«Serbi» Strache nuk arrin të demantojë deklaratën kundër Kosovës dhe shkakton dyshime në Bruksel dhe Berlin ndaj Austrisë zyrtare

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn

Nënkancelari austriak Heinz Christian Strache nuk ka arritur të përgënjeshtrojë deklaratën e tij se «Kosova është pjesë e Serbisë», madje e ka mbrojtur atë. Gazeta «Politika» e Beogradit ka prezantuar intervistën e zhvilluar me shkrim, ku gjendet fjalia që ngjalli shumë reagime. Aleancat e partisë së Straches FPÖ me nacionalistët serbë në Ballkan dhe me Kremlinin kanë shqetësuar Berlinin. Qeveria gjermane ka paralajmëruar se shërbimet sekrete perëndrimore, përfshirë ato gjermane, mund të kufizojnë bashkëpunimin me shërbimet austriake për shkak se informatat mund t’i dërgohen Moskës. Në qeverinë e re të Austrisë Strache dhe shokët e tij janë përgjegjës edhe për shërbimet sekrete dhe kontrollojnë tri ministri: të Jashtmen, të Mbrojtjes dhe të Brendshmen.

Nga Enver Robelli

«Pas intervistës së Straches shtrohet pyetja nëse ne (austriakët) në BE po bëhemi gaz i botës apo edhe më keq». Kështu e fillon komentin e saj gazeta e Vjenës «Kurier» dy ditë pasi Heinz Christian Strache, nënkancelar i Austrisë, nga gazeta serbe «Politika» u citua të ketë thënë se «Kosova është pjesë e Serbisë». Pas reagimeve të shumta në Austri Strache e nxori në opinion zëdhënësin e tij për të demantuar deklaratën. Zëdhënësi tregoi se shefi i tij nuk paskësh thënë se Kosova është pjesë e Serbisë. Por gazeta «Politika» e Beogradit ka prezantuar intervistën e zhvilluar me shkrim, ku gjendet fjalia që ngjalli shumë reagime.

Gjatë takimeve me politikanët kryesorë në Beograd të hënën Strache nuk u distancua nga deklarata e tij. Ai vetëm nënvizoi se ka thënë që Kosova «sipas ligjeve serbe» është «pjesë e Serbisë». Ky kufizim nuk gjendet në përgjigjet e Straches që «Politika» ua ka prezantuar mediave austriake. Aty shkurt dhe gjermanisht thuhet: «Kosova pa asnjë dyshim është pjesë e Serbisë». Strache ka mundur të thotë edhe «Kosova është zemra e Serbisë» – siç ka thënë në vitin 2008 në një tubim nacionalist në Beograd pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Atëherë Strache ka qenë si të thuash «jashtë ligjit» – si opozitar ka folur «mbarë e mbrapshtë», ka atakuar Bashkimin Europian, ka lavdëruar Rusinë e Vladimir Putinit, ka koketuar me ideologji raciste dhe ka lozur rolin e «super-serbit» nga Stephansplatzi i Vjenës dhe nga Kalemegdani i Beogradit. Tash është nënkancelar, rrjedhimisht një zë i rëndësishëm zyrtar i shtetit të tij. «Tani», shkruan «Kurier» në komentin e përmendur, «bëhet fjalë për Austrinë dhe për atë se kush e merr seriozisht qeverinë tonë, përveç Putinit, i cili gëzohet për çdo idiot të dobishëm».

Aleanca sllave e FPÖ-së austriake nuk është sekret. Pas pushtimit të Krimesë nga Rusia më 2014 FPÖ dërgoi atje vëzhgues në zgjedhjet e dyshimta të organizuara nga Moska. Në vitin 2016 Strache nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me partinë e Vladimir Putinit dhe postoi në Facebook një «selfie« nga Sheshi i Kuq i Moskës. Në mediat perëndimore ka pasur supozime se FPÖ është ndihmuar me para nga Rusia, por nënkryetari i saj Johann Gudenus e ka demantuar këtë: «Asnjë cent, asnjë euro, asnjë dollarë – apo çfarëdo valute që ju kujtohet», ka thënë ai më 2014 për «Kurier». Gudenus, jurist me profesion dhe i martuar me një serbe nga Banjalluka, në biografinë e tij zyrtare shkruan se mes viteve 1995-2005 ka ndjekur «kurse verore» në Universitetin Lomonosov në Moskë. Më 2005 thotë se ka qëndruar në Akademinë Diplomatike të Moskës.

Në një prononcim për «Kurier» historiani Oliver Jens Schmitt tha se mes FPÖ-së dhe regjimit rus shihen disa ngjashmëri botëkuptimore. «Mendoj se mund të vërehet një adhurim i caktuar për regjimet autoritare, për nacionalizmin dhe për maço-kulturën». Duke iu referuar fotografisë së Straches me dy kolegë të tij partiakë në Sheshin e Kuq të Moskës, Schmitt thotë: «Kjo tregon epiqendrën e tyre politike, kulturore dhe identitare». Politologu nga Vjena Vedran Xhihiq deklaroi se te FPÖ ekziston një kontinuitet në afinitetin ndaj Serbisë dhe Rusisë – dhe këto dy afinitete, sipas tij, bashkohen në Ballkan, ku Rusia po përpiqet të sabotojë zgjerimin e BE-së. Rusinë e Vladimir Putinit dhe popullistët austriakë i bën bashkë mentaliteti konservator, tradicionalist, kombëtarist, qëndrimi kundër globalizimit dhe kundërshtimi i parimeve themelore të BE-së. Afiniteti i FPÖ-së ndaj serbëve lidhet edhe me kalkulimet politike. Në Austri jetojnë rreth 300 mijë serbë, shumica me të drejtë vote. Vjena konsiderohet qyteti i pestë më i madh «serb» – pas Beogradit, Nishit, Novi Sadit dhe Chicagos. Strache ka deklaruar para disa vitesh për gazetën «Die Presse» se me serbët është njoftuar në një «studio fitnesi» dhe pastaj është bërë mik i tyre. Një numër i konsiderueshëm i serbëve me banim në Austri janë mbështetës besnikë të FPÖ-së. Për të «ushqyer» këtë klientelë Strache në një intervistë televizive vitin e kaluar u vuri në dyshim tërësinë territoriale të Bosnjë-Hercegovinës. Në janar ai u nderua me urdhrin e Republikës Serbe – para tij këtë urdhër e kanë marrë figura të rëndësishme si Radovan Karagjiqi, Ratko Mladiqi dhe Sllobodan Millosheviqit, të cilët për meritat e tyre për paqe e miqësi mes popujve përfunduan në qelitë e Tribunalit të Hagës. Karagjiq mori 40 vjet burg, Mlladiq burgim të përjeshtëm, Millosheviqin e «shpëtoi« sulmi në zemër.

Sipas mediave austriake, të cilat Strachen e përshkruajnë me ironi si «serb», qëndrimet proserbe e proruse të FPÖ-së mund t’i shkaktojnë kokëçarje edhe kancelarit Sebastian Kurz dhe ndikojnë që Austria të mos merret seriozisht si shtet në Bruksel dhe në Berlin. Gazeta «Frankfurter Allgemeine Zeitung« shkroi së fundi se në zyrën e kancelares Angela Merkel ekziston frika se me hyrjen e FPÖ-së në qeverinë e Vjenës mund të vështirësohet bashkëpunimi i shërbimeve sekrete perëndimore. Sipas kësaj gazete informatat e ndjeshme të shërbimeve sekrete mund t’i përcillen Moskës nga ana e eksponentëve të FPÖ-së, e cila drejton ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Jashtme dhe kontrollon shërbimet sekrete austriake. «Frankfurter Allgemeine Zeitung» citonte një zyrtar të informuar me këtë çështje, sipas të cilit Merkel në një takim me kancelarin e ri austriak Sebastian Kurz ka bërë të ditur se Austria tani duhet të llogarisë se shërbimet perëndimore nuk do t’i ndajnë të gjitha informacionet me të për shkak të frikës se të dhënat mund të rrjedhin në Moskë.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedIn
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “«Serbi» Strache nuk arrin të demantojë deklaratën kundër Kosovës dhe shkakton dyshime në Bruksel dhe Berlin ndaj Austrisë zyrtare”

  1. undefined says:

    Kush e pjerdh kete zarush ky eshte pordhe me rigon te rri urte mos ti japi gojes shume se mos e heqin qafe sic hoqen Hajdern kur filloj ti llapte goja si puna ketij gjelit qyrrs

  2. aaa says:

    ‘ nuk arriti te DEMANTOI’ ???? Demantoi ???

    Po pse o lumadh nuk e shkruaje dot ‘PERGENJESHTROI’ ????

    KU KU KU KU

  3. Ton says:

    Cudi se Hajderi mbahej si pro Shqiptar… e ka deklaruar disa here vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *