Propagandisti i Putinit përpiqet t’i vërë zjarrin Ballkanit

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Aleksander Dugin, filozof, profesor dhe radikal i djathtë nga Moska, pëshpëritës i Vladimir Putinit dhe pansllavist me ambicie globale, po përpiqet t’i mobilizojë nacionalistët në Ballkan kundër Perëndimit. BE, sipas tij, po i poshtëron dhe shantazhin popujt ballkanikë. Ai kërkon një «vëllazëri sllave». – Një shkrim i gazetës zvicerane Tages Anzeiger.

Nga Enver Robelli

Jean-Claude Juncker ka udhëtuar së fundi nëpër shtetet e Ballkanit për të ngjallur shpresë. Kush i plotëson kushtet, mund të hyjë në BE eventualisht që në vitin 2025 – ky ishte mesazhi i presidentit të Komisionit të Bashkimit Europian. «Stabilitetin tonë duam ta sjellim dhe në Ballkan», tha Juncker javën që shkoi. Be gjenden nën presion: ndërsa ajo prej vitesh kryesisht ka qenë e shtyrë të merret me vetveten, regjime autoritare po përpiqen të zgjerojnë ndikimin në rajon. Para së gjithash Rusia dëshiron të pengojë kursin properëndimor të shteteve me shumicë kristiano-ortodokse si Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, i cili së fundi vizitoi Beogradin, i paralajmëroi vendet e Ballkanit mbi rrezikun e një skenari ukrainas. Këto vende, shtoi ai, po vihen para zgjedhjes: ose në anën e BE-së dhe SHBA-ve ose në anën e Rusisë. «Edhe Ukraina u vu para zgjedhjes së njëjtë, gjë që shkaktoi tensione brenda shoqërisë ukrainase dhe shtetit ukrainas. Pastaj pasoi grushti i shtetit antikushtetues», theksoi Lavrov. Ky ishte një rast i mirëseardhur për poterexhinjtë e skenës mediale serbe, që menjëherë të alarmojnë mbi skenarët e horrorit dhe me tituj të mëdhenj të shajnë Perëndimin dashakeqës.

Pas Lavrovit në Ballkan erdhi për vizitë filozofi dhe propagandisti radikal i djathtë nga Moska Aleksander Dugin. Në Beograd ai prezantoi përkthimin në serbisht të librit të tij «Luftërat me rrjete». Në këtë vepër guru i nacionalistëve rusomëdhenj merret me metodat, të cilat gjoja i përdorin SHBA-të për të ndikuar në zhvillimet shoqërore në vendet e tjera. Fundjavën e kaluar Dugin, sipas portalit investigativ «Balkaninsight», foli para 400 nacionalistëve në një hotel në kryeqytetin maqedonas, Shkup. Dugin përshkruhet si pëshpëritës i Vladimir Putinit, si figurë kulti e qarqeve ultrakonservative në Rusi dhe si ideolog i «Lëvizjes Euroaziatike», e cila parashikon një rend botëror tripolar, nën udhëheqjen e Rusisë, Amerikës dhe Gjermanisë.

Për të arritur këtë qëllim të madh synohet që edhe vendet e vogla si Maqedonia të integrohen në aleancën antiperëndimore. Dugin tha në Shkup se vizita e tij ishte jozyrtare. Si «diplomat i njerëzve» të Rusisë i tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet që burojnë nga Perëndimi. Ideologjia liberale, tha ai, nuk është asgjë tjetër përveç se totalitarizëm që shkatërron kulturën, gjuhën dhe fenë. BE dhe SHBA-të, sipas tij, duhet të ndalen së eksportuari këtë ideologji të dështuar. Nëse Perëndimi thotë se nuk paskësh alternativë tjetër ndaj anëtarësisë në BE dhe NATO, atëherë kjo qenkësh «shantazh, poshtërim dhe kolonizim». Alternativa, sipas Duginit, është «vëllazëria sllave». Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE dhe me euroskepticizmin në rritje në Poloni, Greqi, Itali dhe Hungari Perëndimi gjendet para dështimit, profetizonte Dugin në hotelin në Shkup.

Nuk është befasi që Dugin pikërisht në Shkup zhvilloi fushatë kundër BE-së dhe NATO-s. Qe gati një vit atje qeveris socialdemokrati properëndimor Zoran Zaev. Ai është i vendosur të zgjidh konfliktin shumëvjeçar me Greqinë lidhur me emrin e Maqedonisë. Pastaj qeveria në Athinë, më në fund, mund të hapë rrugën për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, i cili dështoi më 2008 pas vetos greke. Në aspektin ushtarak Maqedonia hyn në mesin e shteteve të kategorisë së lehtë, por simbolikisht dhe gjeostrategjikisht pranimi në aleancën mbrojtëse perëndimore është me rëndësi: tri shtete fqinje të Maqedonisë – Bullgaria, Greqia dhe Shqipëria – tashmë janë anëtare të NATO-s. Mali i Zi është bashkuar vitin e kaluar me NATO-n – dhe kjo i ka zemëruar rusët, të cilët para zgjedhjeve në tetor 2016 dyshohet se planifikuan një grusht shteti në Podgoricë.

Me gjasë Athina nuk do t’i bllokojë më as negociatat e Maqedonisë për anëtarësim në BE, nëse qeveria në Shkup pranon një emër të ri për shtetin – për këtë po përmenden tre emra: Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia e Re. Greqia hedh poshtë emrin Maqedoni për shkak se kështu quhet rajoni verior grek. Qëndrimi i Rusisë ndaj çështjes së emrit nuk mund të jetë më cinik. Kur në Shkup ishte në pushtet nacionalisti prorus dhe me gjasë i korruptuar Nikolla Gruevski, Moska kërkonte prej tij të mos u lëshoje pe grekëve. Tani ministri i Jashtëm Lavrov e këshillon qeverinë në Athinë që në konfliktin me shtetin fqinj të tregohet e pakompromis.

Nacionalistët maqedonas hedhin poshtë ndryshimin e emrit të shtetit. Gjatë takimit me Duginin ata iu lutën atij për ndihmë nga Rusia. Kryeideologu i «Lëvizjes Euroaziatike» tha se Moska mund të ndihmoje vetëm nëse një shtet «kërkon ndihmë». Si shembull ai përmendi diktatorin sirian dhe të dyshuarin për vrasje masive Bashar al-Asad, i cili, sipas tij, kërkoi ndihmë në Kremlin. «Rusia e qetësoi gjendjen në Siri duke dërguar atje heronjtë tanë për të luftuar dhe për të vdekur për popullin vëlla sirian».

Se «heronjtë rusë» do të luftonin edhe për popullin maqedonas nëse marrin një ftesë, këtë Dugin, ky proletar i arsimuar me mjekër patriarku, nuk duhej ta thoshte fare në mënyrë eksplicite. Dugin pranoi për «Balkaninsight» se i ka miq disa anëtarë të një organizate obskure monarkiste në Serbi. Vëzhguesit thonë se bëhet fjalë për një trupë paramilitare, e cila prezantohet si mbrojtëse e serbëve në Kosovë dhe në Bosnjë.

Në udhëtimin e tij Dugin i shoqërua nga Leonid Savin. Kryeredaktori i magazinës ruse «Geopolitika» mban kontakte me seksionin e rinisë të AFD-së, partisë nacionaliste gjermane, dhe nga makineria e Beogradit për lajme të rrejshme citohet shpesh kur synohet përhapja e teorive më absurde të komplotit. Kur nga mesi i janarit në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët u vra politikani i moderuar Oliver Ivanoviq, Savin nuk la asnjë pikë dyshimi: sipas tij pas vrasjes qëndronte shërbimi sekret amerikan CIA. Washingtoni, sipas tij, po përpiqet të destabilizojë Serbinë dhe të frenojë ndikimin rus.

Në Shkup Savin lavdëroi Unionin Ekonomik Euroaziatik – kundërmodelin e Putinit ndaj Bashkimit Europian. Themelimi i BE-së, sipas Savin, bazohet në ideologjinë e frikës. Nëse shtetet si Maqedonia hyjnë në klubin rus, atëherë nuk duhet të bëhen merak më për identitetin dhe traditat e tyre, theksoi daullexhiu i ideve rusomëdha. Njëjtë argumenton Dugin. Në një intervistë me gazetën serbe «Pravda» ai paralajmëroi se Perëndimi po shkatërron identitetin e serbëve – dhe edhe më keq do të bëhet nëse vendi bëhet anëtar i BE-së.

Kjo propagandë ka jehonë. Në Serbi vetëm një shumicë e lehtë përkrahë hyrjen në BE dhe një e treta e serbëve janë të bindur se donatori kryesor i vendit të tyre është Rusia. Shifrat flasin një gjuhë tjetër: mes viteve 2007 dhe 2017 Komisioni i BE-së dhe shtetet anëtare e kanë përkrahur Ballkanin me mbi nëntë miliardë euro, prej tyre mbi 4 miliardë kanë përfunduar në arkat e shtetit serb dhe për organizata joqeveritare. Firmat europiane në dekadën e fundit në Serbi kanë investuar rreth 15 miliardë euro, partneri më i madh tregtar i këtij shteti ballkanik është BE. Investimet e Rusisë sillen rreth shumës 2,4 miliardë euro. Për ndërtimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe për modernizimin e infrastrukturës Kremlini nuk jep pothuaj asnjë cent. Së fundi Serbia mori disa avionë të vjetër të Ushtrisë së Rusisë.

Gjatë një vizite në Beograd ministri i Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel humbi nervat për shkak se rrugës nga aeroporti deri në qendër të qytetit një poster i madh lavdëronte miqësinë ruso-serbe. Të padukshme, ndërkaq, ishin ngjyra e verdhë dhe e kaltër e BE-së. Politikanë të BE-së ankohen se Kremlini në Serbi është duke ndjekur një «strategjie të qëllimshme destabilizimi». Me sa duket presidenti Aleksandar Vuçiq me vetëdije toleron këtë përzierje për të shantazhuar Brukselin: nëse BE nuk e përshpejton procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE, atëherë Serbia kërcënon se do të parapëlqejë një aleancë me Rusinë. Këso mesazhesh dërgojnë pothuaj çdo ditë politikanët e qeverisë serbe. Për të shmangur këtë skenar Vuçiq pritet krahëhapur në Perëndim. Ultranacionalisti i dikurshëm thekson se integrimi në BE i vendit të tij mbetet prioriteti kryesor i tij në politikën e jashtme – dhe për shumë serbë hyrja në klubin e Brukselit është perspektivë më e mirë sidomos për arsye financiare.

Kancelarja gjermane Angela Merkel javën që shkoi e priti kryetarin serb në Berlin dhe e lavdëroi luftën e tij kundër korrupsionit – ndonëse disa njerëz të afërt me Vuçiqin akuzohen për keqpërdorim të financave publike. Ndërkohë drejtësia e këtij vendi ballkanik nuk vepron.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

9 komente në “Propagandisti i Putinit përpiqet t’i vërë zjarrin Ballkanit”

  1. ai forever says:

    mire e ka sic ne shqiptaret kerkojme te bashkohemi edhe kemi te drejte te bashkohemi se na kan vene zjarrin nder shekuj edhe sllavet kan te drejt te bashkohet, cdo gje ne vend te vet ne marim ate cfar na takon ata te marin ate qe i takon, me mire se kaq ku ka.

    1. Hoxh Armandi says:

      Z. Alexander Dugin….na mbyten turkoshqiptaret dhe turkomongolet ne ballkan. Ju lutem dergoni ca nga ato 100 kilotonshet te pasteohet.

  2. daja says:

    a mundet skllavi te mendoje si i lire???

  3. daja says:

    a mundet skllavi te mendoje si i lire????

  4. kjo eshte shume e vertet.bravo tema.
    rusia ka fircuar shume rolin e saje ne ballkan,por dhe ne evrope,ku aria radikale ruse eshte ne ktye te patuve radikale evropiane anti islamit dhe pro komunizmit.
    takimet e kane pas ne lyon te frances dhe gjithe evropen.
    objektiva qe me destabilizim te ballkanit perendimor,ta frenoj evropen ne ballkan dhe naton si rivale e rusis.
    tani dhe erdogan bytha e forcon serviset ruse serbo greke me islamin e tyrqis te shqiptaret,dhe urrejtja nga e…o-u.a.

  5. iksi says:

    qe 25 vite qe eshte fole ne evrop,se bota divizihet ne boten katilike.
    boten ortodokse
    dhe boten islame,por muslimanet jane te ndare ne shiihit,sunit,sufismi,bejtashizmi etj,dhe lufojne njeri tjetrin.
    a,ortodokset jane te bashkuar rreth babes rusi.
    kjo eshte alfa e omega e polikave,edhe pse serbia,greqia,rumania,bullgaria mali i zi,maqedonia,kinse ne evrope,a putini me rusin ja grah kah te done..
    por dhe shqiperis dhe kosove bosnies.

  6. Kevin says:

    Rroft RUSIA 🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺🇷🇺.
    Mikja e vertet e shqiperis

Lini një Përgjigje te daja Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *