ANALIZA: Rreziku i bombardimeve “demonstrative” të Trump në Siri

14 Prill 2018, 12:05Bota TEMA

Nga Vittorio Zucconi,  la Repubblica

Jo, nuk është fillimi i Luftës së II Botërore. Sulmi me raketa Cruise e të tjera bomba të telekomanduar në Damask, nuk ishte një gjë tjetër pos asaj që parashikohej prej ditësh.

Gjithçka u kuptua menjëherë që kur në mënyrë impulsive Donald Trump parashikoi një sulm brenda 24 ose 48 orësh:  ushtarakët amerikanë dhe rusë janë kujdesur për “deconflict”, pra kanë evituar që të krijohen kushte të një konflikti direkt.

Trump ka urdhëruar që këto sulme të bëhen aq me kujdes sa të mos ketë përplasje direkte me avionë dhe trupa ruse që ndodhen në terren, të cilat kanë realisht kontrollin e forcave të armatosura siriane.

Sulmi është, tragjikisht duhet thënë edhe në këto momente, thelbësisht demonstrativ.

Një operacion paralajmërues, siç ka bërë të ditur Theresa May, kundër përdorimit të armëve kimike në të ardhmen nga diktatori apo “përbindshi”, siç e e quan Trump, Bashar Assad.

Është tipi i operacioneve ushtarake të cilat janë përdorur edhe në të shkuarën por nuk kanë pasur asnjë rezultat, madje kanë forcuar Asadin, prezencën ruse dhe Iranin.

Në mungesën e objektivave strategjikë, në mungesën totale të rezultateve konkrete që të shfrytëzohen për të zgjidhur lëmshin sirian, fushata ajrore po përdoret nga një president amerikan që ka nevojë për të dalë nga kafazi i hetimit të brendshëm ndaj tij që po bëhet gjithnjë e më i ngushtë.

Rreziku i tmerrshëm i këtij operacioni është natyrisht incidenti, e paparashikuara, raketa “budallaqe” që mund të sulmojë një repart rus, një bazë iraniane, një bazë ajrore ku ndodhen edhe avionë rusë; ose e kundërta, sistemi antiraketor rus që sulmon një avion amerikan ose britanik, apo gjuan në anije amerikane nga larg.

Planifikuesit e kësaj fushate janë përpjekur të minimizojnë risqet duke përdorur taktikën ushtarake “stand-off”, pra duke qëlluar nga anijet, nëndetëset, avionë jashtë ujrave apo qiejve sirianë dhe duke bërë premtimet e përhershme për “eleminimin e dëmeve” anësore apo vrasjen e civilëve.

Por vetëm dy rezultate mund të dalin nga kjo aventurë: asgjëja reale, mbajtja e Assad në guackën mbrojtëse të rusëve, të cilët SHBA nuk guxon t’i sulmojë, ose incidenti, shkëndija e pavullnetshme që mund të sjellë zjarrin.

Historia ka një listë të gjatë të luftrave të filluara “rastësisht”.

Dhe operacioni i mbërëmshëm, siç lajmëron dhe Pentagoni, mund të përsëritet sërish.

Siç dhe ndodhi në Kosovë, incidentet ndodhin dhe mund të sjellin viktima e komplikacione.

Po nëse preket ndonjë rus? Atëherë nis vërtetë telashi! (Tesheshi)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje