një audience të zgjedhur librin e tij monografik prej 828 faqesh “Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918“ (gjerm. “Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die Österreichisch-Ungarische Albanologie 1867-1918”).

Kjo monografi, e cila synon të  ketë  si lexues studentë, pedagogë dhe studiues të disiplinave në histori, shkenca politike, diplomaci, gjuhësi, albanologji, etnografi, gjeografi dhe arkeologji si dhe të punësuar në shërbimin diplomatik, ofron për herë të parë një paraqitje përmbledhëse të të gjitha marrëdhënieve austro-hungaro-shqiptare në shkencë, politikë, ekonomi, ushtri dhe kulturë si dhe një përpjekje të rikonstruksionit të fushave „shkencë/albanologji“, „politikë“, „ushtri“ dhe „austrofilë“ sipas teorisë së fushës të Pierre Bourdieu-s. Ky studim i përgjigjet pyetjes së lidhjes së shkencës, politikës dhe ushtrisë në këto marrëdhënie bilaterale duke zbatuar teorinë e imperializmit kulturor të Johan Galtung-ut, emërton aktorët individualë dhe kolektivë të fushave të lartpërmendura, tematizon perspektivat e tyre, tipizon aktorët individualë si dhe përmban një tematizim të ndërveprimit të fushave dhe një rikonstruksion të ashtuquajturës “fushë të pushtetit”.

Në  këtë  liber që është një nga thesaret e rralla të historise  sonë, trajtohen lidhjet midis Shqipërise dhe Austro-Hungarisë në periudhën 1867-1918, pasqyrohen individë dhe institucione të ndryshme, të cilët shtruan rrugën e marrëdhënieve shqiptaro-austro-hungareze në albanologji, politikë dhe ushtri, shtrohen interesat e politikës dhe diplomacisë austro-hungareze për ta pasur Shqipërinë si aleate politike kundër pansllavizmit dhe imperializimit italian, si dhe interesat e ushtrisë për ta integruar atë në taktikat dhe strategjitë e saja luftarake.

Libri përmes fakteve tregon mjaft qartë se Austro-Hungaria ka mbeshtetur albanologjinë me shumë bujari me projekte dhe ekspedita kërkimore, dhe se albanologët vetë mund të kategorizohen në tre tipa kryesorë: tipin e pastër shkencor, tipin e përzier politiko-shkencor dhe tipin e përzier ushtarako-shkencor.

Po kush është Dr Kurt Gostentschnigg, ky njeri modest që gati gjithë jetën e tij ia ka kushtur Albanologjisë? Ai ka lindur në vitin 1965 in Eibiswald të Austrisë, ka titulllin doktor në histori nga Universiti Karl-Franzens në Grac me temën “Mes shkencës dhe politikës. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918”, është historian, përkthyes, shkrimtar, poet, bashkëpunëtor shkencor në çështjet e albanologjisë, ka punuar si lektor i gjuhës gjermane në Universitetin e Shkodrës dhe Tiranës, si lektor i përkthimit shqip-gjermanisht në Institutin e Studimeve të Përkthimit Teorik dhe të Aplikuar në Universitetin e Gracit, si lektor i gjuhës shqipe në Universitetin e Vjenës dhe si përkthyes për agjenci të ndryshme të përkthimit në Grac, si analist politik për Shqiperinë, Kosovën dhe Maqedoninë, si asistent konsullor në Ambasadën Austriake në Shqipëri etj.

Aktiviteti kryesor kërkimor dhe shkencor i Dr Gostentschnigg-ut është në fushën e historisë dhe albanologjisë, e historisë së marrëdhënieve shqiptaro-austriake në shkencë, politikë, ushtri, ekonomi dhe kulturë, e historisë së albanologjisë me bazë gjermane, e historisë  së trajtimit të çështjes së etnogjenezës shqiptare etj, duke qenë autor i 2 monografive shkencore, 47 artikujve shkencorë dhe 28 prezantimeve shkencore, ndër të cilët: “Thallóczy dhe Nopcsa, dy albanologë udhëheqës austro-hungarezë si rivalë për kapital simbolik” (Në: Shqipëri – Hungari, dje, sot dhe nesër. Shkodra: Fiorentia 2017); “Carl Patsch, Instituti i Ballkanit dhe çështjet shqiptare” (Në: Studime Historike 54, 2017, nr. 3–4); “Dy plane konkurruese austro–hungareze të vitit 1918 – dërgimi i monumenteve antike drejt Sarajevës apo ndërtimi i një muzeu kombëtar shqiptar?” (Në: Studime Historike 54, 2017, nr. 1–2); “Krali kundër Pekmezit – Lufta në Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër 1916-1918” (Në: Shejzat 1, 2016, nr. 3-4); “August Ritter von Kral, aktori kryesor i Austro-Hungarisë në trojet shqiptare” (Në: Studime Historike 53, 2016, nr. 3–4); “Shkolla e parë shqipe në Kosovë dhe politika arsimore e Austro-Hungarisë ndaj territoreve shqiptare” (Në: Hylli i Dritës, 35, 2015, nr. 3-4); “Qëndrimet e Austro–Hungarisë ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në kontekstin e marrëdhënieve të përgjithshme austro–shqiptare” (Në: Shqipëri-Austri. Reflektim historiografik Tirana: Botimet Albanologjike 2013); si Bashkëautor me Prof Karl Kaser: “Albanologjia austro-hungareze 1867-1918 – një rast i imperializmit kulturor?” (Në: Hylli i Dritës 34, 2014, nr. 1-2), etj.

Dr Gostentschnigg është mjaft i shquar në prezantimin e studimeve të tija historiko-shkencore  me shumë kontribute në fushën e albanologjisë,  në konferenca të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku mund të veçojmë: “Shtatmadhoria kundër Ballhausplatz-it: aneksim apo protektorat?”, mbajtur në konferencën ndërkombëtare shkencore “Austro-Hungaria dhe Shqipëria 1916-1918” në Muzeun Kombëtar Historik  në Tiranë (Janar 2018); “Dimensioni politik i trajtimit të çështjes së etnogjenezës shqiptare nga ana e albanologjisë austro-hungareze”, mbajtur në konferencën ndërkombëtare shkencore “Studimet albanistike në vendet gjermanishtfolëse” në Akademinë e Shkencave të Kosovës (Tetor 2017)  “Tipat e ndryshëm të kërkimit shkencor. Albanologjia ndërmjet politikës dhe ushtrisë”, mbajtur në konferencën ndërkombëtare shkencore “Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Austro-Hungarisë nga mesi i shekullit të XIX deri në ditët e sotme” në Universitetin e Prishtinës (Shtator 2016); “Albanologjia gjermanishtfolëse ndërmjet shkencës dhe politikës”, mbajtur në konferencën ndërkombëtare shkencore “Midis Ballkanit dhe Gjermanisë” në Universitetin e Berlinit (Shtator 2012), etj.

Dr Gostentschnigg, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij mes Austrisë dhe Shqipërise, i ka kushtuar gjithë jetën albanologjisë, është një folës dhe përkthyes i përsosur i gjuhës shqipe, njohës dhe adhurues mjaft i madh i letërsisë shqipe, flet me shumë adhurim për Nolin, Fishtën, Migjenin, Agollin etj, analizon veprat e tyre artistike, pëlqen kabanë e Laver Bariut, njeh mjaft mirë traditat dhe zakonet tona, është një bashkëfoles shumë i dashur dhe i qetë. Dashuria e madhe për  këtë vend nuk mund të mos e lidhte me dashurinë e një vajze të thjeshtë shkodrane, me të cilën ka krijuar familjen e tij.

Ky njeri kaq i madh, por shumë modest është enciklopedi e gjallë e albanologjisë, na nderon dhe na bën krenar për dashurinë, përkushtimin, pasqyrimin dhe vlerësimin që i bën Shqipërisë, popullit, historisë, kulturës dhe çdo gjëje që lidhet me të, prandaj meriton me gjithë zemër vlerësimin dhe mirënjohjen tonë të madhe. Do të ishte në nderin e veçantë të Këshillit të Bashkisë Shkodër që në vazhdën e vlerësimit të figurave me kontribut, t’i akordojë këtij albanologu, shqiptari dhe shkodrani të madh një titull nderi dhe mirënjohjeje.

Duke nderuar Dr Kurt Gostentschnigg-un, nderojmë veten dhe traditën tonë.

1 komente në “Dr Kurt Gostentschnigg, figurë e shquar e Albanologjisë”

  1. Baliu says:

    Pse po i shpallin albanologet e huaj si albanolog me te medhenje te gjalle. Ku jan tanet? Haptas po lehet pershtypja se albanologjia ka mbete ne duar te albanologve te huaj. Ky eshte turp dhe nje e pavertete. Kah mesi i artikullit shum mire thuhet historia e albanologjise me baze gjermane. Ky eshte pershkrim me real dhe me shkencor i ketij albanologu. Pse gjithmone po heshtet periudha e L2B, kur edhe ne te Austria ka qene e pranishme, dhe ka bashkpunuar me te njejtat struktura te ngritura ne L1B gjat viteve te “famshme” 1916-1918. Shkenca don teresi, e jo veshtrim selektiv.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje