Erimioni Mërkuri, një Perëndi polifone

20 Shkurt 2018, 12:50Kulturë TEMA

Nga Aleksadër Çipa

Erimioni Mërkuri hyn në skenë, nëse e ke dëgjuar qoftë edhe një herë më parë, si në atë vargun e “Orestia”-s së Eskilit :” …me hap të lehtë ajo kapërceu pragun/ duke guxuar atë që nuk guxohet”. Eshtë fjala për guximin interpretues, për atë guxim i cili ia del sa herë është rikthyer para publikut, para mikrofonave dhe sidomos në sofrat e mëdha të këngës kombëtare shqiptare si një amazonë, por edhe si një Ajkunë, si një ereni ashtu edhe si një divë e aftë dhe në vlershmëri të gjithëkohshme për të qenë magjike. Një ndër dimensionet e shumëlëvduara të Polifonisë shqiptare është pesha semantike si vlerë universale dhe njëherësh unike. Ndiqeni në një akt shtrirjeje zërin e Erimioni Mërkurit, si për shembull tek këngët “Naim Shqipëria”, ose “Bota shqiptare” dhe do të përfitoni ndiesinë dhe asosacionin e së pafundmes dhe të rëndesës gravitale. Këtë e mundëson vetëm Erimioni përmes fjalës në melosin që di të gjenerojë vetëm gryka dhe talenti i saj.

… Do të jem në pikëllimë të gjatë, gjersa të mësoj ose të lexoj se një etnomuzikolog i vendit ose i Botës të marrë përsipër dekodifikimin e zërit të saj nëpër këngët magjike që ka lënë si fond dhe repertor të interpretimeve në Grupin Polifonik të Pilurit.

Erimioni Mërkuri nuk ka tituj e dekrete presidenciale.Eshtë e lauruar në pesë Festivale Folklorike Kombëtare të Gjirokastrës, Beratit dhe Lezhës. Nuk ka asnjë ofiq të dhënë në kohë të ndryshme prej shtetarësh apo jurish e komisionesh shtetërore.

Ka miliona duartrokitje të shpërndara për më tepër se dyzet vjet, nëpër skenat shqiptare dhe ato ballkanike. Eshtë një ndër më të kërkuarat në sitet e polifonisë shqiptare dhe mijëra fansa të saj hedhin dhe shtojnë vlerësime apo lëvdime për fuqinë emocionuese dhe ndikimin që shkakton mbi gjendjen shpirtërore të dëgjuesit Erimioni me zërin e saj. Vlerën unike të kësaj interpretuese magjike të polifonisë së Pilurit e kam bërë pjesë të ndërgjegjes sime si nevojë kur kam lexuar vargun e poezisë së tim eti: ”zërin t’u ruaj nga vapa”. Ajo është një krye-sirenë e polifonisë sonë, të cilën im At e emërton shqip si “Fosforina shqiptare”.

Eshtë një nimfë e Këngës Polifonike shqiptare që mishëron në interpretimet e veta imazhet fonike dhe vizive të fenomeneve natyrore të Tokë-Jetës, të zhyt në dhe shtysa të fuqishme asosacionesh dhe fantazish. Në zërin e saj është cikli i shprishur i vetëtimave akrokeraonike të brigjeve të Himarës së sotme, është elegjia e thellësive dhe gjerësive homerike, është shtatlartësia e lisave të maja maleve, është muzgu i rënë në det, të cilin e sheh nga gërxhet e maleve. Njëherësh është edhe tej-Bota të cilën e sheh nga një vis kaltërsish siç është Piluri mbi Himarë.

Eshtë punë e munguar e studiuesve, laboratorëve dhe shkencës së etnomuzikës shqiptare, analiza e opcioneve, varianteve dhe sidomos modeleve interpretuese që ka sjellë në repertorin e vet Erimioni Mërkuri. Kushdo që mendon se të thënat për këngët e Grupit të Pilurit, vlejnë edhe si analizë për cilësitë dhe talentin e Erimionit, padashur apo pazotësisht, mund të bjerë në gabim të një mohimi të padrejtë.

Për të ndricuar me fjalën shpjeguese tërësinë e fenomeneve njerëzore e natyrore që mbart zëri dhe aftësia gjeneruese e melodisë në interpretimet e saj, do të duhet punë e një eksperti të kalibrit.

Ka një forcë të shpjegueshme dhe të rrëfyer vetëm përmes letërsisë. E kemi fjalën për letërsinë antike, në ato kapituj ku rrëfehet për Olimpin.

Erimioni është një këngëtare, madje semiotikisht cilësimin real të individualitetit vokal të saj mund ta materializojmë përmes fjalës Polifone. Ajo është një perëndi zëri që si perënditë që nuk kanë të dytë, edhe ajo nuk përsëdytet. E dëshmuar si e tillë në gjithë repertorin prej më shumë se 260 këngë që njihen si fond i krijimtarisë së Grupit të Pilurit. Në fillim të viteve ’80-të një grup regjistrimi i Televizionit Publik Francez u gjend në Himarë dhe regjistroi si matricë të vetme këngën “Shqipëri moj ballëhapur” të Erimionit së bashku me korifeun tjetër magjik të Himarës, polifonin Dhimitër Varfi. Ajo këngë është e pagjendshme sot, por dy korifejtë e saj Erimioni dhe Dhimitri, kanë lënë të regjistruar dy regjistra vokalë të cilët vështirë se mund të riprodhohen e aq më tepër tejkalohen. Nuk është e rastësishme që edhe një regjistrim i tillë, i treti jashtë Shqipërisë i këngës himariote, nën regjimin e izolimit të plotë komunist të vendit, po kryhej nga francezët?! Dy të parët në vitet ’30 ishin realizuar nga Neco Muko Himarioti në Paris.

Këngët e interpretuara nga Erimioni të gjitha janë me vërshime të brendshme si imitim i vullkanitetit shpirtëror të njeriut. Derdhja e zërit të saj në grykë është dicka prej vërshimi të stuhisë apo tramundanës, por edhe fërfërima e gjethes në vapë si dhe krejt pafundesia e horizonteve. Në ngjyrat vokale të saj është tërë shpërthimi i stuhishëm i detit dhe imazhi gorkian i Zgalemit, është “lulja në borë” dhe “Zoga kaçake në male”, është “Naim Shqipëria” dhe “Bota shqipëtare”, është “Manushaqja” dhe “Loti që lau synë”, është “Zilja e hollë e mushkës” dhe “Mbrëma, mbrëma kur fryn era”.

Tek zëri dhe këngët e Erimioni Merkurit janë baladat dhe elegjitë unike, të pa parafytyryeshme as nga letërsia antike dhe as nga ajo klasike. Elegjitë e Erimioni Mërkurit janë fenomeni i një bashkëkohësie që mbetet në fuqi. Mjafton të kërkoni elegjinë “Anës detit përmbi gurë” të Grupit të Pilurit, ku gjendet distiku i Lefter Çipës (janë lotët e kurbetit/ që shtojnë ujin e detit), dhe keni për të përjetuar zgafellën homerike të brengës mërgimtare të njerëzimit.

Erimioni Merkuri ka më shumë se 18 vjet që jeton në emigracion në Selanik të Greqisë e ndërprerë nga jeta aktive artistike, por jo e ndalur dhe përkohësisht e humbur. Mirëpo sic pohon Kadare tek “Eskili ky humbës i madh”,;”… për humbjen ke gjithmonë dëshirë të flasësh”. Erimioni është kryenece e rrallë ndaj humbjes për vijimin e aktivitetit të vet artistik. Ajo në momente të vecanta lëviz rikthyeshëm si një artiste e pakuptuar.Këtë bëri edhe këtë fundjavë në Prishtinë dhe në Tiranë, duke u bërë pjesë e koncertit të dy grupeve më të zëshme të Himarës dhe Pilurit në pesëdhjetë vitet e fundit. U rikthye duke e vijuar këngën e vet, në lartësinë interpretuese ku e pat ndërprerë, aty ku e pat lënë, në fillim të viteve ’90-të në Gjirokastër.

Këtë fillimjavë Erimioni rishtazi iu rikthye mërgimit, modeste dhe e heshtur si një Perëndi që mbart besnikërinë ndaj padukshmërisë së bujshme.

 

7 komente në “Erimioni Mërkuri, një Perëndi polifone”

  1. Blerim says:

    Blerim
    Te lumte Aleksander ! Kujtesa per kengetaren e mrekullueshme Ermioni Merkuri,por edhe polifonine e pa krahasueshme Labe,e sidomos ate te Pilurit,eshte nje nder qe i behet shpirtit liridashes e patriot te krahines se Himares. Mendoj qe Presidenti i Republikes duhet te dekoroje me medalje te larte kengetaren Ermioni Merkuri,por edhe TVSH,te beje nje emision te posacem per kete kengetare te madhe,per grupin e Pilurit,dhe per Babain tuaj patriot e vjershetor qe e ka ushqyer ate grup me poezi te bukura qe i japin nder Shqiperise.

  2. Piluri says:

    Respekt per Ermioni Merkurin dhe Lefter Cipen dy zerat legjendare te polifonise shqiptare

  3. Niko says:

    Jemi krenare per ty e dashur Ermioni

  4. Alpet.al says:

    Rrofsh o Aleksander Cipa, per vleresimin e larte dhe shprehjen e respektit, deashurise dhe mirenjohjes per artin dhe kontributin e Ermioni Merkurit, kengetares se talentuar dhe polifonise tone.
    Por, duhet te ta them se shumica e lexuesve nuk te ndjekin dot ne labirinthet dhe sterhollimet qe ke shprehur nga entuziasmi dhe deshira per ta supervleresuar Ermionin, ne krahasimet me shkelqimin e tragjedive te grekerve te lashte. Kjo nuk i shton vlerat e Ermionit ne syte e publikut shqiptar.
    Me tej, tentativa jote sado perciptaz, per t’i hyre vleresimit profesional te zerit dhe te interpretimit te saj, nuk ngjit dhe te le te ftohte, sepse jo vetem nuk eshte fusha jote profesionale, por edhe sepse kjo tentative del jashte natyres se shkrimit dhe mund te behet me mire nga kompetentet ne ndonje monografi te vecante per te.
    Dhe se fundi, nese ke ndonje njohuri apo spjegim ti vete, apo dikush tjeter me kompetent qe rastesisht mund te jete duke lexuar keto komente dhe debate, a mundet te sqarohet publiku shqiptar dhe, sidomos, lukunia e grekeqireve te Janulles qe ulurasin per “Himaren greke”, a ka ndonje kenge popullore himariote, polifonike ose jo polifonike, kenge dasme apo vaje morti, te interpretuara apo te kenduara ne gjuhen greke?
    Nese himariotet jane greke etnike, sic pretendojne Bollanot, Kristos Papasat dhe shume horra zuzare te tjere, si ka mundesi qe ky etnitet autokton i lashte ne tokat e veta, kenget dhe vajet i ka ne gjuhen shqipe?
    A mundet qe dikush, zoti Cipa apo redaksia, apo kush mundet te hedhi pak drite per kete argument?
    Flm, paraprakisht per cdo kontribut.

  5. Goni says:

    Per Z. Aleksander Cipa dhe per te gjithe juve zoterinjve qe keni njohur me pare
    kete Perennial Polifonike Ermioni Merkuri: TURP TE KENI !!!

    Mbasi lexova me admirim dhe kenaqesi mendimet dhe vleresoi met e juaja
    per zonjen Ermioni Merkuri, per kete Perendi Polifonike, une me shume
    pasion dhe emocionuese kerkova kenget e saj ne youtube dhe u befasova
    qe nuk gjeta asnje kenge te vetme qe te mbante emrin e saj.
    Akoma ndjej merzine qe nuk kam mundesi te degjoj kete mrekulli.
    Zonjen Merkuri I uroj gjithe te mirat.

    1. A.D says:

      Se nuk e gjetët me emrin e saj nuk e zbeh lartësinë e saj. Ajo mban emrin “Grupi i Pilurit”…se e vetme nuk do mundte të bënte asgjë. Polifonia nuk është monofoni.

  6. E verteta e hidhur says:

    “Alpet.al”,jam i nje mendje me ju,por sa per z.Aleksaner Cipa ,tere fisin tij dhe Pilurin ne teresi,por edhe njerzve me gjykim te ftohte ne cdo fshat te Bregdetit, mendoj se qendrojne te palekunder se polifonia eshte e shqiptareve dhe askujt tjeter ne bote.Ky qendrim i tij dhe i te tjereve si ai, ka bashkuar nje kor antishqiptar qe vjell vrer,qe vetem njerz si Cipajt dijne te perballojne,ndersa ne njerezve te thjeshte,na i bien zorret ne fyt.Nejese,pune e tyre dhe atyre qe qe i pagujane per te hedhur helm kunder traditave kultures dhe identitetit tone shqiptar.Ne fund dua te them se Ermioni Mekuri dhe Karina Bejleri zor se do te kene shoqe te dyte ne polifonine shqiptare,au kemi borxh dy fjale te mira, i pershendes te dyja me kete koment.Aleksander Cipa ka folur ne emer te ketij borxhi qu kemi ketyre zonjave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje