"Teoria" e paqenë e shkeljeve kushtetuese me Plotfuqinë

20 Shkurt 2018, 20:28Politika TEMA

Loja politike me presidentin që vonon/refuzon autorizimin për nisjen e negociatave me Greqisë për kufirin detar nuk ka asjë shans të funksionojë.

Kjo, sepse kreu i shtetit nuk ka asnjë tagër të dalë mbi ligjin.

Së fundmi, një tjetër “teori” po zbulohet për t’i dhënë zë idesë se negociatat janë në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas kësaj “teorie”, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e vitit 2009, detyron marrjen e plotfuqisë pa bërë dallime nëse është autorizim, apo jo.

Mirëpo vendimi i Gjykatës është kufizues në pikëpamje ligjore, por ai nuk përbën bazë për nisjen e negociatave. Kjo edhe sepse vetë vendimi i Gjykatës shprehet qartë kur saktëson se për marrëveshjen e vitit 2009, “është krijuar praktika e mospajisjes së delegacionit shqiptar me plotfuqi, nëse pala tjetër në marrëveshje nuk e kërkon një gjë të tillë.

Gjykata vlerëson se ndjekja e një praktike të tillë rezulton të mos ketë bazë kushtetuese ose ligjore, pasi kemi të bëjmë me një veprim të paautorizuar nga organi, të cilit i takon kjo kompetencë”.

Mirëpo kjo praktikë i referohet negociatave mes dy palëve për një projektmarrëveshje, çka nuk është rasti.

Nga ana tjetër, qevria shqiptare ka nisur bisedimet me palën greke, duke patur për bazë kushtetuese, nenin 121 të Kushtetutës, ndërkonë që si bazë ligjore është ligji 43/2016 për Marëveshjet Ndërkombëtare, i cili në nenin 6 përcakton se funksione si Kryeministri, Presidenti apo ministri i Jashtëm nuk kanë nevojë për Plotfuqi. Në këtë kuptim bisedimet e deritanishme me Greqinë janë drejtuar nga ministri i Jashtëm i cili sipas ligjit të miratuar në vitin 2016 nuk ka nevojë për plotfuqi, ndërkohë që ajo po kërkohet në momentin kur palët do të ulen në nivel teknik.

Argumentimi i presidentit në përgjigjen e tij drejtuar qeverisë shqiptare është thellësisht politik nuk niset nga shqetësimi për procedurat.

Presidenti ka të drejtën e kontrollit kushtetues, por nuk mundet që të bëj gjyqtarin dhe drejtuesin e negociatave në një rast të tillë.

Referimi në masë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është spekullativ, sa kohë që autorizim kërkohet në bazë të ligjit përkatës dhe në fund fare, për firmosjen e marrëveshjes, presidenti do të ketë sërish të drejtën e dhënies së dakordësisë.

Në argumentin e gjatë presidenti i Republikës nuk duket se shqetësohet nga anashkalimi i prerogativave, por kërkon të legjitimojë një paragjykim mbi negociatat mbi të cilin luan hallexhiu Sali Berisha. Në çdo rast, pas letrës drejtuar Donald Trump për Jeruzalemin, kjo xarbë presidenciale është rasti i dytë që dëshmon karnavalizimin politik të presidencës nga Ilir Meta që në fund do ta japë autorizimin sepse kështu e sanksionon ligji.

Së fundmi duhet shtuar se qeveria aktuale nuk ka asnjë interes që të bëjë gabimin e vitit 2009 në momentin që pala greke ndryshoi qëndrim dhe pranoi negociimin e një marrëveshjeje të re. E konsideruar edhe kjo si arritje, nuk ka asnjë arsye që të dëmtohet me shkelje proceduriale të cilat për më tepër janë ripërkufizuar me ligjin e ri.(Respublica)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje