Kosova një çështje europiane “par exellence”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Mimoza Kelmendi

Shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe njohjet e paskëtajme të pavarësisë së saj e sidomos deklarimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legjitimitetin e këtij akti, përcaktuan përfundimisht fatin e Kosovës: Asnjë shans për një kthim prapa.

Por edhe pse mbi 100 vende në botë e kanë njohur shtetin e ri të Kosovës, nuk ekziston një numër magjik shtetesh, me aprovimin e të cilave një shtet të quhet ndërkombëtarisht i konsoliduar. Serbia dhe Rusia do të përpiqen ende ta pengojnë pranimin e Kosovës në institucionet apo organizatat ndërkombëtare……

Që Gjermania do të bënte pjesë në shtetet e para, që do ta njihnin një Kosovë të pavarur,kjo ishte diçka që pritej. Republika Federale Gjermane ishte që në krye në mbështetje të planit të ndërmjetësuesit të OKB-së, Ahtisaari, që parashikonte një pavarësi me kufizime. Në BE e konsideruan pozitive, që megjithatë u arrit të hartohet një deklaratë e përbashkët për pavarësinë e Kosovës. Në thelb, politika e BE, bazohej në një truk diplomatik: ndarjen e çështjes delikate të njohjes nga

politika e stabilizimit dhe e ndihmës së evropianëve. Sepse që një ditë më parë, BE kishte vendosur dërgimin e një misioni me1800 policë dhe juristë në Kosovë.

Por perspektiva evropiane për Kosovën është bërë e ditur që nga Deklarata e Selanikut e Qershorit 2003, megjithëse edhe më parë në mbledhjen e Këshillit Evropian të mbajtur në Qershorin e vitit 2000 në Feira, Portugali, deklarohej se “vendet e Ballkanit Perëndimor konsideroheshin të gjitha vende kandidate të mundshme për t’u anëtarësuar në BE“ dhe që një nga objektivat e BE duhej të ishte përfshirja e këtyre vendeve në proceset politike dhe ekonomike të Europës. Një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 18 shkurt 2008, Këshilli Europian u mblodh dhe duke marrë parasysh qëllimet e deklaruara nga liderët e Kosovës për shpalljen e pavarësisë, përcaktoi se vendet e BE do të njohin republikën e re në përputhje me praktikat kombëtare dhe ligjin ndërkombëtar.

Dhe jo pa arsye…….

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, e cila nisi në Ballkan, Arnold Toynbee, historian britanik, vërente se “çështja lindore” tashmë ishte

kthyer në “çështje perëndimore”. Për analogji, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, “çështja ballkanike” u bë një “çështje europiane”. Çështja e Kosovës, ndër të tjerat çështje ballkanike, tashmë është një çështje europiane “par exellence”. Një gjë e tillë është e pamohueshme. Kosova nuk është vetëm një krahinë ballkanike e shpëtuar ushtarakisht prej aleatëve perëndimorë nga një regjim diskriminues, i vendosur për të kryer pastrimin etnik të radhës. Kosova nuk është vetëm një kopsht i ruajtur nga brenda dhe mbajtur i rrethuar nga një gardh sigurie për të mos lejuar përhapjen e pakontrolluar të “sëmundjeve” moderne.

Kosova nuk është litari i fundit që mban të lidhur paqen me Ballkanin. Një gjë e tillë nuk ka qenë as në vitin 1999 kur veç paqe nuk kishte në Kosovë, se po të kishte qenë do ishte këputur. Kosova nuk është as “djepi i serbizmit” se po të kishte qenë nuk do ish kthyer përmbys. Nuk është as “shteti i dytë” shqiptar, as pararojë e “Shqipërisë së madhe”, as edhe një “südtirol” i Shqipërisë, se po të kishte qenë nuk do kishte një ’68, një ’81, një ’91, UÇK, LDK, Vetëvendosje etj. Asgjë prej këtyre nuk është sepse është një  çështje europiane. Si çështje europiane ajo është një kompromis i jashtëm e i brendshëm, një sfidë e jashtme dhe e brendshme. Kompromisi i jashtëm i çështjes europiane të Kosovës është arritja e një kompromisi të brendshëm në Serbi, pra eliminimi i ultranacionalizmit serb dhe rivendosja e marrëdhënieve paqësore ndëretnike.

Një kompromis i brendshëm për çështjen europiane të Kosovës është “Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut”. Këtu zënë fill dhe sfidat e brendshme në Kosovë duke nisur nga 10 qershori 1999 e deri sot.

Sfida e jashtme e çështjes europiane të Kosovës është vetë BE. Kosova për BE paraqet një sfidë në të tëra aspektet e asaj çfarë përkufizohet nga Bashkimi Europian. Kosova me një territor thuajse të pallogaritshëm në kontinentin evropian me një popullsi të barabartë më atë të një qyteti mesatarisht të madh evropian, me një përkujdesje europiane, nuk mund të mos ia dalë të krijojë institucione të fuqishme për të realizuar atë çka emërtohet “qeverisje e mirë”. Përbën një sfidë në aspektin e sigurisë por edhe të politikave të jashtme të BE: Kosova ka shërbyer dhe shërben kohë pas kohe si një “dhomë prove” e Politikës së Përbashkët të Jashtme e të Sigurisë të BE, nëpërmjet Kosovës testohet herë pas here uniteti “i jashtëm” i BE. Qeverisja e dobët dhe korrupsioni janë më tepër probleme të institucioneve të Kosovës sesa probleme të administratës së huaj mbikëqyrëse apo monitoruese. Në këtë moment ndahen dhe përgjegjësitë dhe problemet që i takojnë autoriteteve qeverisëse kosovare t’i zgjidhin.

Mungesa e perfeksionimit në angazhimin evropian në Kosovë nuk duhet të justifikojë mungesën e angazhimit të institucioneve kosovare për të arritur objektivat evropiane të tyre e sidomos “ëndrrën evropiane” të popullsisë në Kosovë. Ata janë sot të vetmit qytetarë në Ballkan që nuk lëvizin drejt Europës pa vizë.

(nga libri “Kosova – një çështje europiane“)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Kosova një çështje europiane “par exellence””

  1. USA says:

    Kosova nuk eshte qeshtje Europiane sepse Europa nuk e lejon Kosoven as te kendoje ne Eurovision e lere me te kete ndo je perkatesi tjeter ne BE…apo ndo je ojq tjeter….

    Pra KOSOVA ESHTE QESHTJE AMERIKANE DHE BRITANIKE………NDERSA EUROPES JAQIFT QENI NONEN.

    RRNOOOFT AMERIKA….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *