ANALIZA: Deeuroizimi me dy anët e medaljes, garancia e Bankës së Shqipërisë dhe alarmi i eksportuesve

Paketa e masave për deeuroizimin hyri në fuqi, teksa efektet e para u dhanë në kursin e këmbimit, ku euro humbi 0.5 pikë javën kur u deklaruan masat, si pasojë e ndikimit psikologjik.

Në të kundërt të zhvillimeve, deeuroizimi synon të ulë me vetëm 10% përdorimin e euros kryesisht duke shmangur huatë në valutë për ata që kanë të ardhurat në lekë. Masat do të nxisin investimet në euro të bankave jashtë vendit dhe do të dekurajojnë ardhjen e kursimeve të emigrantëve.

Banka e Shqipërisë garanton se efektet do të jenë neutrale, por ndërkaq eksportuesit janë vënë në alarm për dëmet që po krijon nënçmimi i euros

Blerina Hoxha

Ka ardhur momenti i marrjes së kredisë, por Dorina preferon kontratën në euro. Interesi është gati 2 pikë përqindje më i ulët në krahasim me lekun dhe gjithashtu, kursi i këmbimit e favorizon për shlyerjen e kësteve. Ajo e ka vendosur dhe nuk po e dëgjon aspak analisten e bankës që i thotë se, në të ardhmen mund të përballet me rreziqe. Normat e interesit që tashmë kanë prekur fundin janë drejt rritjes, ndërsa një forcim i mundshëm i euros në kursin e këmbimit në të ardhmen do t’ia bëjë këstet mujore më të shtrenjta.

Dorina është punonjëse në administratë dhe të ardhurat i ka në lekë, ndaj këstet mujore të kredisë prej 45 mijë eurosh vitin tjetër mund të jenë shumë të larta, vetëm për shkak të rikthimit të euros në kuotat normale të këmbimit. Si ajo, edhe shumë kredimarrës të tjerë, më së shumti biznese, i janë rikthyer sërish kreditimit në valutë, duke rritur në këtë mënyrë ekspozimin ndaj rreziqeve që vijnë nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit.

Kreditimi në valutë po stimulohet nga rritja në nivele rekord e depozitave në euro. Në fund të vitit 2017, kursimet në valutë të sektorit privat shënuan 53% të depozitave të përgjithshme, duke shënuar rekord historik. Gjatë pesë viteve të fundit, vlera e depozitave në valutë është rritur me 25%, ndërsa vlera e depozitave në lekë u rrit me 8%. Euroizimi po stimulohet edhe nga politikat e qeverisë për të financuar borxhin e brendshëm në euro, duke nxitur mbajtjen e kursimeve në këtë monedhë për qëllime të investimeve në eurobono.

Këto tendenca drejt rritjes së përdorimit të euros e kanë vënë nën presion stabilitetin financiar dhe transmetimin e politikës monetare, por më së shumti ka shtuar rrezikun mbi qytetarët që marrin kredi në euro dhe ekspozimin e tyre nga ndryshimet në kursin e këmbimit në të ardhmen. Ndaj Banka e Shqipërisë ka vendosur të veprojë. Një paketë masash rregullative, e cilësuar paketa e “deeuroizimit”, është prezantuar së fundmi nga Guvernatori Genti Sejko. Nëpërmjet saj, fillimisht synohet frenimi i dhënies së kredive të reja në euro të pambrojtura nga kursi i këmbimit. Kjo nënkupton që kredimarrësit, të cilët nuk e kanë rrogën në euro, nuk duhet të marrin kredi në euro. Depozitat do të dekurajohen, duke rritur përqindjet e rezervave në euro.

Në një rast hipotetik për 100 euro depozitë, banka do të ngurtësojë në bankën qendrore 12.5 euro në formën e rezervës së detyrueshme nga 10 euro që depozitonte më parë, duke pasur më shumë kosto. Ndërsa për çdo 100 lekë depozitë, me paketën e re të masave, banka do të mbajë rezervë vetëm 7,5 lekë nga 10 lekë që mbante aktualisht, duke ulur koston e mbajtjes së monedhës vendase.
Masa tjetër lidhet me rritjen e normave të likuiditetit në valutë, jo më pak se 20% e detyrimeve afatshkurtra në valutë nga 15% që ishte deri para hyrjes në fuqi të paketës.

Këto masa synojnë të rrisin kostot për bankat që kanë nivel të lartë depozitash në euro, teksa për monedhën vendase janë shtuar lehtësitë.
Në një stad të mëvonshëm në bashkëpunim edhe me ente të tjera të qeverisë, synohet që të ulet vëllimi i transaksioneve në euro në ekonominë reale. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave firmosën një memorandum mirëkuptimi për deeurozimin e ekonomisë. Sipas marrëveshjes, qeveria do të kontribuojë në këtë proces duke ulur informalitetin dhe duke kufizuar transaksionet në valutë në ekonominë reale, ndërsa Banka e Shqipërisë do të jetësojë rregulloret që demotivojnë bankat e më pas qytetarët të përdorin euron për depozita dhe kredi. Kjo nismë nuk bazohet në arritjen e disa treguesve sasiorë, por efektet e para, ndoshta të papritura janë dhënë në kursin e këmbimit.

Që kur plani i deeuroizimit është prezantuar publikisht, tregu i këmbimit pati një sjellje nënçmuese për euron me mbi 0.5 pikë, edhe pse zhvillimet ndërkombëtare çuan kuotat më të larta të këmbimit të euros me USD në tre vitet e fundit. Kjo situatë e re nuk u shkon aspak për shtat eksportuesve shqiptare, fitimet e të cilave janë cenuar nga vlerat e ulëta të këmbimit euro lek. Gjergj Liqejza, një biznesmen me përvojë në sektorin e fasonit, i cili nëpërmjet kompanisë së tij MADISH prodhon për markat e njohura ndërkombëtare Triumph dhe Beneton, pohoi se kursi i këmbimit po shkakton humbje serioze. “Aq sa zhvlerësohet euro në kursin e këmbimit, në të njëjtën masë janë edhe humbjet tona, pasi ne shitjet i kemi në euro, por të gjitha pagesat i kemi në lekë, – shtoi ai.

Vitin e kaluar, kur Banka e Shqipërisë prezantoi planin, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo, tha se është dakord që “euroizimi” është një çështje që sjell shumë rreziqe, si p.sh., efektiviteti i politikës monetare dhe rreziku i kursit të këmbimit, që ndërmerren si nga qytetarët, ashtu dhe nga njësitë ligjore. “Por, ndërsa është e lehtë të konstatosh këtë problem, është shumë më e vështirë që të gjesh zgjidhjen”.
Në opinionin e tij, problemi kryesor ka të bëjë me faktin që shqiptarët parapëlqejnë që të mbajnë kursimet e tyre në euro, duke e konsideruar atë si një monedhë të fortë.

“Personalisht nuk e ndaj këtë përqasje, pasi gjithnjë duhet të kemi parasysh që, nëse nuk i mbani kursimet në monedhën vendase, shumë shpejt do të ekspozoheni nga rreziku i kursit të këmbimit; shqiptarët duhet të kuptojnë që 2-3 vitet e fundit, leku është vlerësuar në mënyrë konstante kundrejt euros dhe dollarit, duke nënkuptuar se shqiptarët që i mbajnë kursimet e tyre në euro, kanë humbur tashmë para”.
Një vrojtim i Bankës Qendrore Europiane tregon se agjentët financiarë në rajonin e Ballkanit vazhdojnë të parapëlqejnë përdorimin e euros në vend të monedhës së tyre kombëtare, kryesisht për arsye të cilat lidhen veçanërisht me besimin. Në një studim të publikuar së fundmi, “Roli Ndërkombëtar i Euros”, BQE referon se preferenca për euron është veçanërisht e lartë në Shqipëri dhe Maqedoni.

Deeuroizimi, përpjekjet 6-vjeçare

Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë, e shqetësuar se Shqipëria po euroizohej me shpejtësi, sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj (banka hoqi remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve). Në atë kohë, kredia për ekonominë në valutë përbënte 65% të totalit, ndërsa pesha e depozitave ishte 48.3%.

Kur kanë kaluar 6 vjet, bankat rezulton që e kanë pasur më të lehtë të frenojnë huadhënien në valutë. Në fund të 2017-s, pesha e kredisë në monedhë të huaj zbriti në 50.4%, pra gati me 15 pikë përqindjeje. Por kjo nuk ka ndodhur me depozitat në valutë, të cilat janë rritur me 25% në pesë vitet e fundit, të cilat në fund të vitit 2017 përbënin 53% të totalit. Këtë herë, Banka e Shqipërisë vendosi të veprojë më agresivisht. Përveç dy masave të reja që synojnë rritjen e kostove për aktivet në euro, ka parashikuar një fushatë sensibilizuese ndaj grupeve të interesit për t’i orientuar ato drejt rritjes së përdorimit të lekut.

Masa e parë merr në konsideratë ndryshimin e normës së rezervës së detyrueshme. Më konkretisht u përcaktua rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë në nivelin 12.5% nga 10% që ishte para këtij vendimi. Gjithashtu u ulën detyrimet për mbajtjen e rezervës së detyrueshme në lekë në nivelin 7.5% nga 10% që ishte. Për bankat, ku detyrimet në valutë zënë më shumë se 50% të detyrimeve totale, norma e rezervës së detyrueshme në valutë rritet në 20%.

Masa e dytë rrit kërkesën minimale rregullative për vlerën e aktiveve likuide në valutë. Më konkretisht, për aktivet likuide në valutë do të kërkohet që të jenë jo më pak se 20% e detyrimeve afatshkurtra në valutë (ishte 15%), ndërsa për aktivet likuide në lekë, niveli i raportit do të ruhet në 15%.

Masa e tretë lidhet me rritjen e ndërgjegjësimit të huamarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Më konkretisht, bankave do t’iu kërkohet që: t’i propozojnë huamarrësit një kredi alternativë në lekë; ta pajisin atë me një shembull konkret se si ndryshon kësti i kredisë në rastin e nënçmimit të lekut (me vlera të përcaktuara); të ofrojnë opsionin për përdorimin e mekanizmave që zbusin rrezikun e kursit të këmbimit për kredimarrësin, në rastin kur plotësohen kushtet për të cilat kanë rënë dakord banka dhe huamarrësi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, me një material kërkimor posaçërisht për euroizimin në Shqipëri, vlerësoi se euro zë 35% të transaksioneve cash, teksa bankat kanë më shumë se 50% të aktiveve në valuta dhe asnjëra prej tyre nuk e kanë analizën e kostove. FMN ka gjetur se ekonomia shqiptare e përdor euron 10% më shumë se niveli optimal, ndaj dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, synon që të sjellë nivelin e përdorimit të euros në nivele të pranueshme.

Kostot e çmontimit

Shqipëria ka burime të mëdha dhe sistematike të furnizimit me valutë prej prurjeve të emigrantëve, të ardhurave nga turizmi dhe ekonomisë së zezë. Prurjet nga këto burime janë në euro dhe kjo ka nxitur më së shumti prezencën e valutës në ekonominë tonë, pa veçuar këtu se Shqipëria realizon 65% të tregtisë me vendet e Bashkimit Europian.

Për pasojë, niveli i lartë i euros cash në ekonominë reale ushtron presion tek bankat për të depozitat në valutë e për rrjedhojë edhe kreditë. Mirëpo bankierët janë të shqetësuar, pasi rritja e kostove për euron do të stimulojë mbajtjen e llogarive jashtë vendit.

Mënyra e vetme për të investuar kursimet në euro do të jetë depozitimi i tyre jashtë vendit. Gjithashtu shumë emigrantë që deri më tani ishin të prirë për të ruajtur kursimet e tyre në bankat shqiptare për shkak të interesit më lartë, tani do të priren t’i mbajnë në bankat e vendeve ku jetojnë. Mirëpo Banka e Shqipërisë e ka analizuar këtë skenar dhe në një prononcim të posaçëm për Monitor sqaroi se rreziku në këtë drejtim është zero. “Së pari, sektori bankar shqiptar e ka provuar veten të aftë të tërheqë kursimet e qytetarëve, edhe pse në prani të një niveli tejet të ulët të normave të interesit, si pasojë e kursit të politikës monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore Europiane.

Së dyti, sektori bankar shqiptar ka ofruar në vazhdimësi norma më të larta interesi se sektori i huaj bankar, dhe kjo pasqyron faktin se, si një ekonomi në zhvillim, ekonomia shqiptare vijon të ofrojë kthime më të larta për investimet mbi aktivin. Ndikimi i kësaj mase nuk mund kurrsesi të ndryshojë këtë dinamikë”, sqaroi banka.

Mirëpo një efekt më i shpejtë dhe jo aq dëshirues duket se u dha në kursin e këmbimit. Prezantimi me bujë i paketës së “deeuroizimit” nga Banka Qendrore ndikoi psikologjikisht tregjet. Rënia e valutave në tregun e brendshëm ka vijuar me shpejtësi javën që shkoi. Euro humbi -0.57 pikë në tregun vendas që nga data 8 shkurt kur Banka e Shqipërisë prezantoi paketën e masave, ndërkohë vlera e saj është rritur në bursa. Valuta europiane në tregun shqiptar të këmbimit arriti nivelin më të ulët që nga dhjetori, teksa në tregun ndërkombëtar, një euro po këmbehet me 1.25 dollarë, niveli më i lartë i tre viteve të fundit.

Ekspertët e agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend pohuan se arsyeja kryesore e rënies së vazhdueshme lidhet me efektin psikologjik të deklarimeve të Bankës së Shqipërisë për fushatën që ka ndërmarrë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi. “Vijnë e më pyesin shumë njerëz se çfarë do të ndodhë dhe nuk e kuptojnë realisht se çfarë do të ndodhë, por kanë dëgjuar deklarimet në media të Bankës”, thonë një prej ekspertëve. Ai thotë se shqetësime kanë ngritur edhe emigrantët, të cilët marrin të afërmit e tyre në telefon, ndërsa ka dhe nga ata që duan të kthejnë depozitat në lekë.

Rënia e vlerës së euros i ndikon negativisht eksportet dhe stimulon më tej importet. Euro u zhvlerësua me rreth 4 pikë vitin e kaluar, ndërsa që nga muaji shkurt i këtij viti ka rënë edhe me 0.8 pikë, teksa eksportuesit kanë dhënë alarmin se mallrat e tyre po bën më pak konkurruese. Fitimet e tyre janë ulur për shkak se me të njëjtën sasi eurosh ata marrin më pak lekë kur i këmbejnë në tregun vendas. Biznesmeni i sektorit të fasonit, Gjergj Liqejza, tha se eksportet shqiptare po bëhen gjithnjë e më pak konkurruese, për shkak të taksave të larta dhe kostove që po sjell kursi i këmbimit. Por nga ana tjetër, ndërmarrja e tij po zgjeron kontratat reja me kompani prestigjioze, për shkak të përvojës së gjatë dhe cilësisë që ofron në prodhimin e produkteve cilësore.

Rreziqet e huasë në euro

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë rezultoi 6.8% në tremujorin e fundit të vitit 2017, ndërsa interesi për kreditë e reja në euro ishte 4.3%. Diferenca prej 2.5% në normën e interesit e bën euron më të preferuar, edhe pse ajo është ngushtuar dukshëm pas krizës së vitit 2008. Në vitin 2011, euro arriti kuotën më të lartë të këmbimit me rreth 142.5 lekë, nga 123.2 lekë që ishte mesatarisht në vitin 2008.

Rritja me 15 pikë në harkun e kohor të katër viteve e rriti jashtëzakonisht vlerën e kësteve mujore për kreditë në euro ndaj huamarrësve që kishin pagat në lekë, kosto e cila u amortizua nga rënia e normave të interesit për huatë në euro. Mirëpo e njëjta situatë rrezikon të përsëritet për shkak se euro është nënçmuar sistematikisht dy vitet e fundit kryesisht për faktorë të brendshëm. Në rast të rikthimit të këmbimit të euros në kuota normale, këstet e kthimit të kredisë do të rriten, teksa ulja e normës së interesit është konsumuar.

Duke demotivuar kredinë në euro, Banka e Shqipërisë synon të minimizojë humbjet që mund të kenë bankat dhe individët nga rritja e shpenzimeve për shërbimin e kredisë në euro. Gjithashtu duke stimuluar përdorimin e lekut, Banka e Shqipërisë do të jetë më efektive në politikën e saj monetare. Banka e ka çuar në minimum historik normën bazë të interesit për lekun në vetëm 1.75%, me qëllim për të lehtësuar huanë për ekonominë. Mirëpo teksa kjo politikë e ka nxitur disi kreditimin në lekë, i cili u rrit me 8% në tremujorin e fundit të vitit 2017, efektiviteti i politikës monetare bëhet nul për pjesën e kredisë në valutë.

Banka e Shqipërisë referon se në stokun e kredive, mbizotërojnë kreditë për ndërmarrjet (biznesin), ku pjesa më e madhe e tyre mbetet në valutë. Ndër to, ekspozimin më të madh ndaj rrezikut e kanë kreditë në valutë, ku të ardhurat e subjektit huamarrës janë në lekë (kreditë e pambuluara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit), të cilat përbëjnë rreth 25% të portofolit të kredive për biznesin. Prirja për kredimarrje në valutë tek bizneset, vijon edhe tek kreditë më të reja, ndërkohë që për individët, kreditë e reja kanë qenë kryesisht në monedhën vendase.

Dëmi nga euroizimi

Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një studim të posaçëm për Shqipërinë, llogariti se kostot nga përdorimi i lartë i euros në vendin tonë në një vit janë 6 miliardë lekë (45 mln euro). Ky vlerësim llogaritet nga humbja e të ardhurave të seigniorazhit (të ardhurat nga Seigniorage janë diferenca midis vlerës së parasë dhe kostos për ta prodhuar atë).
FMN e llogariti vlerën e humbjes sipas metodologjisë në aspektin e të ardhurave të munguara, që kanë të bëjnë me ndryshimet vjetore në stokun e kartëmonedhave të huaja në qarkullim.

Por humbja e seigniorazhit vlerësohet nga perspektiva e bilancit të Bankës Qendrore. Përdorimi i kartëmonedhave të huaja redukton përdorimin e kartëmonedhave të monedhës vendase. Fondi përllogarit se euro zë 35% të përdorimit në qarkullimin monetar në Shqipëri, ose rreth 172 miliardë lekë. Përveç kësaj, pjesa domethënëse e depozitave në euro e detyron Bankën Qendrore të mbajë më shumë rezerva në valutë për të adresuar nevojat emergjente për likuiditet në valutë.

Nga ana tjetër, rezervat valutore pakësojnë nevojat e rifinancimit të sistemit bankar dhe cenojnë madhësinë e aseteve. Fondi vlerëson se Banka e Shqipërisë do të shmangte një kosto rreth 3 miliardë lekë nga mbajtja e rezervave në valutë.
FMN vë në dukje se, bankat nuk kanë bërë asnjë analizë që merr në konsideratë goditjet e dyfishta që mund të vijnë nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit.

Gjithashtu për familjet nuk ka asnjë studim në lidhje me rrezikun e nënçmimit të kursit të këmbimit në aftësinë paguese të huamarrësit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, nga këndvështrimi i politikave ekonomike dhe financiare, një nivel i lartë i euroizimit në sektorin bankar mund të shoqërohet:

Së pari, me ulje të efektivitetit të politikës monetare të Bankës Qendrore. Kjo ndodh për shkak të tkurrjes së dy prej kanaleve të rëndësishme të transmetimit të saj, siç është kreditimi në monedhën e vendit dhe përdorimi i kursit të këmbimit si instrument automatik i stabilizimit financiar dhe ekonomik. Kjo e dyta lidhet dhe me rritjen e kostove oportune që lidhen me madhësinë dhe mënyrën e përdorimit të rezervës valutore;

Së dyti, me shtimin e rreziqeve për stabilitetin financiar. Më konkretisht, bëhet fjalë për ekspozimin e aktorëve të tregut dhe klientëve të tyre ndaj rrezikut të kursit të këmbimit; për mungesën e instrumenteve efektive për trajtimin e një situate stresi në sistemin financiar, që buron nga ekspozimi i lartë ndaj veprimtarisë financiare në valutë.
Në përgjithësi, në rang ekonomie, përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera.

Rasti i Hungarisë, humbjet që krijoi kreditimi në valutë

Kreditë në valutë të huaj në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore ishin një formë mjaft e zakonshme e huadhënies deri në krizën e vitit 2008-2009. Hua të tilla të marra kryesisht në franga zvicerane, u bënë burim i madh financimi në Hungari, Poloni dhe Kroaci. Në Hungari, kreditë në franga zvicerane (CHF) arritën në 10,6% të PBB-së, në Poloni 7,4% në fillim të viteve 2009, sipas të dhënave nga bankat kombëtare të vendeve përkatëse.

Për shkak të nivelit më të ulët të normave të interesit, monedha kryesore e huamarrjes u bë franga, e cila ka qenë një monedhë referimi për Poloninë dhe Hungarinë për huadhënie. Kështu, sektori bankar në të dy vendet u ekspozua ndaj rrezikut të lartë të kursit të këmbimit dhe normave të interesit.

Rreziku që erdhi nga kursi i këmbimit u materializua shumë shpejt në Poloni dhe më pas në Hungari. Nga viti 2011, kursi i këmbimit të CHF / PLN dhe CHF / HUF u rrit ndjeshëm nga nivelet historikisht minimale e për rrjedhojë këstet e huamarrësve u rënduan në mënyrë dramatike. Kjo situatë e detyroi Bankën Kombëtare të Hungarisë dhe bankat tregtare të zbatojnë planet e konvertimit të detyrueshëm të kredive në monedhë të huaj në monedhën vendase. Më këtë rrezik u përballën vendet me regjim të lirë të kursit të këmbimit, teksa u vu re se një rrezik i tillë nuk është krijuar në vendet me norma fikse këmbimi ndaj monedhës së huaj (p.sh. Letonia dhe Lituania, para se të hyjnë në Eurozonë, kishin unifikuar këmbimin e monedhave kombëtare me euron.

Humbjet që krijoi kreditimi në valutë në rastin e Polonisë u përballuan kryesisht nga huamarrësit. Vlera e kapitalit në sektorin bankar, qoftë në Poloni apo Hungari, nuk mbulon ekspozimet në valutë të huaj. Në rastin e dështimit të pagimit të huamarrësve do të ndikonte fort në funksionimin e të gjitha bankave në Poloni dhe Hungari, mbështetur nga Qeveria dhe banka qendrore (rasti i Hungarisë).
FCL janë përdorur zakonisht në shumë vende në zhvillim në Europë që nga periudha 2004-2005. Rritja bëri që aspekte të ndryshme të këtyre kredive të fillonin të hetohen dhe të paraqiten në letërsi.

Bankierët: Problemi qëndron, por vështirë të luftohet

Vitin e kaluar, kur Banka e Shqipërisë deklaroi nismën për deeuroizimin e ekonomisë, bankierët e pranuan se niveli i lartë i euroizimit është problem për sistemin, por janë skeptikë nëse politikat e Bankës së Shqipërisë do të funksionojnë në uljen e përdorimit të euros, sidomos në kahun e depozitave

Z. Christian Canacaris, Drejtor i Raiffeisen Bank, thotë se kur përdoret një monedhë e ndryshme nga ajo e vendit, ka një risk nga kursi i këmbimit, të cilin klientët ndonjëherë nuk e marrin parasysh, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një monedhë të fortë dhe të qëndrueshme siç është Leku. Ai shton se nismat që promovojnë Lekun janë gjithmonë të mirëpritura.

Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo, është dakord që “euroizimi” është një çështje që sjell shumë rreziqe, si p.sh., efektiviteti i politikës monetare dhe rreziku i kursit të këmbimit, që ndërmerren si nga qytetarët, ashtu dhe nga njësitë ligjore. “Por, ndërsa është e lehtë të konstatosh këtë problem, është shumë më e vështirë që të gjesh zgjidhjen”.

Në opinionin e tij, problemi kryesor ka të bëjë me faktin që shqiptarët preferojnë që të mbajnë kursimet e tyre në euro, duke e konsideruar atë si një monedhë të fortë. “Personalisht nuk e ndaj këtë përqasje, pasi gjithnjë duhet të kemi parasysh që, nëse nuk i mbani kursimet në monedhën vendase, shumë shpejt do të ekspozoheni nga rreziku i kursit të këmbimit; shqiptarët duhet të kuptojnë që 2-3 vitet e fundit, leku është vlerësuar në mënyrë konstante kundrejt euros dhe dollarit, duke nënkuptuar se shqiptarët që i mbajnë kursimet e tyre në euro, kanë humbur tashmë para”.
Nga ana tjetër, ne duhet të pranojmë se një pjesë e madhe e tregtisë është e lidhur kryesisht me euron. Si ta zgjidhim këtë? Kjo është një pyetje mjaft e vështirë; kjo është një çështje që duhet hetuar thellësisht nga autoritetet rregullatore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka e Shqipërisë dhe FMN.

“Duke pasur parasysh se unë jam absolutisht në favor të reduktimit të nivelit të euroizimit, jam i mendimit se thelbi i problemit nuk është në kahun e kredisë, por të depozitave; Bankat, aktualisht dhe në përgjithësi, kanë tepricë likuiditeti në Euro, për shkak të depozitave dhe për më tepër, diferenca në normat e interesit të ofruara për depozitat me afat, në mes të dy monedhave, është reduktuar në mënyrë dramatike, si rrjedhojë e ecurisë së tregjeve financiare. Ajo që vetë bankat mund të bëjnë është të paralajmërojnë konsumatorët rreth rreziqeve të lidhura, si me kredidhënien, ashtu edhe me depozitat në monedhë të huaj.

Mund të pranoj se për momentin, pjesa më e madhe e aplikimit për kredi nga klientët tanë është në euro, ndërsa individët privatë ngurrojnë të konvertojnë depozitat nga euro në lekë. Lidhur me Intesa Sanpaolo Bank Albania, sipas politikave tona, ne japim kredi në monedhën që huamarrësi ka të ardhurat e veta, ndonjëherë edhe pse kjo nuk është dëshira e konsumatorëve. Në kahun e depozitave, pavarësisht nga normat më të larta të ofruara për lekun, ne përballemi me vështirësi, kur përpiqemi të ndajmë me konsumatorët mundësinë për të mbajtur kursimet e tyre në monedhën vendase, edhe kur u tregojmë atyre vlerësimin e qëndrueshëm të lekut kundrejt euros.

Mendoj se këto reagime janë “psikologjike”, dhe ndoshta kanë të bëjnë me disa përvoja të këqija nga e kaluara; në këto raste mund të jetë mjaft e vështirë për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve dhe ka nevojë për një program koherent të edukimit financiar. Shoqata Shqiptare e Bankave, që prej shumë vitesh, është veçanërisht aktive në këtë fushë, por duhet një kohë e gjatë për të arritur rezultatet e pritura”, shton z. Pedrazzi.

Z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank, si një person me përvojë direkte në bankë qendrore (jo në Shqipëri) ka një mirëkuptim të plotë për synimin e Bankës Qendrore për uljen e euroizimit të vendit. Për aq sa aktivitetet financiare në vend zhvillohen në valutë të huaj, për aq nuk ka gati asnjë efektivitet politika monetare, duke gjymtuar kështu tërësinë e politikës ekonomike të vendit. Njëkohësisht, nga krahu tjetër, ai gjen mirëkuptim edhe për historikun e preferencave personale të shumë agjentëve ekonomikë, biznese e individë, për përdorim të gjerë të euros. Vendet e vogla të hapura në Europë, në rastin e Shqipërisë edhe me një kontingjent më të lartë emigracioni, objektivisht anojnë kah një situate të tillë.

“Prandaj edhe do të këshilloja një kujdes të veçantë në këtë drejtim. Përderisa as anëtarësimi në BE, e jo më adoptimi i euros, nuk duket fare në horizont, rritja e efektivitetit të politikës monetare kërkon ulje të peshës relative të euros në vend, në më shumë drejtime. Por një shtyrje relativisht e fortë administrative kundër euros, më shumë do të krijonte dëm se vlerë. Realitetet objektive ekonomike duhen marrë në konsideratë gjatë formulimit të masave, që do të sjellin efekte më të larta pozitive, me dëme e risqe anësore më të vogla”, pohon ai.

Znj. Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri, pranon që ekonomia shqiptare historikisht ka qenë e prekur nga fenomeni i euroizimit, si në marrëdhënie tregtare të bizneseve, qoftë dhe në transaksione bazike dhe rutinë të individëve. Fenomeni, rekomandon ajo, duhet të adresohet në nivel më global të ekonomisë, ku të dekurajohet (ose ndalohet) përdorimi i EUR në marrëdhënie tregtare, të cilat ndodhin brenda Republikës së Shqipërisë. “Nga ana tjetër, për sa kohë tregtia me jashtë (importet dhe eksportet) vazhdon të ngelet sektor i rëndësishëm në ekonominë shqiptare, nuk mund të shmanget përdorimi i monedhave të huaja nga subjektet e përfshira në këto marrëdhënie ndërkombëtare, por të paktën kjo të mos transmetohet te pjesëmarrësit e tjerë të tregut lokal”.

Z. Bozhidar Todorov, drejtor ekzekutiv i First investment Bank – Albania (FIBank – Albania) pohon se Bankat në dy–tre vitet e fundit kanë bërë hapa konkretë në promovimin e huadhënies në Lekë duke dizenjuar dhe duke ofruar produkte të veçanta me kushte më të favorshme. Megjithatë janë disa faktorë, të cilët kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit që mund të lehtësojnë në këtë çështje. Vetëm politikat monetare nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund të adresojnë këtë problem, kështu që është shumë pozitiv fakti që BSH është duke bashkëpunuar me qeverinë. Një ndër faktorët kryesorë është mbrojtja e prodhimit vendas, që do të rezultonte në reduktimin e deficitit tregtar dhe normalizimin e disbalanës midis importeve dhe eksporteve”, pohon ai.(monitor)

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “ANALIZA: Deeuroizimi me dy anët e medaljes, garancia e Bankës së Shqipërisë dhe alarmi i eksportuesve”

  1. ferdi says:

    MOS gabohem ne kryeartikull zoti gazetar mos ke dashur te thuash eksportusve. fjala ekspotesve nuk shkon as gjekundi ne SHQIP , ben vaki e kam un gabim po keshtu me ngjan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *