FOTOT: Vjedhja e gishtit të statujës 2000-vjeçare në SHBA tërbon kinezët

20 Shkurt 2018, 18:24Bota TEMA
FOTOT: Vjedhja e gishtit të statujës 2000-vjeçare në SHBA

Autoritetet kineze kanë kërkuar ndëshkim të rëndë për personin që dyshohet se ka vjedhur gishtin e madh të një statuje terrakote, e ekspozuar në SHBA. Statuja 2000-vjeçare me vlerë 4.5 milionë dollarë është një prej 10 të tillave që i ishin lënë për pak kohë Institutit Franklin në Filadelfia.

Javën e kaluar, Michael Rohana u akuzua për vjedhje dhe dëmtim të veprës së rëndësishme të artit dhe më pas u lirua me kusht.

Ushtria e terrakotës është një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike në Kinë. 24-vjeçari Rohana vendosi të futej në mes të ushtarëve të argjilës për një selfie, bëjnë të ditur mediat kineze, të cilat u referohen burimeve pranë FBI-së. Por para se të largohej, ai i theu gishtin njërës prej statujave dhe e mori me vete. Stafi i muzeut e konstatoi mungesën e gishtit më 8 janar dhe njoftoi autoritetet. FBI e ndoqi çështjen dhe zbuloi se ku ishte gishti i ushtarit kinez të terrakotës.

Autoritetet kineze janë vërtet të indinjuar nga kjo pakujdesi e muzeut. Qendra Kulturore për Promovimin e Trashëgimisë Kulturore Shaanxi, organizata qeveritare që ka dhënë statujat, reagoi me një deklaratë me të cilën “dënon me forcë pakujdesinë e institutit amerikan”. Në deklaratë thuhet se një ekip ekspertësh kinezë do të mbërrijë në SHBA për të vlerësuar dëmin dhe për të përcaktuar dëmshpërblimin.

Dhjetë statujat e terrakotës janë pjesë e një ushtrie prej 8000 statujash me përmasat reale të një njeriu. Statujat janë ndërtuar në kohën e perandorit kinez Qin Shi Huang, i cili ka vdekur në vitin 210 para Krishtit. Ato u zbuluan në qytetin Xi nga një grup fermerësh kinezë në vitin 1974.   Përgatiti: Gazmira Sokoli (TemA TV)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje