INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA e BE të shpallin “non grata” politikanët e korruptuar, Llalla ishte mesazhi. Mbështetje Arta Markut, FBI kompetenca direkte. Dosjet e mëdha…

3 Mars 2018, 09:27Politika TEMA

Ish- kryetari i Gjykatës së Kasacionit, sot Gjykata e Lartë njëherësh dhe ish-deputeti i Mirditës dhe ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve në parlamentin e parë pluralist Zef Brozi, në një intervistë për gazetën “TemA” flet për temat më të nxehta të ditës.

Në pjesën e parë të këtij komunikimi me lexuesin shqiptar përmes gazetës sonë, Brozi shpreh mbështetjen e fortë për kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku dhe apelon që këtë gjë ta bëjnë dhe politika e të gjitha krahëve në Shqipëri.

Ndërsa nënvizon integritetin e zonjës Marku, Brozi mendon se do të ishte ndihmë e madhe nëse FBI e institucione Europiane të kishin disa kompetenca direkte në hetimin e korrupsionit të  zyrtarëve të lartë në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë gjyqësore të Shqipërisë.

Teksa vlerëson vendimin e SHBA për shpalljen non grata të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, që sipas tij ka mbrojtur ish pushtetarët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, Brozi nënvizon se do të ishte më efikase që një veprim i tillë të shtrihej dhe tek politikanët e korruptuar.

Ai nënvizon se këtë veprim duhet ta bëjnë edhe vendet e Bashkimit Europian, sepse nëse ndonjë vend i Bashkimit Europian i jep Llallës e familjes së tij strehim, sikurse kanë bërë edhe me ish- qeveritarë të tjerë to korruptuar, atëherë lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mund të dështoje gjithmonë dhe BE moralisht do të ishte bashkepërgjegjese për këtë dështim.

Brozi thotë se reforma në drejtësi kundërshtohet nga ata që kanë kryer korrupsion, krime dhe kanë abuzuar ndaj kanë frikë prej saj.

Nga ana tjetër, ai shprehet se sulmet e ish pushtetarëve apo politikanëve të korruptuar ndaj diplomatëve të SHBA dhe të BE është i pandenjë dhe tregon frikën që kanë nga reforma në drejtësi.

Pasi shohin se dita e ballafaqimit me drejtësinë sipas Brozit nuk është larg për të korruptuarit. Por nga ana tjetër, ish kreu i Kasacionit nënvizon se nuk ka asnjë justifikim për moszbardhjen e dosjeve të mëdha, duke filluar nga “21 janari”, “Gërdeci”, “Rruga e Kombit”, “Hajdari”, të cilat poër të duhet të jenë objekt i drejtësisë së re.

Kemi një kryeprokurore të re të përkohshme, Arta Marku. E ka marrë seriozisht, por duke parë se si vepron politika, kishte Berishën, Kryemadhin dhe tërë opozitën kundër, sa mendoni se e ka forcën për të dërguar në burg “Peshqit e mëdhenj”? Nënvizojmë, në Shqipëri Marku cilësohet “produkt” amerikan?

Unë përgëzoj Prokuroren e Përgjithëshme Znj. Arta Marku për integritetin profesional dhe punën shumë të mirë që ka bërë gjatë kësaj periudhe të shkurtër që nga zgjedhja e saj. U bëj apel të gjithë forcave politike dhe kujtdoqoftë që jo vetëm të ndalojnë sulmet e paprincipta kundër saj, por ta mbeshtesin edhe publikisht atë.

Fillimi dhe hetimi i disa çështjeve penale për korrupsion dhe krime të tjera dhe ndryshimet e nevojshme në strukturën dhe organizimin e prokurorisë duhen përshëndetur e inkurajuar nga ne të gjithë. Unë dua të besoj se Znj. Marku e ka vullnetin dhe kurajon për të përmbushur detyrat dhe misionin e saj sipas ligjit dhe provave, pra edhe për të dërguar para drejtësisë ish-pushtetarë e pushtetarë të lartë.

Nëse prokuroria nuk e bën këtë, atëhere as reforma në drejtësi nuk ka sukses, dhe Shqipëria përditë e më shumë do të përkeqësohet dhe humbasë shanset që mund të ofrojë Perëndimi. Amerika dhe Bashkimi Europian mbështesin në shumë  drejtime prokurorinë dhe vetë Prokuroren e Përgjithëshme.

Mendoj se do të ishte ndihmë e madhe nëse FBI dhe institucione Europiane të kishin disa kompetenca direkte në hetimin e korrupsionit të  zyrtarëve të  lartë në bashkëpunim me prokurorinë dhe policinë gjyqësore të Shqipërisë.

Z.Brozi, në Shqipëri tashmë procesi i Vettingut ka marrë për mbarë, janë miratuar KLP dhe KLGJ. Keni besim se do të pastrohet përfundimisht drejtësia nga të korruptuarit?

Miratimi i KLP dhe KLGJ është një hap shumë pozitiv. Por reforma në drejtësi në të gjitha aspektet dhe institucionet e saj duhet të përshpejtohet sepse është humbur shumë kohë nga pengesat dhe sabotimet që iu bënë dhe po i bëhen asaj prej atyre që e kanë frikë dhe që duan të mbajnë akoma nën komandën e tyre gjyqësorin e prokurorinë. Sa më shumë frikë të ngjallë kjo reformë për ata ish-pushtetarë, pushtetarë e politikanë të korruptuar dhe inkriminuar, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë.

Kjo reformë shënon vetëm fillimin e procesit të spastrimit të gjykatave dhe prokurorive nga të  korruptuarit sepse lufta ndaj korrupsionit në çdo institucion shtetëror duhet të jetë proces i vazhdueshëm dhe pa asnjë kompromis. Por që të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit në Drejtësi duhet zhbërë aleanca kriminale e këtij me korrupsionin e Politikës, korrupsionin e Pushtetit Ekzekutiv dhe atij Legjislativ. Drejtësia është e korruptuar sepse ashtu e deshi dhe e bëri politika. Pa vazhdimin e presionit, ndihmës dhe këmbënguljes së qeverisë Amerikane dhe Bashkimit Europian as reforma në drejtësi nuk do jetë e suksesshme, as kjo aleancë mafioze nuk do të mund të shkatërrohet.

Korrupsioni, pavarësisht nga ngjyrat politike të partive e qeverive, ka fuqinë magjike që t’i bashkojë në një sofër të gjithë bashkë, pushtetarë e ish-pushtetarë të korruptuar, të cilët gjithmonë kanë mbrojtur dhe mbrojnë njeri-tjetrin dhe sëbashku bëjnë pazaret  dhe majmen në kurriz të qytetarëve dhe në dëm të Shqipërisë. Faktet provojnë se në të gjitha qeverisjet ka pasur dhe vazhdon të ketë korrupsion marramendës, sidomos në koncesionet, kontratat me paratë publike për rrugët, hidrocentralet, ndërtimet, pronat publiket, etj.

Politikanët e të gjitha partive flasin shumë kundër korrupsionit, por ish-qeveritarë e pushtetarë të lartë të korruptuar e inkriminuar vazhdojnë të qetë të bëjnë lëmsh politikën shqiptare dhe të bëjnë jetë luksi ata dhe familjarët e tyre, brenda e jashtë vendit, me paratë e korrupsionit. Me përjashtim të pak rasteve, fakt është se deri tani prokuroria, gjyqësori e policia gjyqësore kanë qenë garancia dhe kështjella e paprekshmërisë së politikanëve e qeveritarëve të korruptuar e inkriminuar. Unë përshëndes zhvillimet pozitive dhe disa suksese të kohëve të fundit në këto institucione në luftën kundër korrupsionit e krimit.

Është folur shumë në lidhje me dorëheqjet e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga Vettingu, mes të cilëve dhe ish kryeprokurori Adriatik Llalla dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Mendoni se është e drejtë kjo dhe a duhet të vijojnë hetimet nëse ka shkelje?

Reforma në Drejtësi dhe Vetingu nuk bëhen dhe as synojnë të shpëtojnë të korruptuarit dhe inkriminuarit, kushdoqofshin ata.  Dorëheqja apo largimi nga një post nuk duhet të jetë varka e shpëtimit nga ndëshkimi sipas ligjit e provave për askënd. Dorëheqja nuk mund dhe as duhet të përjashtojë përgjegjesinë penale. Edhe miku im i nderuar ambasadori Donald Lu e theksoi qartë këtë dallim kur foli për rastin e ish–Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili në fakt nuk dha dorëheqje.

Meqë jemi te Adriatik Llalla, SHBA me firmën e sekretarit amerikan të shtetit i revokoi vizën dhe e shpalli të padëshirueshëm për të hyrë në SHBA. Madje duke e akuzuar për korrupsion. Kaq rëndë qënka puna e tij. Komenti juaj?

Shpallja e ish Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij si persona të padëshiruar në Amerikë është mesazhi më i qartë për të gjithë prokurorët, gjyqtarët, qeveritarët dhe politikanët e Shqipërisë. Llalla i ka sjellë dëme kolosale Shqipërisë me mbrojtjen që u bëri ish-qeveritarëve e politikanëve të zhytur në korrupsion e krim dhe ai duhet të përgjigjët para drejtësisë edhe për këtë abuzim në postin që kishte. Ky vendim i qeverisë Amerikane është edhe një mbështetje shumë domethënëse për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa klasa politike duhet të ndihet jo vetëm e turpëruar.

Berisha dhe opozita e mbrojtën me fanatizëm Llallën, madje sulmuan dhe SHBA personalisht apo personave mbështetës të tyre. Mendoni se kanë sinjale për ndonjë dosje të tyre…?

Kam ndjekur me shqetësim fushatën e padenjë të disa politikanëve, disa ish-pushtetarëvë e pushtetarëve kundër diplomatëve Amerikan e Europian, kundër Amerikës dhe Bashkimit Europian. Ky kor dështak i atyre që po frikësohen se dita e ballafaqimit me drejtësinë po afron, po bëjnë gjithçka munden që ta devijojnë vendin tonë nga rruga drejt Bashkimit Europian dhe botës Perëndimore. Disa prej tyre mendjen e zemrën e kanë që ta fusin Shqipërinë në aleanca  Jodemokratike, Joeuropiane e Joperëndimore.

Mendoni se tashmë ka ardhur koha të rihapen disa dosje të mëdha duke filluar me atë “Hajdari”, “Gërdeci”, “21 Janari”, “Rruga e Kombit”, paralel dhe me arrestimin e disa drejtorëve të rrugëve për abuzim apo thirrjen e disa ish-ministrave të LSI?

Këto çështje dhe disa të tjera duhej të ishin rihapur nga Prokuroria me kohë. Tani nuk mund të pranohet asnjë justifikim nga Prokuroria, Gjyqësori dhe Qeveria. Autorët dhe bashkëpunëtorët për këto krime aq të rënda duhet të përgjigjen para drejtësisë pa asnjë vonesë. Mjaft më me fjalë, premtime e demagogji. Duhen veprime, rezultate dhe përgjegjësi konkrete.

Do të ishte e udhës që SHBA të vepronte dhe për politikën sikurse veproi me shumë prokurorë dhe gjyqtarë duke i shpallur persona non grata. Do ndikonte në pastrimin e Shqipërisë nga politikanët e korruptuar?

Besoj se do të ishte një veprim shumë i nevojshëm dhe i drejtë dhe do të kishte ndikim shumë pozitiv në luftën ndaj korrupsionit. Por këtë duhet ta bëjnë edhe vendet e Bashkimit Europian, sepse nëse ndonjë vend i Bashkimit Europian i jep Llallës e familjes së tij strehim, sikurse kanë bërë edhe me ish- qeveritarë të tjerë to korruptuar, atëherë lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mund të dështoje gjithmonë dhe BE moralisht do të ishte bashkepërgjegjese për këtë dështim.(TemA)

(Vijon nesër pjesa e dytë e intervistës)

3 komente në “INTERVISTA/ Zef Brozi: SHBA e BE të shpallin “non grata” politikanët e korruptuar, Llalla ishte mesazhi. Mbështetje Arta Markut, FBI kompetenca direkte. Dosjet e mëdha…”

  1. shpresoj, por s'e besoj says:

    PO ne qoftese BE i jep azil Llalles, do te thote BE nuk eshte vend demokratik kur mbeshtet korrupsionin , krimin dhe hajduterine, ndryshe flet e ndryshe vepron, pastaj ne duhet te heqim dore nje here e mire nga BE dhe te shikojme per tu mbeshtetur diku tjeter si ne Kine apo Indi.

  2. BRSS says:

    RROFTE BRSS TE QIFSHA EUROPEN KURVA

  3. GONO says:

    PO TE MOS ISHTE STALINI DHE POPULLI TRIM RUS EUROPA DO KISHTE SHKUAR NE GOP TE SEMES MOS PRISNI GJE NGA EUROPA NA E KAN ME TE FUTUR SE TRMBEN NGA RUSI

Comments are closed.

Lini një Përgjigje