"Askush nuk mund të vërë veto për ushtrinë e Kosovës"

14 Mars 2018, 15:57Rajoni TEMA

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Wess Mitchell, tha të mërkurën në Beograd se askush nuk mund të vërë veto ndaj themelimit të ushtrisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje të dyja palëve që të punojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet tyre.

“Tash është koha për të punuar së bashku për zgjidhjen e problemeve”, tha ai pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ai tha se Shtetet e Bashkuara besojnë që pikëpamja për një Serbi të lirë e të përparuar në paqe më fqinjët dhe e integruar në perëndim, është qëllim i përbashkët.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, ndërsa theksoi se Kosova ka të drejtë të themelojë forcën e saj ushtarake që nuk do të ishte kurrfarë kërcënimi për Serbinë dhe serbët.

“Kosova ka të drejtë të formojë forcat e saj profesionale që do të merreshin me sigurinë dhe në të cilat do të përfshiheshin edhe serbët e Kosovës dhe në vazhdojmë të themi se askush nuk mund të vërë veto dhe të pengojë Kosovën që të zhvillojë strukturat e tilla”, tha ai.

Kosova synon shndërrimin e Forcës së Sigurisë në ushtri të Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kërkojnë që kjo të ndodhë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, gjë që është pamundësuar për shkak të kundërshtimit të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ritheksoi mospajtimin me ngritjen e ushtrisë ndërsa tha se Serbia është e gatshme për kompromis por jo edhe si u shpreh, “përuljen e popullit serb”.

Ai tha se Serbia ka përmbushur marrëveshjet e arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe akuzoi Kosovës që nuk ka themeluar asociacionin e e komunave me shumicë serbe.

Diplomati amerikan, Wess Mitchell, po qëndron në Beograd në kuadër të një vizitë ne rajon që e filloi të hënën me Kosovën. Ai nxiti reagime të pushtetit në Serbi edhe me takimin me partitë opozitare serbe.

Më pas ai shkon edhe në Athinë dhe në Nikozi.(voa)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje