Kunati i shkruan Tikut tekstin për shtypin amerikan

16 Shkurt 2018, 19:48Antena TEMA

Shtypi amerikan ka zgjuar interes për hallin që e zuri Tikun, duke ju ndaluar familjarisht hyrja në SHBA.

Për këtë, shumë gazeta amerikane kërkuan nga Tiku të dinë arsyen pse ndodhi kjo.

Tiku i kërkoi ndihmë Kunatit, t’i rifreskonte kujtesën, dhe ai i bëri një tekst ku mbrohej ndaj akuzave të bëra nga SHBA:

“Së pari, dua t’iu sqaroj se kjo nuk është një luftë e SHBA ndaj meje, por një luftë e ambasadorit Lu.

Qysh në fillim ai erdhi në zyrën time dhe më kërkoi ndihmë të bënim reformën në drejtësi.

E pyeta se çfarë është kjo reformë?

Më sqaroi që donin të na hiqnin të gjithëve nga puna dhe të vinin të tjerë.

-Nuk më ke në krah, i thashë si burrat.

Ai iku i nxehur nga zyra dhe nuk shkeli më.

Pas kësaj më sulmoi disa herë publikisht.

Më kujtonte që nuk arrestoja Shullazin, Balilin, Lul Berishën etj.

Nuk po e duroja dot.

Pastaj situata u bë shumë e keqe.

Unë kisha dhe halle familjare, gruan e kisha për të lindur, këtu kushtet në spitale copë- copë.

Vendosëm të ikim të lindte në SHBA.

Ai nuk mu nda nga pas.

U detyruam, u çuam nga spitali, e ikëm përsëri sapo lindëm dhe u kthyem në Gjermani.

Në këtë kohë më njoftuan se më ka bllokuar vizën dhe mua, dhe familjes.

Ky është fundi i botës.

S’ka ngel halabak pa marrë vizë amerikane, ma ndalojnë mua.

Atëhere u konsultova me disa udhëheqës të lartë në vend.

Njëri më tha plasja në fytyrë: ‘Thuaji që ti ke kërkuar të më arrestosh mua si politikan’.

Dola dhe ja plasa.

Ai nuk reagoi, por me sa duket i ka thënë qeverisë amerikane: ‘Ja, ne i kemi kërkuar arrestime, ky nuk i ka bërë.’

Pastaj një ditë tjetër më tha një udhëheqës tjetër, që ky është agjent i Sorosit.

-Çfarë është Sorosi, e pyeta, ta dija?

-Është një armik i madh i presidentit të SHBA, më thanë.

Dhe unë ja plasa me zëdhënësen time.

Tani me sa duket Sorosi paska rekrutuar dhe sekretarin Tillerson, se ai ja ka me hile Trumpit,  dhe ai ma nxjerr inatin mua.

Kjo është e gjitha inat personal i ambasadorit Lu.

Tani e tutje e ka personale me mua.

Do luftoj me mish e shpirt, të shpallet “non grata” në Shqipëri, dhe ka për të parë, nëse do gjejë ndonjë vend tjetër si ky, të bëjë çfarë i do qejfi.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje