“Tregu i punës”, Rama: Aftësim, jo propagandë dhe lëmoshë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

“Misioni ynë është punësimi i kujtdo që është i aftë për punë”, deklaroi të hënën Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “zyrat e punës janë në shërbim të personave të dalë nga skema e ndihmës ekonomike”.

I pranishëm në një aktivitet për riaktivizimin në tregun e punës të ish- përfituesve të ndihmës ekonomike, Rama u shpreh se “varfëria nuk luftohet me propagandë dhe as me lëmosha”.

Kreu i Qeverisë siguroi se “ky do të jetë mandati i ri i punësimit dhe ndryshimit rrënjësor të raportit me punën dhe integrimit në punë përmes aftësimit”.

“Edhe pse kjo që po bëjmë është ende shumë pak në raport me atë që ka nevojë vendi dhe atë që meritojnë ata që janë në punë, rroga, siguri dhe kushte pune më të mira, kjo jep parashikueshmëri më të qëndrueshme në vijim dhe garanci për sigurimet dhe pensionin e tyre”, tha Rama.

Varfëria, vijoi kryeministri, nuk luftohet me propagandë dhe lëmosha, duke zgjidhur sot për sot diçka të vogël dhe duke mbyllur sytë ndaj të nesërmes.

“Varfëria u ul këmbëkryq për vite të tëra dhe u kthye në një status për shumë njerëz, për të cilët nuk u mendua kurrë se si do të aftësohen dhe tërhiqen në tregun e punës. Ndihma ekonomike duhet të jetë vetëm një moment solidariteti, që duhet të jetë sa më i shkurtër, përmes së cilës një shtet i vërtetë dhe qeveri e përgjegjshme duhet të bëhet gati për të kaluar në një fazë tjetër përmes punës”, shtoi Rama.

Kryeministri kujtoi se për mbi 20 vite njerëzit ishin lënë në gjendjen e paralizës me një ndihmë ekonomike të pjesshme, që ka arritur të jetë edhe 6 mijë lekë të vjetra, që e shërndanin ata që sot dalin në televizor me të varfërit e lënë pas dore.

“Lënia në mëshirën e lëmoshës të mpin, të paralizon dhe përjashton nga rrethi i mundësive që ka vendi. Sot, kush del nga ndihma ekonomike dhe është i aftë për punë, del nga një situatë ku merrte 35 mijë lekë të vjetra dhe ka në dorë nga shteti 55 mijë lekë që të shkoj dhe të bëj kurs profesional në Qendrat e Formimit Profesional”, tha Rama.

Ai u bëri thirrje të gjithë personave të interesuar që në vend që të dalin në televizor duke u qarë në supet e atyre që nuk ja ka zgjidhur kurrë hallin, dhe hallin e tyre do ta përdorin për propagandë, të drejtohen në Zyrat e Punës ose Qendrat e Formimit Profesional dhe të marrin çdo muaj 55 mijë lekë për t’u trajnuar dhe aftësuar për punë.

Kryeministri theksoi se ndërmarrja ku po zhvillohet aktiviteti ka të punësuar 250 punonjës dhe pritet të shkojë në 300 punonjës deri në fund të vitit. “Nuk mund t’i punësojnë menjëherë edhe 50 punonjës, sepse njerëzit duhen aftësuar dhe trajnuar”, tha Rama, duke theksuar rëndësinë e procesit të trajnimit të harmonizuar me ndërmarrjet.

“Jemi të vetëdijshëm që zyrat tona të Punës duhet të bëjnë shumë më tepër. Çdo zyrë duhet të jetë një zyrë jo që pret dhe përcjell, por mbështet me të gjithë forcën e solidaritetit njerëzit që janë në kërkim dhe nevojë të një pune”, tha Rama.

Po ashtu, ai kërkoi që të ketë një harmoni të plotë me Zyrat e Shërbimit Social Shtetëror për të nxjerrë çdo muaj sa më shumë persona nga qerthulli vicioz i varfërisë dhe ndihmës ekonomike si lëmoshë e përjetshme dhe të përfshihen në tregun e punës.

Sigurisht se ka rroga të pamjaftueshme, por jetojmë në një vend ku deri dje ishim pa asnjë rrugëdalje. Sot e kemi, por na duhet punë dhe këmbëngulje, sepse ajo që u rrënua në sistem për çerek shekulli”, tha Rama.

Në mbi 20 vite, sipas tij, nuk u mendua kurrë për arsimin profesional, zanatet dhe një të ardhme të qëndrueshme të punësimit.

Vendet më të pasura të Europës dhe botës, vijoi kryeministri, nuk i degdisin të gjithë fëmijët drejt universiteteve, por u japin një zanat që jo vetëm të bëjë një punë, por edhe të bëjnë biznes.

“Zyrat e punësimit duhet të shkojnë të trokasin në çdo ndërmarrje, të kenë të qartë çdo pasqyrë nevojash dhe t’i shkojnë prapa çdo njeriu që është i gatshëm të punojë. Kjo është një reformë përmbajtësore, pasi nuk mund të jetë kurrë lëmosha, alternativë e punës dhe statusi i varfërisë ‘mish për top’ për politikën e ditës”, tha në përfundim Rama. (atsh)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në ““Tregu i punës”, Rama: Aftësim, jo propagandë dhe lëmoshë”

  1. Shqiptari Kolumbian says:

    ahaahahahhahah, Rrofshe e qofsh o Kolumbiani i paster Shqiptar.

  2. @ says:

    Ne vend te komenteve carcaf dhe antivlere “tip Alban Dega”, po paraqesim nje artikull kryesor nga Gjergj Erebara, qe fshihet ne rubrikat e “ekonomise” te gazetes Tema.

    Duke vlerësuar se kapacitetet administrative të qeverisë shqiptare për vlerësimin e cilësisë së projekteve të investimit janë “të papërshtatshme”, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi që qeveria aktuale të mos firmosë “asnjë kontratë të re të madhe koncesionare”. “Kuadri i punës së qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimit, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm sipas vlerësimit të FMNsë.
    Deri sa ky kuadër pune të mund të fuqizohet në mënyrë thelbësore, është më mirë që të mos firmoset asnjë kontatë e re madhe PPP,” deklaroi përfaqësuesi i FMN-së për Shqipërinë Jens Reinke.
    Kjo është një gjuhë me edukatë e cila do të thotë se FMN nuk e vlerëson qeverinë shqiptare si të aftë për të gjetur idetë më të përshtatshme për investime publike dhe gjithashtu e konsideron të paaftë për të llogaritur siç duhet kostot dhe rreziqet që mbartin kontrata të tilla për financat e vendit. Por mungesa e racionalitetit në vlerësimin e kostove dhe përfitimeve nga kontrata të tilla koncesionare është verëm njëra anë e problemit. Ana tjetër e problemit, sipas FMN-së është përdorimi kundër çdo logjike ekonomike e juridike e mekanizmit të njohur si propozim i pakërkuar. Ligji aktual për partneritetin publik privat njeh dy mekanizma për dhënien e koncesioneve. Mekanizmi i parë është kur qeveria dëshiron të vëre në punë një aset publik, fjala vjen, një lumë me potencial për prodhimin e energjisë elektrike dhe e hedh në tender këtë aset në bazë të kritereve të qarta, duke kërkuar oferta për, fjala vjen, kompanitë që pranojnë ta shesin energjinë e prodhuar nga hidrocentrali me një çmim sa më të ulët të jetë e mundshme. Por kjo nuk është skema që qeveritë shqiptare, ajo e shkuara dhe kjo aktualja, kanë pëlqyer. Ato kanë pëlqyer rrugën tjetër, në të cilën, një komnpani private pretendon se ka zbuluar një ide që qeverisë nuk i ka vajtur në mend, fjala vjen, ka zbuluar që në Shqipëri ekziston një lumë që mund të prodhojë energji elektrike. Në këtë rast, kompania bën një propozim te qeveria pavarësisht se qeveria nuk e ka kërkuar një propozim të tillë. Qeveria e gjykon propozimin dhe del në konkluzionin se ai vlen dhe si shpërblim, i jep propozuesit një bonus, një avantazh të paracaktuar në një tender që teorikisht do të pranojë oferta për këtë propozim. Në të vërtetë, kjo është rruga qe mbyll mundësinë për garë dhe paracakton fituesin.
    Qeveria e shkuar dha në këtë mënyrë disa qindra kontrata koncesionare për ndërtim hidrocentralesh. Qeveria aktuale e shtyu më tej përdorimin e kësaj skeme, duke dhënë, jo vetëm kontrata për ndërtim hidrocentralesh, por edhe kontrata për ndërtim rrugësh. Kulmi duket se u shënua në rastet e hidrocentraleve të Skavicës dhe Poçemit. Në rastin e Skavicës, qeveria pranoi një “propozim të pakërkuar” nga një kompani turke duke i dhënë asaj një bonus. Tenderi dështoi sepse as kompania që kishte marrë bonusin nuk mori pjesë në tender. Në rastin e hidrocentralit të shumë debatuar të Poçemit, një kompani tjetër bëri të njëjtën praktikë dhe në këtë rast ajo e mori kontratën koncesionare në një tender ku nuk kishte asnjë pjesëmarrës tjetër. Në të dyja rastet, parimi i ofertës së pakërkuar u shty përtej çdo imagjinate për shkak se hidrocentrali i Skavicës dhe ai i Poçemit janë projektuar nga shteti shqiptar qe ne vitet 1970.
    Qeveria aktuale ka propaganduar gjatë muajve të fundit një paketë të re të stërmadhe koncesionesh, të cilës qeveria i ka vënë emrin bombastik në anglisht ‘One Billion’. Në programin e qeverisë është bërë e ditur se disa rrugë, si rruga Tiranë – Dibër, apo një spital, (spitali rajonal i Fierit), bashkë me disa shkolla në Tiranë do të jepen me koncesion në këtë paketë. Pak javë më parë, një lajm i publikuar në Televizionin Publik Shqiptar bëri të ditur se kompania e shumëdebatuar Gener 2 ka propozuar ndërtimin me koncesion të rreth 21 kilometrave autostradë përkundrejt çmimit të paimagjinueshëm prej 244 milionë euro. Me një kosto prej 12 milionë eurosh për kilometër, nëse bëhet realitet, kjo pritet të jetë një nga rrugët më të shtrenjta të ndërtuara në historinë e Shqipërisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu fillimisht shqetësime për kontratat koncesionare në raportin e saj vjetor për Shqipërinë, ku kërkoi mes të tjerash, që kostot e këtyre kontratave të llogariten si borxh publik nga një regjistër i veçantë nën menaxhimin e Institutit të Statistikave. Deri më sot qeveria nuk ka marrë masa për të zbatuar këtë rekomandim. Kontratat koncesionare afatgjata të tilla si koncesionet në shëndetësi, mbartin detyrime afatgjata për buxhetin e shtetit dhe janë borxh publik në të gjitha kuptimet me përjashtim të emrit. Vlera e përgjithshme e këtyre kontratave arrin në qindramilione euro. /birn/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *