«Oligarku i Putinit»: Kritika të ashpra kundër ish-kancelarit gjerman Schröder

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Gazeta amerikane «Wall Street Journal» e ka quajtur Gerhard Schröderin oligark të Vladimir Putinit dhe ka kërkuar që Bashkimi Europian ta ndëshkojë ish-kancelarin gjerman. Edhe ministri i Jashtëm i Ukrainës ka kërkuar sanksione kundër Schröderit.

Nga Enver Robelli

Gerhard Schröder është një propagandist i zellshëm. Kur Vladimir Putini okupoi Krimenë e Ukrainës, ish-kancelari gjerman i doli në mbrojtje autokratit të Kremlinit.

Schröder tha se çfarë kishte bërë Putini në Krime, Perëndimit e kishte bërë në Kosovë më 1999. «Natyrisht çfarë po bën vaki në Krime është diçka që është edhe shkelje e të drejtës ndërkombëtare. Por, e dini përse jam paksa i kujdesshëm dhe s’dua të drejtoj gishtin tregues? Ja, po ua them. Sepse edhe unë e kam bërë, kam shkelur të drejtën ndërkombëtare».

Nën drejtimin e Schröder Gjermania ishte pjesë e koalicionit të perëndimor të prirë nga NATO-ja, i cili intervenoi në Kosovë për t’i dhënë fund përpjekjes së Beogradit për gjenocid mbi shqiptarët. Në Krime autoritetet ukrainase nuk kishin vrarë asnjë rus lokal, andaj ndërhyrja e Moskës nuk kishte të bënte me mbrojtjen e bashkëkombësve, por kishte për qëllim okupimin e një territori të një shteti fqinj për qëllime gjeostrategjike.

Këto dallime mes Krimesë dhe Kosovës Gerhard Schröder refuzon t’i dallojë. Ai është shndërruar në mik të ngushtë të autokratit rus Vladimir Putin, por edhe në propagandist të presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Schröder ka qenë disa herë mysafir i Vuçiqit në Beograd, ku ka mbajtur fjalime në favor të partisë së presidentit serb dhe të dy së bashku kanë shijuar verën e kuqe dhe kanë diskutuar për Serbinë dhe dynjanë.

Gerhard Schröder punon për disa firma ruse të naftës dhe gazit. Angazhimi i tij në shërbim të Putinit dhe ndërmarrjeve ruse është kritikuar nga mediat gjermane dhe nga politikanët gjermanë, por Schröderit kjo nuk i ka bërë përshtypje.

Gjatë fundjavës gazeta amerikane «Wall Street Journal» ka ngritur akuza të rënda kundër ish-kancelarit socialdemokrat gjerman. Sipas të përditshmes amerikane Schröder është «oligarku më i rëndësishëm i Putinit», por çuditërisht nuk është në listën e sanksioneve të Washingtonit kundër Rusisë.

«Wall Street Journal» thekson se Schröder e ka ndihmuar Moskën për të izoluar, kërcënuar dhe shantazhuar Ukrainën, Poloninë dhe shtetet baltike në politikat e energjisë. Schröder, thekson «Wall Street Journal», është «kalë Troje» kundër çdo përpjekjeje të BE-së për ta bërë konkurrues tregun e energjisë.

Schröder është «mbrojtësi më i zellshëm dhe më i cituar» pas çdo sjelljeje të keqe të Kremlinit, për shembull sa i përket aneksimit të Krimesë. Schröder, sipas gazetës amerikane, është një instrument i Vladimir Putinit i etur për luks dhe i paguar mirë – «një agjent rus, i cili operon në zemrën e elitës politike dhe ekonomike të Gjermanisë». Gazeta amerikane kërkon që edhe Schröderi të ndëshkohet me sanksione.

Në numrin e së hënës të gazetës gjermane «Bild» edhe ministri i Jashtëm ukrainas Pavlo Klimkin kërkoi që BE të veprojë kundër Gerhard Schröderit. Sipas Klimkin është me rëndësi që BE të ndëshkojë me sanksione ata që në botën e jashtme përkrahin projektet e Putinit. Europarlamentari gjerman Elmar Brok nga partia CDU e kancelares Angela Merkel deklaroi se «Wall Street Journal» në pjesën më të madhe ka të drejtë. «Është skandaloze që një ish-kancelar federal tani përfaqëson interesat e Putinit. Dhe është e habitshme që deri më tani krejt kjo ka kaluar pa konsekuenca».

Pasi u largua nga posti i kancelarit më 2005 Schröder u punësua në ndërmarrjen Nord Stream, e cila planifikon një linjë gazi nga Rusia përmes Detit Baltik në Gjermani. Nord Stream i takon koncernit rus të energjisë Gazprom.

Projekti për furnizimin e Gjermanisë me gaz kritikohet nga vendet e Europës lindore, të cilat e konsiderojnë veten të përjashtuara dhe izoluara. Më 2017 Schröder është zgjedhur shef i bordit drejtues të koncernit energjetik rus Rosneft.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *