Gjosho Vasia: Vjeti 1952, dita e Pashkëve në kampin e përqendrimit të Tepelenës

13 Prill 2018, 17:31Dossier TEMA

Nga Gjosho Vasia

 Asnji prej nesh që jetojshim mbrenda telave të Kampit të përqendrimit nuk kishim dijenì se çfarë situatash politike po zhvilloheshin në botë në fillim të marsit të asaj vjete, nga që nji javë para Pashkëve ato të drejtorisë së Kampit sollen te priftent tonë të internuem nji zà si t’mbyllun: “Me sa dijmë ju katolikët keni nji festë, për këte mund të thoni meshë”.

Ky lajm i pa pritun, madje i pa besueshem na luejti mendsh, me u thanë meshë këtu ku çdo ditë vorrosshim nga 10-15 mjerana që vdisshin prej urijet, prej smundjeve a prej stërmundimit të papàmë, aty ku përdhunimi vllavrasës ishte i hatashem!

Urgjentisht u mblodhen mendtakët e rrahen arsytimet. Shumica thanë se bota Prendimore me siguri ka ngritë zanin kunder persekutimit të çmendur që po zhvillojnë regjimet komuniste ndaj njerzve politik e sidomos ndaj klerit katolik.

“Per pa e mujtë e keqja shqiptàrin nuk ban gjurmë kah e mira, ka thanë Fishta, prandej janë shpresat se na ka mujtë e keqja”.

Per çudi i gjithë Kampi mori të dridhun, sepse sejcilit iu dukte se lindi nji shkëndi shprese në këte mjerim të papërshkrueshem.

Interesante ishte se të trimijë të internuemit nga këto emocione të paprituna flitshin me za të naltë nëpër oborrin e madh të kampit, çka nuk ishte praktikue deri atëherë, sepse terrori ta fikë zanin dhe ta lidhë gjuhen nye. Mbrenda këtij kamp sejcila “thnegel” kërkonte me kontribue sadopak në këte manifestim që po hynte në histori.

Nisen pregatitjet. Menjiherë Át Jakë Gardini formoi korin me 12 vetë që do t’këndojshin gjatë meshes. Át Ferdinand Pali, Át Viktor Volaj dhe Dom Zef Gilaj u moren me rrëfimet e të krishtenve, tue i ndjekë qytetarë e fshatarë ndër pesë kapanonat te vendi ku flejshin dhe interesante ishte se gjatë rrëfimeve, gra e fëmij përreth, edhe të nji feje tjetër, u largojshin dhe s’guxonte kush me ba ma t’voglen zhurmë.

Tashma turma lëvizte e organizueme nëpër kamp. Kund 30 gra nisen pastrimin e asaj kazerme të rrënueme nga lufta mbrenda së ciles do t’ishte “Kisha” e ardhshme ku do t’thohej mesha e Pashkëve. Kush mujti doli në kerkim të qylymave e velencave sepse ato do t’shtrohen rreth dhe para elterit jo vetem per zbukurim, por kryesorja se mbi to do të vendoseshin në plan të parë të sëmurët që ishin shumë. Mendo se në kapanonin numer 6 kishim dyqind e sa tuberkoloza. U gjet edhe çarçafi i bardhë si bora që do t’mbulonte tavolinen, lterin e ardhshem. Fëmijtë u moren me lulet e fushës që do t’zbukurojshin “Kishën” anë e kand, me nji fjalë gazi i papritun mbi ftyrat tona mujti përkohësisht me tha lotet e mjerimit…

Erdhi dita e Pashkëve. “Kisha” ishte zbukurue deri në madhështì, ishte mbushë me popull sa mos me nxanë ma e sejcili prej tyne kishte veshë ma të bukurat rroba (duhet dijtë se ma e bukura rrobë kishte tri arna, mendo se pantallonat ne i kishim futë në darkë nen dyshekun me kashtë per t’i hekurosë per Festen e Madhe). Për këtë festë ne mujtëm me gjetë prej fshatarëve, tinëz, dhe me duer mbas telave rrethues, 6 kokrra vezë, meqë i kërkonte festa dhe prej racionit të bukes premë nga tri rriska të tejdukshme, i lagëm me sheqer dhe i quejtem ambëlsinë.

Mesha filloi. Dom Nikoll Mazreku hypi në elterë dhe mori fjalen e hapjes, ndër të tjera ai na tha së sot këte kazermë të rrënueme nga lufta duhet ta konsiderojmë si ma e madhja katedrale e botës së qytetnueme.

Menjiherë kori, ndejë nga e djathta e lterit, filloj kangen e parë që ishte ajo e Zojes së Shkodrës. Kori gjatë gjithë kohes i këndoi të gjitha kangët aq bukur dy zanesh, në veçanti shkodranët gjatë melodinave dhe vargjeve lutëse u përloten me dnesë. Át Viktor Volaj ndihmonte meshën që e thoshte Dom Nikoll Mazreku.

Emocionet e asaj ditë të çuditëshme më kanë hy aq thellë në çdo qelizë sa që edhe sot kur i kujtoj ndiej të njejtat emocione të përlotuna.

Në kohen kur të krishtenët nisen të kungohet, kemi pa dhe jemi çuditë se Osten e shugurueme e moren edhe shum të rinj dhe të reja myslimanë.

Mbas meshes nisën vizitat të njeni tjetri tue i urue nji lirim të shpejtë.

Por ç’prej asaj ditë e mbrapa shqiptarët nuk ndiene asnji fije ajër lirije. Terrori mbeti po ai, regjimi i kuq si nanë e mashtrimit ishte tallë me botën dhe sigurisht edhe me ne.

Por fatmirësisht meqë Qiella e ka nji sy, po presim se mos njerzit e mashtrimeve nji ditë do t’kthehen nga pendimi.

Botue ma s’parit tek e përkohshmja: Hylli i Dritës, 2007 (XXVII), n. 1 (252).

 

10 komente në “Gjosho Vasia: Vjeti 1952, dita e Pashkëve në kampin e përqendrimit të Tepelenës”

  1. Luçja says:

    Gjosho vasija nje loke si gjithe maloket e malsise
    Nje genjeshtar e injorrant loke
    Nuk kaloj kurre nivelin amator Te nje humoristi te estrades se nje uzine.
    Ka 40 vjet me breke neper Kembe e akoma tregon barcaleta me pordha katundaresh

  2. Shkodra e moteve says:

    More alabak qe emrin e more fale atij sistemi kur shume te tjere nuk e paten ate fat vetem se nuk ishin shkodrane,po kur vdisnin urije òdo dite 10-15 femije urije per sa vjet flet e as na thua se ne nje vit 365 diteX 10 Femije=3650 femije !?Na thuaj vetem emrat e 36!

    1. Izeti says:

      Shkodra,une jam nga tepelena,Nuk e di Cfare eshte bere ne ato vite,por di kete:ngjitur me kampin qe me vone u be repart ushtarak,u ndertuan zyrat e e drejtorise se ujrave duke hapur themelet Per godinen kemi gjetur shume skelete dhe kafka njerzish,shume prej tyre ishin te vogla dmth femijesh.Po te germoje me shume do gjeje,Nuk kishin as emer,mbiemer apo arkivole,thjesht mbuluar me dhe.

  3. Alban says:

    Nuk eshte per tu marr me me kete teme. Sado qe perpiqen keta dekonspirojne veten. Sipas deshmive te ktyre kampi kishte infermier, festonin pashket, kishte doktore, por kishte dhe etni te tjera ( malazez, gjerman, italian e francez) ,pra jo vetem shqiptar, sic gjasme donte ta bente z.Tufa. Kurse nje deshmitare thoshte qe s’na kane detyrur per pune fizike. Kjo tregon qarte qe kampi ishte per bashkepuntore te fashizmit, dhe kushtet e keqija ishin kushte sipas kohes. Nje deshmitare thoshte ‘s’kishim pike energjie elektrike’, duke harruar qe elektrizimi i Shqiperise u be diku ne 1960ten. Keta jane njerez me fat, qe s’jetuan ne vendet Europiane ku bashkepuntoreve te nazi-fashizmit dhe familjareve te tyre i priste ekzekutimi dhe lincimi publik.

  4. demok says:

    Le te ringrihet Ay Kamp perqendrimi cfaroses i Femijeve,Grave dhe pleqve te Malsise antikomuniste dhe te sherbeje si muze i OLOKAUSTIT SHQIPTAR.Cfare i beri llumi proletariatit ketij populli.

    1. Alban says:

      Meso te shkruash njehere injorant. Ne asnje vend te botes, nuk behet ‘muze’ per bashkepuntore e NAZI-FASHIZMIT. Shtetet Perendimore baballaret e nenet ketyre i ekzekutoj publikisht. Nderkohe qe ketyre i mbylli gojen duke mos i bere me te zinin goje nga vinin. Ne France 160 mije veta u denuan si Tradhtar. Kurse ne Greqi i varnin. Se ne Hollande e Belgjike i linconin publikisht dhe i vrisnin. Ketu tek ne, bejne si viktima. Turp i nje kombi qe ka humbur cdo vlere morale.

  5. SHQIPTARI... says:

    O feqe benevrekesh, i madhi Gjosho, ka ndrru jete me 22/11/2013…

  6. s'kam ç'bej says:

    Po kete e kam pare ne estraden e Shkodres, i perndjekur dhe ne estrade? Kjo qenka nje çudi. Enveri i paska denuar per fajet, por pastaj paskan qene te lire si gjithe qytetaret e tjere. Kete e mesova nga theniet e Gjesho Vasise, megjithese me veshtiresi se nuk ishin plotesisht ne gjuhen shqipe.

  7. shvejku says:

    Gjosho zagari ka qene aktor estrade dhe dilte cdo vit te ri ne tvsh!
    Ne se do ishte keshtu sic derdellit ky,mos valle ka qene spiun ne ate kamp dhe kerkon te mbuloje gjurmet?
    Mallkuar qofte ky spiun!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje