Nostalgjia për Enverin nuk nënkupton rikthimin e tij

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Bedri Islami

Në politikën shqiptare, qëndrimi ndaj Enver Hoxhës, ka pasur dyzimet e tij. Që nga 20 shkurti i vitit 1991 e deri tani, shumë ujra kanë rrjedhur nën këmbët e një politike të çartur dhe shumë tabu të së djeshmes nuk janë më të tilla.

Një forum i tillë, dy dekada e më shumë më parë, as që mund të mendohej. Ishte koha e mohimit të gjithçkaje, dhe, si dihet mohimi nuk sjell progres. Ishte koha e “çekut të bardhë” dhe e logos politike pëdëiste “ne qeverisim, bota na ndihmon”, dhe dalldia e përgjithshme nuk kishte asnjë vend të lirë për forume të tilla.

Ka pasur gjithnjë një triumvirat, që shkurt mund të përmblidhet, e djathta, Enveri, e majta.

Ndërsa forcat e së djathtës politike, në fakt nuk janë të tilla, është më shumë një lëvizje amorfe politike, figurën e Enver Hoxhës nuk e kanë analizuar kurrë, me seriozitet, saktësisht, pa mllefe dhe verbëri. Ata kanë sharë, kanë mallkuar, janë çjerrur, kanë mbushur sheshet me urrejtje, por nuk kanë bërë asnjëherë një gjë të duhur, thellësisht shkencore dhe serioze.

Duke sharë gjithçka, ata kanë shkuar në të kundërtën e asaj që kanë synuar; kanë afruar një kohë që dukej e largët të afrohej. Bashkë me kohën kanë ripërtërirë edhe figurën e Enver Hoxhës.

E majta, megjithëse duket shumë më e afërt me figurën e Enver Hoxhës, në fakt ka pasur një shkëputje më serioze ndaj tij; figura të shquara të së majtës, si Dritëroi dhe Moikom Zeqo kanë bërë katarsin e një politike të shkuar. E kanë bërë pa mllef, seriozisht, me dinjitet dhe të saktë.

Megjithëse, mbi figurën e Enver Hoxhës janë hedhur në një kohë të shkurtër, të gjithë rrebeshet e mundshme, përsëri dyzimi ndaj tij vazhdon të mbetet një gjë e pranishme, e prekshme dhe që nuk mund të hiqet me dekretet, as të së djathtës e as të së majtës.

Vitet që erdhën e shkëputën mllefin nga arsyeja, e hoqën zemërimin nga mendimi, sollën krahasimin mes dy kohëve, njëra e së shkuarës, që nuk perceptohet dot në gjerësinë e saj dhe tjetra, e tashme, e prekshme dhe shpesh herë, neveritëse.

Por, fakti mbetet fakt. Dy dhjetëvjeçarë më parë, kudo, në të gjithë shtetin, e përtej tij me një shpejtësi të marramendshme, ndryshuan gjërat, ndryshoi edhe mendimi e qëndrimi ndaj liderëve të kohës, e mes tyre, edhe për Enver Hoxhën.

Nuk ka ndryshim dramatik, por shenja e rikthimit të Enver Hoxhës, megjithëse nuk duam ta pranojmë, ashtu si pa u ndjerë, po futet gjithnjë e më shumë tek disa njerëz, jo edhe aq si nostalgji, por si përcpetim i një bote ndryshe nga sa ishte menduar.

Enver Hoxhën nuk mund ta rikthejnë disa vetë që mbartën portretin e tij. Atë po e rikthen politika jonë, politika e ditës, e sharjeve, e pasurimit të padenjë, e vjedhjeve, e grabitjeve, e rikthimit të alfabetizmit, po e rikthen, duke thënë se e luftuam, pikërisht ajo klasë politike që në vitin 1990 ,u shfaq kundërshtare e vendosur e tij.

Dhe njeriu, i cili ka një të metë, ai mund të mendojë, thotë me vete: po këta, në këtë kohë, kur i thonë demokraci, bëjnë kaq shumë gjëma, çfarë do të kishin bërë në një kohë tjetër?

Dhe fillon e mendon për kohën tjetër, fillon e mendon kur ishin të varfër, por nuk kishin mbi kurriz gjithëfarë vagabondësh politikë. Fillon e mendon për një kohë kur mjekët nuk largoheshin dot nga fshati ku shërbenin, ku për një fëmijë të sëmurë rrinin gjithë natën në këmbë dhe harronin fëmijët e tyre. Ju sjell një shembull.

E kam pasur mik të afërt mjekun Skender Zaimaj. Nuk bën nëna djalë më të mirë se si ishte ai. Nuk jeton më. Ishte drejtor i spitalit në Selcë të Vermoshit, specialist i sëmundjeve kancerogjene, dhe natën e vitit të ri, sapo ishte ulur me familjen, një telefonatë për një të sëmurë në Vermosh, 100 kilometra larg, e ngre nga tryeza e shtruar, udhëton gjithë natën, nëpër borë e akull dhe i shpëton jetën një njeriu.

Kush e bën tashti këtë. Askush, ose më saktë, pak kush. Tani mjekët rrinë me turne në zonat e tyre… një javë unë, një javë ti, një javë ai tjetri. Dhe njerëzit fillojnë e marrin mall, sepse nuk kanë as lekë të paguajnë për mjekun, ilaçet, analizat…

Enver Hoxhën e ndalon ajo politikë, tek e cila njerëzit kanë shpresuar që nga dhjetori i vitit 1990 dhe që nuk po e gjen rrugën për të ardhur tek ne.

Nuk e risjell atë zhurma e pak çasteve e disa njerëzve, të cilët ende e kanë mendjen në një portret.

Atë e risjellin njerëzit tanë të politikës, të cilët, edhe në një vend të shenjtë, si parlamenti ynë, e kanë kthyer në një grazhd të neveritshëm.

Njerëzit kanë një të metë, ata mendojnë. Kanë të drejtën të mendojnë. Nuk besoj se do të ketë ende njerëz që ëndërrojnë kthimin e luftës së klasave, izolimin, ritkhimin e ndalimit të pronës private. Edhe dikush, kushdo qoftë, do të kishte provuar rikthimin e tyre, ai do të ishte shumë shpejt i dëbuar.

Por duan më shumë qetësi, çka  nuk e kanë; duan punë, të cilën duhet ta blejnë; duan siguri për jetën e tyre dhe nuk kanë ku e gjejnë, sepse të vrasin ditën për diell e jo më natën për hënë; duan politikanë të ndershëm, por ata janë për faqe të zezë; duan që qytetet të mos shkretohen, por ata po mbetin bosh; duan një politikë agrare ndryshe nga sa është sot, por financat fluturojnë drejt së panjohurës.

Enveri ishte simbol i një kohe tjetër. Ajo kohë nuk kthehet më. Nostalgjia mbetet, e jo rrallë jo vetëm nostalgjia.(dita)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

3 komente në “Nostalgjia për Enverin nuk nënkupton rikthimin e tij”

  1. Zigur Qarri says:

    Kjo tregon,qe”Demokracia” shqiptare akoma nuk ka superioritet ndaj sistemit diktatorial.
    E thua edhe vete,”nostalgjia mbetet”.Tregon per mjekun Skender Zaimaj,per humanizmin
    e tij.Cilit brez i takon Mjeku Skender Zaimaj?Mbas luftes,shume intelektuale besuan ne
    idealet e majta,por formimi i tyre intelektual i takonte nje brezi tjeter dhe jo atij komunist.
    Produkt i formimit te intelektualit komunist, jan keta qe na qeverisin mbas 1990-tes,
    prandaj hiç mo ki nostalgji per ate koh,sepse “intelektualet” enverian e sollen kete kaos,
    moral dhe ekonomik.Te gjitha partite jan te majta,te gjitha luajn karten e nacionalizmit,
    pa qene kurre nacionaliste.Kili u ngrit ne kohen e diktatures se Pinoçetit!Paradoksale,ë?!
    Kili,ka sot mireqenien me te madhe ne Ameriken e jugut,korrupsionin me te vogel se sa
    shume vende perendimore,dhe kjo,fale nje diktatori!!!

  2. ferdi says:

    AJO koh edhe sikur ta duam nuk kthehet , por njerzit figurave me rendesi komtare duhet tja thon te keqiat por edhe te mirat qe ben per vendin dhe per kte popull , vetem keshtu do vihen ne pozit pune , batakçinjt e politikes sot , se kur ta degjojn dhe ta shikojn nga opinioni qe ENVERI ka ber shum gjera me te mira se te gjith kta bashk , e kur ta shikojn qe as nuk i afrohen asaj figure qe esht simboli ndershmeris punes edukimit dhe atdhedashuris , atehere ne do avancojm shpejt ne zhvillimin e vendit , por kur nje udheheqsi qe e kan jetuar te ter kohen e tij , e nxin dhe e sterrosin ne te gjitha drejtimet bile duke shpifur e shar , kta lloj politikanesh hajdut batakçinj maskarenj antishqiptar drogmen e te degjenerum ,ne si popull ndihemi te ofenduar , se duket sikur tallin bythen kjo lukuni injorantesh mashtrus me ndergjegjen e nje populli te ter , ne e kemi koshiencen si popull te dallojm te miren nga e keqja , ti mund te vesh bustin e zogut ne shesh se si palaço politikan tek ai gjen vetveten , por ne e njofim qe zogu ka ber njemij e nje te zeza dhe nuk pati nje gje te mir , por kemi jetuar dhe kohen e ENVERIT qe e shajn dhe e denigrojn me te pa drejt ne te gjitha aspektet , por te mirat ne ja kemi par ENVERIT si dhe te kqiat , por ne shikojm shum te mira tek figura atij burri shteti me shum se tek zogu , saliu iliri e kuta di un , nuk esht vetem ENVERI qe me politiken e tij beri luft klasash , ai denoj me vdekje tradhtaret e vendit ,kta te tjeret nga zogu e saliu me shok kan vrar atdhetar , njerez te pa fajshem te ndershem e njerez te mir dhe kan vrar njeqind her me shum seç vrau ENVERI , por kta therrasin ujku ujku se mbrapa i ndjek shpura mashtrusve te kohes gazetaret dhe studiot televizive te mbushura me njerez pa nder e moral qe per atdhe kan paran dhe as qe i ben pershtypje se denigrojn lloj lloj fgurash shtremberojn historin e nje vendi dhe drejtojn fmit e tyre drejt nje te ardhme pa krye , ku nuk do ket histori nuk do ket tradit , por do flasim per idhuj te pa vler do i japim vler siç i kemi dhe kto vite demokracie antivleres , ne si popull mendimin ton e japim cop siç e njofim nje fikur shteti , nuk druhemi se nuk jemi te shitur per te dhen mendimin ton , por themi ate qe ndjejm dhe ate qe kemi par e jetuar te verteten , sado qe politikanet sot me shpuren e batakçinjve te mendjas vizive e e shkrur nuk ndjehen rehat ne aq na ben.

  3. Mentari says:

    Rikthimi tek sundimi i monstres Enver as qe nuk mendohet dhe as qe nuk ka per te ndodhur por neve as sot dhe as neser apo kurdohere nuk mund te pranojme Riabilitimin e figures se tij te urrejtur,ketu eshte puna tek Riabilitimi dhe jo te rikthimi i pamundur te nje ish krimineli dhe antishqiptari me fame te keqe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *