Miell, vezë dhe sharje mbi ‘’Kodin e Sjelljes’’

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nertil Jole

Çdo të enjte salla e Kuvendit të Shqipërisë po kthehet në një skenë absurde të aktrimit politik, shumë larg rolit të vërtetë që ligjvënësit duhet të ushtrojnë.

Këtu nuk kam parasysh qëndrimet me përkatësi politike, për problematika që lidhen me vendimarrjen apo interesa publike të komuniteteve që përfaqësojnë. E kam fjalën për qëndrimet jopolitike të veshura me petkun politik.

Opinioni i interesuar për jetën parlamentare të vendit, është dëshmitar i shfaqjeve të ditës së enjte, ku anëtarë të parlamentit po e përdorin foltoren e këtij tempulli të përfaqësimit, për të denigruar kolegë të partive të ndryshme politike, me synim, përfitimin joreal politik.

Në Shqipërinë e vitit 2018, kandidate për përfshirjen në një komunitet që përfaqëson vlera të larta të qytetërimit dhe shumë pranë rekomandimit për çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, është e papranueshme që institucioni më i lartë, përfaqësues i vullnetit politik por jo vetëm, të jetë edhe arena e përballjeve jopolitike që cënojnë integritetin dhe personalitetin e deputetëve, dhe më keq akoma, edhe të të afërmëve apo personave të lidhur me ta.

Nga çdo pikëpamje, madje edhe juridikisht, është e palejueshme që duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur statusin e deputetit, të sulmohen, denigrohen, ofendohen, apo penalizohen individë të ndryshëm, pa fakte dhe argumenta ligjore, vetëm e vetëm për të goditur politikisht.

Është bërë tashmë e udhës, që në mungesë të argumentave alternative, për probleme që janë atribut i vendimarrjes së Kuvendit, të përdoret intimidimi i publikut me akuza personale, që tentojnë aktivizimin e veprimeve të cilat nuk përmbajnë ide, nxisin dhunë, mospranim të iniciativave dhe reformave, dhe shkojnë deri në frymëzimin për veprime të dhunshme.

E veçanta e të enjtes së fundit, nuk është forma, ajo tashmë është e njohur. Shëmtia që iu ofrua publikut, është vendosja e skenës bajate si alternativë e synimit final të shqiptarëve, që është rekomandimi i pritshëm për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Për interes të ngushtë politik, gërshetuar me frikën që vjen nga zbatimi i reformës tashmë të filluar në drejtësi, nuk janë kursyer as çizmet, as mielli, vezët e as intrigat politike, me personazhe shqiptarë por edhe përfaqësues të nderuar të komunitetit ndërkombëtar.

Është e sigurtë se kjo sjellje publike, nga foltorja e parlamentit, nuk transmeton mesazhe pozitive dhe nuk sjell përfitime elektorale.

Nga ana tjetër, është po aq e sigurtë se në elektorat dhe në popull, kjo retorikë politike shpesh e transformuar në zhargon, nuk transmeton nivelin e pritshëm etiko-moral të parlamentit dhe stimulon një antagonizëm të panevojshëm dhe të dëmshëm te mbështetësit e forcave politike dukuri që transmetohet edhe te shoqëria në tërësi.

Natyrisht, shumë qytetarë që ndjekin çdo të enjte aktrimin politik të përfaqësuesve të opozitës, kanë gjithë të drejtën të gjykojnë me skepticizëm, e madje të dyshojnë se sjellja e një pjese të përfaqësuesve të tyre në këtë parlament, do të përmirësohet ndonjëherë.

Dhe të mos harrojmë; Vetëm para një muaji, është miratuar nga po ky parlament kodi i etikës apo sjelljes së deputetëve gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit. Asnjë ndryshim. Përkundrazi. Ligjvenësit tanë, japin shembullin më skandaloz të sjelljes, moszbatimit të ligjeve apo rregullave, që kanë miratuar vetë, duke vërtetuar kështu që axhendat politike, dominojnë mbi interesin publik.

Jam i sigurt që aktorët e këtyre skenave, bëjnë kështu gabimin e dytë, edhe më të rëndë se i pari. Me një paaftësi spektakolare politike, mendojnë se sjelljet e tyre sjellin përfitime politike, duke përçmuar në këtë mënyrë, intuitën dhe inteligjencën e popullit që përfaqësojnë.

Të gjitha sa më sipër, nuk janë një përpjekje për të mënjanuar vëmendjen nga problemet e vërteta të qeverisjes. Ato në fakt, tregojnë sesa larg pikërisht këtyre problemeve dhe zgjidhjes së tyre, është qëllimi i opozitës.

Për t’iu rikthyer përsëri ngjarjeve të së enjtes në parlament, fjalorit dhe akteve të demonstruara, dua të kujtoj një detaj shumë domethënës të para dy muajëve në parlamentin britanik, ku një Ministër i qeverisë së Theresa May, me një përulësi të pashembullt kërkoi të jepte dorëheqjen nga detyra e tij, vetëm sepse në vetëdije e konsideroi të pajustifikueshme vonesën për t’i dhënë shpjegime një përfaqësuese të Dhomës së Lordëve, pas kërkesës së saj për të zhvilluar një interpelancë me të.

Ky shembull i respektit të thellë ndaj institucioneve, ngjan vite-dritë larg atyre që ndodhin në jetën e parlamentit tonë.

Përkundër kësaj përulësie, ligjvënësit tanë me një megalomani e pse jo edhe me injorancë, vazhdojnë të mendojnë se shqiptarët nuk i njohin këto modele.

Ky injorim që deputetët tanë demonstrojnë, nuk është thjesht emocion. Si i tillë ndoshta edhe mund të justifikohej. Ai në fakt është mungesë kulture dhe vizioni. Me të njëjtën metodë që lexuan rezultatet elektorale të zgjedhjeve të fundit, vazhdojnë të ndërtojnë strategjinë e ardhjes së tyre në pushtet.

Fatkeqësi!

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Miell, vezë dhe sharje mbi ‘’Kodin e Sjelljes’’”

  1. Flutura says:

    Mbi 80%e parlamentareve vijne nga jeta e fshatit, ku pa ofenfuar fshatarin, duket mungesa e kultures qytetare, e cila ne kete perberje te parlamentit, e ka te pamundur, per shkak te numurave,t’i imponohet nivelit te ulet kulturor te shumices se deputeteve. Per kete do te vuajme edhe per shume vite, deri sa te kaloje ky brez dhe gjysma e brezit tjeter te ushqyer e rritur me kete kulture te ulet.
    Fat i keq per te rinjte cfare shohin e degjojne. Se nuk duhet te zene vend ne parlament bashkemoshataret e tyre (me origjine fshatare) por qe nuk japin shprese se mund te bashkejetojne me kulturen qytetare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *