Stina kur hidhet guri i lojës së vettingut

23 Mars 2018, 23:31Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Bashkë me Ditën e Verës, ose siç shkruante dikur Faik Konica, “festën pagane të luleve” dhe ekuinoksin pranveror sipas astronomisë, ka filluar edhe një stinë tjetër në Shqipëri: Stina e vettingut! Ose e thënë më gjatë: Stina e pastrimit dhe ripërtëritjes së shtyllës më të kalbur të sistemit tonë, nga të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë, që kanë instaluar më së shumti kulturën e mosndëshkueshmërisë në vend. Një kulturë që vit pas viti e dekadë pas dekade, e bëri drejtësinë shqiptare një pushtet që bëri gjithçka, përveçse nuk dha e nuk bëri drejtësi.

Kjo stinë e vettingut, ashtu siç në pranverë besohet se në procesin jetësor ndodh “ndryshimi i gjakut”, edhe në drejtësi besohet se do të bëjë transfuzionin e asaj pjese të infektuar të sistemit, për t’i hapur rrugën atyre më të paktëve që ia kanë dalë të ishin të imunizuar apo të rinjve që kanë mbaruar magjistraturën, për t’i dhënë jetë drejtësisë së re. Asaj drejtësie që mer rolin e garanatit të sistemit dhe e bën një shtet demokratik dhe pluralist, funksional; që i jep zgjidhje të drejta halleve dhe problemeve të qytetarëve; që ndëshkon fajtorët dhe rrit besimin se, në këtë vend mund të investosh, jetosh dhe të kesh shpresë për të ardhmen tënde dhe të fëmijëve të tu.

Asnjë shtet i zhvilluar nuk është bërë i tillë, pa kaluar “Rubikonin” që të çon në anën e drejtësisë së vërtetë. Vendimi i Këshillit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për largimin nga sistemi i drejtësisë të të parit që ishte në listën e vettingut, anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, të kujton të famshmen “alea iacta est”/ “guri (i lojës) është hedhur” i Jul Çezarit. Guri i lojës për rrënimin e të vjetrit dhe ndërtimin e sistemi të ri të drejtësisë, sapo është hedhur më në fund edhe në Shqipëri.

Kanë ndodhur disa zhvillime inkurajuese ndërkohë që të bëjnë të besosh se, stina e vettingut mund ta meritojë vërtetë që të konsiderohet e tillë, duke ndihmuar më pas që reforma në drejtësi të hedhë hapa të tjerë të rëndësishëm për t’u zbatuar plotësisht, në gjithë ciklin e saj të mbyllur.

Javën e kaluar, Prokuroria e Përgjithshme nisi zyrtarisht hetimet me anë të një grupi prokurorësh ndaj ish-Kryeprokurorit, Adriatik Llalla, për “pastrim të produkteve të veprës penale” ose e thënë me një gjuhë më popullore, për “pastrimin e parave të pista”. Shkak për këtë janë bërë një seri shkrimesh investigative të botuara javët e fundit në media, të cilat hodhën dritë publike mbi disa aspekte të panjohura të jetës së ish-kreut të organit të akuzës. Atyre i janë bashkuar edhe provat, që Departamenti Amerikan i Shtetit kishte në momentin kur mori vendimin për ta futur familjen Llalla në listën e zezë të atyre që u ndalohet hyrja në SHBA.

Një numër transaksionesh për shitblerjen dhe rivlerësimin e pronave të patundshme nga ish- Kryeprokurori, tregonin sipas ekspertëve se, ishin bërë sipas një skeme klasike të pastrimit të parave; duke blerë me çmime shumë shumë të lira, e brenda një kohe shumë të shkurtër, duke i rivlerësuar apo shitur ato, me çmime që shkonin deri në 20-30 herë më të larta. Lista përfshinte prona, troje, toka, ullishta, shtëpi pushimi në bregdet dhe deri transaksione me persona të cilët janë dënuar për vrasje, plagosje dhe një sërë krimesh të tjera të rënda.

Gjatë kësaj jave, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dërgoi për ndjekje penale në Prokurori, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Besnik Imeraj. Ai u tërhoq me vullnetin e tij nga sistemi i drejtësisë pak javë më parë, ndaj procesi i vettingut për të,- sipas ligjit,- u ndërpre. Por, kjo nuk e pengoi KPK ose shkallën e parë të vettingut që ta dërgonte çështjen e tij për ndjekje penale. Mesazhi që u dha, duket se ishte: Pavarësisht manovrave dhe hapësirave që shfrytëzohen për t’iu shmangur kontrollit, askush nuk është i imunizuar nga kontrolli dhe verifikimi i pastërtisë së figurës.

Gjatë kësaj jave ka nisur një tjetër proces i rëndësishëm: Seancat publike dëgjimore me gjyqtarët dhe prokurorët që po i nënshtrohen vettingut. Pas Fatos Lulos janë edhe 56 gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë në përbërje të listës së parë, që do të kalojnë këto ditë me radhë, përpara katër trupave të “vlerësimit”, për të mësuar nëse do qëndrojnë apo do të dalin jashtë sistemit të drejtësisë. Më pas radhën e kanë rreth 250 anëtarët e tjerë të sistemit aktual, për të kaluar në filtër.

Ky proces, përveç të tjerave ka një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për shkak të ambicieve të Shqipërisë për marrjen e datës së çeljes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Reforma në drejtësi është jo vetëm një kriter shumë i rëndësishëm që duhej të plotësonte Shqipëria, por edhe një armë efikase në betejën diplomatike, për të paraqitur ecurinë tonë përballë fqinjëve, që kanë të njëjtën ambicie me ne, për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Shqipëria tashmë e ka nisur reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi, as që e kanë hedhur akoma hapin e parë, megjithëse janë përpara nesh në procesin e anëtarësimit në BE.

Ndaj, kjo stinë e “vettingut”, ashtu si edhe ajo e pranverës, duket se ka nisur të çelë “lulet e para”, “frutat” e të cilave pritet t’i marrim në stinët e ardhshme./Alpenews.al

4 komente në “Stina kur hidhet guri i lojës së vettingut”

  1. ╨◘╨sit back and relaks╨◘╨ says:

    ca thojn aksionet bankare Alfredo?

  2. ╨◘╨sit back and relaks╨◘╨ says:

    ca thojn aksionet bankare Alfredo??

  3. Vito Kermilli, shoku i Nikos says:

    A ka njeri t’i thote ketij robit te heshte se e kompromenton shume cka ndodh kur flet njeriu qe u justifikua per parate qe merrte ne te zeze.
    Asgje me shume nuk kane bere gjykatesit se sa Peza. Kane fituar para ne rruge jo ligjore.

  4. Kombi says:

    Ke te drejte ,por kjo behet dhe per ti dhene garanci BE , per hapjen e negociatave . Mbasi Shqiperia e pariparueshme ,me gjenin hajdut qe ka ,do ta marri kete garanci , fillon perseri kapje e drejtesise nga politika e dhjere qe ne kemi . SHQIPERIA SHPETON VETEM ,KUR TE LARGOHEN TE GJIGHE KETA POLITIKANE, QE JANE ME ZI SE SA DREJTESIA .
    UROJ QE SE SHPEJTI TE LARGOHEN TE GJITHE ,BASHKE ME GAZETARET KAMELEONE .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje