Disa rreshta për SHISH dhe presidentin!

22 Shkurt 2018, 20:04Blog TEMA

Nga Blend Çobani, Jurist*

Si fillim nuk kisha asfare ndërmend për të shkruar, por duke ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatave në vendin tim diçka së brendshmi nuk më linte të qetë ndaj vendosa aty për aty të prononcohem rreth një problemi, për mendimin tim i paprecedent për nga lloji e me sa shikoj i anashkaluar qëllimisht ashtu sikurse dimë ne të anashkalojmë problemet kur nuk na intereson. Tematika e problemit që do të trajtoj është e shkurtër teknikisht dhe mjaft e qartë ligjërisht.

Në fund tetorin e vitit që shkoi një lajm tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në Shqipëri por mendoj edhe të partnerëve ndërkombëtarë, ai i dorëheqjes së Drejtorit të SHISH. Deri këtu gjithçka normale, brenda kuadrit të marrëdhënieve individuale dhe institucionale në një sistem demokratik. Komentet dhe analizat e tejzgjatura që shoqëruan këtë zhvillim atëbotë janë gjë tjetër dhe nuk kam qëllim të merrem me ato, jo se nuk ja vlejnë por objekti i këtij shkrimi është gjetkë.

Më tej në zbatim të procedurës kushtetuese Kryeministri ndoqi ekzaktësisht hapat e duhura ligjorë, menjëherë paraqiti para Presidentit të Republikës, kandidaturën për zëvendësimin e drejtorit të mëparshëm që shkoi me dëshirën e tij. Si jurist po përpiqem të citoj pjesët respektive që i përkojnë këtij momenti juridik nga Kushtetuta e Republikës, neni 92, germa “f”, “me propozim të Kryeministrit, (Presidenti, shën.im) emëron drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit” dhe Ligji 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, në nenin 4 të tij shprehet “Shërbimi Informativ Kombëtar(i Shtetit, shën.im) është institucion qendror që varet nga Kryeministri”. Më poshtë në nenin 5 (i ndryshuar), të po këtij ligji, shkruhet se (fjalia e dytë e nenit shën.im), ..“Drejtori e zëvendësdrejtor i tij emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit”.

Citova paksa nga dy ligjet si më lart, për t’i ilustruar lexuesit të interesuar për temën që po trajtoj, se fryma ligjore në rastin e institucionit të SHISH., është ajo e varësisë institucionale dhe proceduriale e linjës qeveritare dhe rrjedhimisht e Kryeministrit si drejtues i saj. Kjo është dhe nuk ka asgjë tjetër. Në përshkrimet ligjore dhe komentet shoqëruese, të cilat për fat të keq ngarkohen shpesh me keqdashësi politike apo ndonjëherë edhe për shkak të mosnjohjes së kuadrit ligjor në thellësi, për ne juristët kjo është e qartë dhe nuk ka asnjë mëdyshje se ky institucion qendror është në varësi të qeverisë dhe të askujt tjetër. Komentet e shpeshta të hedhura në hapësirën mediatike dhe jo vetëm, se SHISH është institucion i pavarur apo i një natyre të veçantë, bien lehtësisht poshtë duke lexuar me pak vëmendje referencat ligjore të cituara më lart. Personalisht nuk di ndonjë vend të botës ku shërbimi sekret të jetë i pavarur apo të ketë një varësi të papërcaktuar ligjore, e të tjera si këto!

Ashtu sikurse edhe në vendet e tjera demokratike, këto shërbime janë në varësi direkte të Kryeministrit në rastin e republikave parlamentare si kjo e jona ose Presidentit në rastin e republikave presidenciale si në rastin e SHBA, duke mos shmangur me këtë rast kontrollin parlamentar. Kjo është me pak fjalë korniza ligjore brenda së cilës operon institucioni i SHISH.

Tani po kthehem tek problemi. Siç përmenda më lart Kryeministri i paraqiti Presidentit të Republikës, propozimin e z.Helidon Bendo për Drejtor të SHISH, asokohe në detyrën e Zv/drejtor i SHISH. Pavarësisht se çfarë shkruajti shtypi ynë me këtë rast, unë personalisht gjej rastin të falenderoj Kryeministrin për këtë kandidaturë mjaft të gjetur profesionalisht dhe procedurialisht. Lind menjëherë pyetja: Pse!? Unë do të përgjigjem në dijeninë time me dy pika, e parapërkatësiae kandidatit, i cili përfaqëson pa asnjë mëdyshje komunitetin e punonjësve të SHISH, pjesë e të cilit është vetë ai që prej 25 vjetësh(mund të them se aktualisht është njëri prej punonjësve më të vjetër dhe më me eksperiencë në SHISH), moment për të cilën ky institucion ka vuajtur gjithmonë, duke i emëruar herë pas here në krye të tij njerëz politikë e pa asnjë lidhje me komunitetin e shërbimeve sekrete dhe e dytapërvoja dhe kontributi i tij, duke qenë për një kohë mjaft të gjatë drejtues i strukturave të cilat janë “ndeshur” përballë me faktorë mjaft të fuqishëm destabilizues jo vetëm për vendin tonë por edhe për partnerët e aleatët tanë strategjikë në bashkëpunim të ngushtë me këta të fundit. Si person bëj pjesë në atë grup shqiptarësh që besojnë tek instinkti amerikan në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve dhe tek Amerika, e në këtë rast z.President ju siguroj që gjithçka është përputhur më së miri. Ju e njihni më mirë se unë kontributin e jashtëzakonshëm shumëplanësh amerikan në fushën e sigurisë kombëtare dhe në përgjithësi në forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri, i cili vazhdon sot e kësaj dite me po atë vrull e dëshirë.

Pra me pak fjalë z.Bendo, si drejtues i propozuar vjen nga arena e betejës reale për sigurinë kombëtare dhe jo nga sallonet akademike apo ambientet e politikës. E parë në këto plane ngurtësisht teknike kandidatura e propozuar paraqitet mjaft dinjitoze dhe e pakundërshtueshme në asnjë detaj (për hir të së vërtetës si asnjëherë më parë duke qenë njëherazi edhe një arritje për SHISH, që në këto vite tepër të vështira pune dhe sakrifice si institucion rriti e formoi kuadro të tillë).

Në vazhdim të sa më lart mendoj se kjo do të mjaftonte plotësisht që propozimi i Kryeministrit të ishte miratuar pa asnjë dilemë nga Presidenti i Republikës, të cilin këtë të fundit, Kushtetuta e Republikës e detyron gjithsesi të firmosë, duke mos i atribuar atij asnjë dispozitë penguese për “testim apo rrëzim kandidaturash, e të tjera” si këto. Aq më shumë ngatërrohet situata nga elokuimi mediatik këtij veprimi (mosemërimi) që i bën vetë Presidenti i Republikës në disa shfaqje të tij publike, duke deklaruar se “…është duke vëzhguar dhe i duhet të bindet për vendimmarrjen e tij, e të tjera..”!!!!! Në këtë mënyrë situata ngjyroset politikisht dhe asgjëson shpjegimin teknik që duhet ta shoqëronte. Këto deklarata unë i pasoj me një reagim të thjeshtë ligjor në formë pyetje, se me anë të cilit instrument kushtetues apo të ndonjë ligji tjetër Presidenti i Republikës justifikon bllokimin e paprecedent të emërimit të Drejtorit të SHISH?!

Në procedurë këto deklarata(prononcime) të Kreut të Shtetit lënë shijen e një lloj tendence institucionale për kontroll mbi SHISH(qofsha gabuar), gjë e cila përsëri bie ndesh me Ligjin 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, i cili e përcakton qartësisht në nenin 7 të tij, edhe se cili institucion kushtetues kontrollon veprimtarinë e SHISH e rrjedhimisht drejtuesin e tij. Tani na pëlqen apo jo kjo është fusha e shahut, korniza ligjore kushtetuese në Republikën tonë parlamentare, në vlerësimin tim mjaft e qartë. Ligjvënësit e të gjitha legjislaturave në këto vite përfshirë edhe Presidentin aktual, që e kanë ndryshuar dokumentin themeltar të Shtetit Shqiptar sa herë kanë dashur dhe për njëmijë e një shkaqe, nuk e kanë quajtur të arsyeshme( ose të nevojshme) ndryshimin e germës “f” të nenit 92 (qoftë edhe në tërësi si nen). Le të prononcohet një jurist i së drejtës kushtetuese dhe të komentojë ligjërisht pse dhe në cilat dispozita kushtetuese ose të tjera ligjore mbështetet Presidenti i Republikës që prej afro katër muajsh nuk miraton propozimin e Kryeministrit për Drejtorin e SHISH!? Këtë personalisht e konsideroj sfidë profesionale.

Duke vazhduar me leximin dhe kuptimin e Pjesës së Katërt, Presidenti i Republikës, neni 86 e vijues i Kushtetutës së Republikës, në asnjë rrjesht ekzaktësisht nuk citohet ndonjë kompetencë bllokuese për efekt verifikimi të figurës dhe veprimtarisë së personave që i propozohen këtij të fundit(Presidentit shën.im) nga institucionet e tjera kushtetuese për pozicione të ndryshme shtetërore. Madje më poshtë në nenin 96, i cili përmbyll Pjesën e Katërt të Kushtetutës, citohet “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.

Në kuptim të këtij neni dhe frymës ligjore edhe Ligji 8391, datë 28.10.1998, “Për funksionimin e Shërbimit Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, mbetet në këtë linjë referuar dispozitave si më lart cituar.

Si qytetar i Republikës, jurist dhe shqiptar, i ndërgjegjshëm plotësisht për rëndësinë e jashtëzakonshme të kësaj situate të krijuar, me përulësi ligjore por edhe personale e profesionale, ju drejtohem me kërkesën e thjeshtë e të qartë, “I nderuar z.President, qëndroni larg bllokimit dhe emëroni Drejtorin e SHISH”. Kjo jo për të mirën e privilegjin e Drejtorit apo të Kryeministrit, por për të mirën dhe privilegjin e Shqipërisë dhe interesave të larta kombëtare. Ju si shtetar me përvojë tashmë, që keni shërbyer në mjaft pozicione drejtuese parlamentare e qeveritare, së fundmi edhe si Kryetar i Shtetit Shqiptar, pika 1, neni 86 i Kushtetutës së Republikës, si pakkush në Shqipëri e dini mjaft mirë çfarë do të thotë që një vend si i yni prej një kohe relativisht jo të shkurtër të mos ketë Drejtor të SHISH, të emëruar. Kjo parë mprehtësisht edhe në plane të tjera rajonale e globale, duke patur parasysh në çdo moment se Shqipëria sot është anëtare me të drejta të plota e Aleancës së Atlantikut Verior, por jo vetëm me të drejta por edhe me detyrime të mëdha. Një rast i tillë z.President, në dijeninë time nuk ka ndodhur në asnjë prej vendeve anëtare të kësaj Organizate, të paktën këto 20 vitet e fundit. Iniciativat bllokuese, penguese ose zhvleftësuese në rastin e zvarritjes institucionale, të pa mbështetura dhe të pa argumentuara ligjërisht nuk i shërbejnë interesave kombëtare, aq më pak Presidentit të Republikës. Megjithatë në rekordet historike institucionale të Shqipërisë u regjistrua edhe ky precedent, i cili i mungonte historisë e për hir të së vërtetës nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë.

Për paralelizëm kam prirjen për të mos ju krahasuar me paraardhësin tuaj dhe incidentin e turpshëm që ai shkaktoi në rastin e diplomatit Visar Zhiti.

Si përfundim shpresoj më së shumti në ndërgjegjen tuaj si shtetar dhe që Ju në zbatim të detyrimeve ligjore e frymës kushtetuese, do të miratoni propozimin e Kryeministrit të Republikës për emërimin e Drejtorit të ri të SHISH. Si një qytetar i zakonshëm i Shqipërisë, me gjini ndërgjegjje kombëtare e profesionale refraktare, u përpoqa në këto rreshta të pronocohem në mënyrë modeste rreth diçkaje që për mendimin tim është në nivel dhe përgjegjësi Kombëtare. SHQIPËRIA mbi gjithçka, apo jo z.President?!

*Posaçërisht për Javanews.al

8 komente në “Disa rreshta për SHISH dhe presidentin!”

  1. Futja kot says:

    Po si do te faktorizohet i ziu qe i kane mbetur vetem çelsat e kashtes. Meta eshte nje individ aq negativ sa qe.dhe kur nuk ka gje ne dore shikoni se çben. Lere sikur te kidhte gje ne dore. Mos prit gje te mençur nga ky njeri qe te turperon ne çdo rast. Me baxhellen qe ka ne shtepi ky personazh çmund te presesh.Fatkeqesi per.kete katundar president leshi qe kemi.

  2. Respekte z. Blend Cobani! Eshte fatkeqesi qe ne krye te shtetit qendron nje shqiptar i politizuar dhe qe eshte i implikuar ne shume felloqesira ne keto 27 vjet. Koka e ketij Presidenti nuk po meret vesh se c.bluan dhe ende nuk e dime ku e ka fundin. Na ka lene nje njolle qe do te mbahet mend gjate. Ai le te beje sio t.i doje kokrra e qejfit, por kam mendimin se cka ai po ben e ka per koken e tij, pra qe do te kete nje fund tragjikomik.

  3. Viro says:

    Arsyetimi I sakte po kujt I drejtohesh. Eshte si thoni ju, hera e pare qe pas vitit 1990 ne krye te SHISH propozohet nje specialist nga institucioni, I suksesshem dhe qe nuk ka lidhje me politiken. Po a e njihni Ilir Meten, ai nuk do njerez te paster e punetore. Si pazarxhi qe eshte ai do tepsine, kerkon qe drejtorin ta kete te vetin e te beje me te ca pazare per te futur ne SHISH njerezit e vet.

  4. Kleidi says:

    Kot pyetje kam une, kur mungon drejtori nuk e zevendeson nendrejtori? Pra thjesht me emer nuk eshte drejtor se ai e ka drejtimin. Apo e kam gabim?

  5. Adi says:

    Mosemërimi i z. Bendo është shenjë e qartë që Presidenti do të bëjë pazar me këtë post si edhe të marrë garancira nga SHISH se nuk do të ketë telashe, të pakëtn nga SHISH, në të ardhmen. Mbase Presidenti kërkon që të ketë të tijin zëvendës drejtorin e ri të SHISH apo inspektorin e përgjithshëm, persona që sipas faqes zyrtare të SHISH jane personat drejtues kryesorë.

  6. ORE ZOTI JURIST ,PO I BIE SHKURT.
    META TE GJITHE KETE KATRAHURE E BEN SI KUNDRAPEDAL NDAJ RAMES.
    KJO ESHTE E THJESHTE PER TU KUPTUAR.
    AI NUK KA ASNJE PROBLEMATIKE ME DREJTORIN E CAKTUAR NGA RAMA SI INDIVID SE PER KETE NUK KA TAGER TE MARRE PJESE PER PAZARET E EMERIMIT.
    NE KETE RAST NUK BEN DOT PAZARE SI ME BERISHEN NE RASTIN E PROKURORIT TE PERGJITHSHEM.
    MEQENESE KETO PAZARE ME RAMEN HUMBEN NJEHERE E MIRE SHANSIN PER TU BERE ATEHERE AI TREGON KOKEN E MALOKUT TE SKRAPARIT SIC EDHE E KA SHPREHUR VETE.
    JA PIKERISHT KETU ESHTE MOMENTI QE POPULLI TE SHIKOJE POR DHE TE GJYKOJE SEC MUND TE VIJE NGA KOKE MALOKET TANE QE NA KANE RENE PER PJESE NE POLITIKE DHE NE VENDIM MARRJE TE RENDESISHME.
    BILE BILE KETA KOKE MALOKET TANE KANE GUXIMIN TE MOS JAPIN OK EDHE PER CESHTJE TE TJEREA SIC ESHTE KJO E FRESKETA PER MARREVEHJEN ME GREKET PER DETIN
    KE SHKRUAR MJAFT ME ARGUMENTE DHE SQARIME LIGJORE SI PROFESIONIST DHE MIRE KE BERE SE JE NJOHES I LIGJIT DHE TE DHEMB MOSZBATIMI I TIJ POR KUJT JA THUA.
    TEK NE ENDE POLITIKANE TE KETIJ “KALIBRI” ECIN ME MENDESINE E KOMPROISEVE DHE LESHIMEVE NE RRAFSHE TE TJERA NE KURRIZ TE NORMALITETIT TE SHQIPERISE.
    DHE NE RASTIN KONKRET NGA ANA E PRESIDENTIT ESHTE MOSZBATIMI I PROCEDURAVE LIGJORE TE TIJ PRA ESHTE THJESHT NJE VEPRIM TEKNIK QE DO E BEN E DO SE BEN SIPAS KOKE MALOKUT NGA SKRAPARI A THUA SE PO KULLOT BAGETITE NE RREZE TE TOMORRICES DHE DO I KULLOT E DO SI KULLOT DELET NE MAL.

  7. O says:

    Të dyja janë në hapa modernizimi

  8. Gri says:

    Pyesni njehere Tit Vasilt, se ai di mire keto punet e kusbtetutes! Po ka experience emerimi te Lsi, q e emeroi dhe shkarkoi pas nje muaji si Kryetarr LSI. Sigurisht duke aplikuat parimin qe ngjan si parim mafioz ” me qetesi dhe dashuri”.
    Rama avash avash po e sistemon, sipas parimit qe vlen edhe per Lirin, ” qe ska pare gje akoma”.
    Ndjesia e deritanishme flet per nje president sh te dobet, person me karakter te ulet, jo i hapur qe fshihet pas sofizmazsh ligjore, per te realizuar goditje personale ndaj km,etj. NISHANI TE PAKTEN ISHTE BALLOR, DHE NE KETE KUPTIM QENDRON ME LARTE SE KY I TANISHMI.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje