Europa paralajmëron në shqip për rrezikun e monedhave virtuale

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Banka e Shqipërisë iu bashkua së fundmi bankave qendrore europiane dhe autoriteteve të tjera që paralajmëruan popullsinë të mos luajë me kriptomonedha, ose të jetë e vetëdijshme për humbjet e konsiderueshme që mund të pësojë nga kjo lojë, e cila po krahasohet, mes të tjerash, me skemat piramidale shqiptare të vitit 1997.

Nga: Gjergj Erebara

Banka e Shqipërisë paralajmëroi të premten e kaluar shqiptarët të jenë dyshues dhe të mendohen mirë para se të investojnë paratë e veta në të ashtuquajturat “kriptomonedha”. Njoftimi për shtyp në anglisht u publikua fillimisht nga tre institucione europiane, Autoriteti Europian i Titujve dhe Tregjeve, i cili mbikëqyr bursat dhe procesin e emetimit të letrave me vlerë, Autoriteti Europian Bankar, i cili mbikëqyr bankat kryesore të Europës dhe Autoriteti Europian i Sigurimeve dhe i Pensioneve prej Punësimit.

Banka e Shqipërisë e publikoi në shqip njoftimin e këtyre tre autoriteteve, i cili mbart titullin “Njoftim i rëndësishëm paralajmërues për monedhat virtuale”.

Në tërësi, tre autoritetet e shpjegojnë fenomenin e kriptomonedhës pak a shumë kështu: “Monedhat virtuale që ekzekutojnë aktualisht janë përfaqësimi dixhital i një vlere që as nuk është e emetuar dhe as nuk është e garantuar nga një bankë qendrore apo autoritet publik dhe nuk e kanë statusin ligjor të monedhës apo parasë. Ato janë tejet të rrezikshme, dhe përgjithësisht nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzura dhe nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së; rrjedhimisht, ato nuk u ofrojnë konsumatorëve mbrojtje ligjore”. Paralajmërimin e plotë mund ta lexoni këtu:

Paralajmërimi mbart njëkohësisht një shpjegim se çfarë është një monedhë apo kartëmonedhë dhe çfarë nuk është një e tillë. Një monedhë, ose një titull borxhi duhet të emetohet nga një autoritet i njohur, fjala vjen, një bankë qendrore apo një korporatë. Duke përdorur togfjalëshin “e garantuar”, autoritetet e kanë fjalën për garancinë imagjinare të ofruar nga bankat qendrore, të cilat e garantojnë vlerën e monedhës apo kartëmonedhës të emetuar prej tyre me reputacionin që kanë, pra me supozimin se, fjala vjen, Banka Qendrore Europiane, duke emetuar një sasi eurosh të barabartë me nevojat e ekonomisë së eurozonës për para, garanton se euro e blerë do të ketë një vlerë të ngjashme me sot, edhe në të ardhmen e afërt. Kur përdor togfjalëshin “nuk janë të mbuluara nga aktive të trupëzuara”, deklarata duket se e ka fjalën për procesin e emetimit të titujve të borxheve nga korporatat, të cilat janë në gjendje të sheshin këto tituj borxhe vetëm në rast se disponojnë asete fizike si kundërvlerë e borxhit të emetuar. Dhe kur thotë “nuk rregullohen nga legjislacioni i BE-së”, shpjegon se titujt e borxheve, kur emetohen nga korporatat, i nënshtrohen një procesi rregullues e mbikëqyrës nga autoritetet, të cilat garantojnë në një farë mase publikun se po i hedh kursimet e veta në një titull real.

Përkundër këtyre rregullave të emetimit të parasë apo të titujve të borxheve, kriptomonedhat ose monedhat virtuale nuk janë të tilla. Ato emetohen nga një program kompjuterik, i cili, në bazë të disa rregullave matematikore krijon një monedhë pa numër serial, e cila nuk ka një kundërvlerë dhe një garanci të dhënë nga një autoritet i njohur publik apo privat. Procesi i emetimit të monedhave virtuale përfshin vënien në punë të një serie kompjuterësh, të cilët konsumojnë energji elektrike dhe në proces e sipër, janë në gjendje të bindin sistemin matematikor t’i shpërblejë pronarët e këtyre kompjuterëve me një kod kompjuterik që përbën monedhën virtuale. Duke qenë se energjia elektrike që sjell prodhimin e monedhës është konsumuar sakaq, monedha virtuale nuk ka një ekujvalent fizik në formë aseti, siç ka monedha e zakonshme e emetuar nga një bankë qendrore, e cila, pasi të prodhohet, konvertohet në asete ekonomike reale, fjala vjen rrugë, apo pajisje prodhuese nën pronësi publike apo private, apo tërësia e kapitalit fizik dhe mendor që përbën një ekonomi.

Jo të gjithë janë të bindur me këtë shpjegim. Teoria pas kriptomonedhave është që, pavarësisht se nuk emetohen nga një autoritet i njohur, pasi emetohen, njerëzit që i përfitojnë këto kriptomonedha krijojnë asete reale me to ndërsa sistemi matematikor që realizon prodhimin e tyre, në dukje garanton se nuk do të ketë prodhim spekulativ të këtyre monedhave. Në fund të fundit, edhe bankat qendrore apo korporatat realizojnë jo rrallë herë monedha dhe tituj borxhi që nuk mbartin ekuivalent në asete fizike dhe përbëjnë skema të pastra piramidale. Përkundrazi, kriptomonedhat supozohet se, duke mos u emetuar nga një autoritet qendror, ofrojnë një hapësirë lirie, një çlirim të njerëzimit nga ‘diktatura’ e bankave qendrore.

Problemi është që kriptomonedhat, sido që mund të ngacmojnë një ide të bukur të një bote jashtë kontrollit të bankave qendrore, mund të kthehen nga çasti në çast në mashtrime financiare të rëndomta në kurriz të atyre që gënjehen prej tyre. Në fund të fundit, banka qendrore, sido që nuk zgjidhet me votë, mund të mbahet përgjegjëse për monedhën që emeton. Një sistem kompjuterik jashtë kontrollit të askujt mund të jetë më lehtësisht i manipulueshëm. Dhe më e rëndësishmja, ndryshe nga një qeveri, sistemin kompjuterik në fjalë nuk ke se si ta mbash përgjegjës për manipulimin.

“Të tria Autoritetet e lartpërmendura i paralajmërojnë konsumatorët se MV-të mund të jenëjashtëzakonisht me rrezik dhe janë zakonisht tejet spekulative. Nëse blini MV, duhet të jeni tëvetëdijshëm se ka një rrezik të madh që të humbisni një shumë të madhe, ose edhe të gjithë shumën, e parave të investuara,” thuhet në njoftim, ku renditen edhe llojet e ndryshme të rrezikut.

Rreziku i fluskës renditet e pari, gjë që nënkupton mundësinë që një numër i madh njerëzish të joshen nga perspektiva për fitime të shpejta duke pranuar blerjen e monedhave virtuale përkundrejt çmimeve gjithnjë e më të larta. Shqipëria e ka një eksperiencë të tillë në vitin 1996, kur skemat piramidale të kohës filluan të ofrojnë interesa gjithnjë e më të larta për të thithur investitorë gjithnjë e më të vegjël. Interesat e larta dhe numri i lartë i njerëzve të angazhuar në investime të tilla mashtruese bënë që popullata e gjerë të çmendej, duke humbur logjikën.

Ndonëse deklarata e tre institucioneve nuk bën thirrje të drejtpërdrejtë për “mosinvestim” në monedha virtuale, ajo thekson fort rrezikun që një investim i tillë të sjellë humbjen e të gjithë shumës së investuar.

“Nëse vendosni të blini Monedha Virtuale (MV) ose produkte financiare që sjellin ekspozim të drejtpërdrejt ndaj MV,duhet të kuptoni plotësisht karakteristikat e tyre dhe rreziqet që ndërmerrni. Nuk duhet tëinvestoni para që nuk mund t’ia lejoni vetes t’i humbisni,” shkruhet në deklaratë.

“MV-të janë të formateve të ndryshme. MV-ja e parë ishte Bitcoin që u lançua në vitin 2009. Qëprej asaj kohe, kanë dalë MV të tjera si Ripple, Ether ose Litecoin. Pjesa më e madhe e tyrembështeten te teknologjia e regjistrit të decentralizuar (distributed ledger technology), që njihetme emrin ‘Blockchain’,” shpjegon deklarata. “Ky njoftim paralajmërues nuk merr qëndrim mbi këtë teknologji dhe asmbi zbatime të tjera të mundshme të tij,” thonë të tre institucionet.(birn)

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Europa paralajmëron në shqip për rrezikun e monedhave virtuale”

  1. O says:

    Munges eksperience me pjellje zhvatse

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *