“Mirëmëngjes Qëndresë”: Ja reagimet e plota pas sulmeve në Siri

14 Prill 2018, 17:56Bota TEMA

Qeveria siriane është përpjekur të përcjellë një mesazh sfidues pas sulmeve, duke postuar një video në median sociale ku shihet Presidenti Bashar Al Assad duke ardhur sot në mëngjes në zyrë, shoqëruar me diçiturën: “Mirëmëngjes Qëndresë”.

Gjëmimet e sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve në Siri janë ndjerë në të gjithë botën dhe janë përcjellë me reagime të ndryshme.

Rusia reagoi me revoltim të hapur. Në një deklaratë të presidentit Vladimir Putin thuhet: “Moska e dënon në mënyrën më të fortë sulmin”. Një gjeneral rus tha se Moska mund ta pajisë Sirinë me një sistem më të avancuar raketash.

Kina ka bërë thirrje për gjakftohtësi, duke theksuar se synimi duhet të jetë ulja e tensioneve dhe puna për një zgjidhje politike të konfliktit. Kryeministrja britanike Theresa May, vendi i së cilës ishte i angazhuar në sulmin e fundit në Siri, tha se goditjet ishin të nevojshme pasi përpjekjet diplomatike për të ndalur përdorimin e armëve kimike kishin dështuar, falë vetos së Rusisë në Këshillin e Sigurimit.

Ndërkaq, aleatët perëndimorë të Amerikës kanë reaguar duke mbështetur sulmin si një përgjigje e merituar ndaj sulmeve kimike.

Gjermania, Kanadaja, Australia dhe Japonia shprehën mbështetje për veprimet amerikane. Ndërkaq, Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk tha se “blloku qëndron përkrah aleatëve tanë, në anën e drejtësisë”.

Kryeministri italian Paolo Gentilioni mbajti një konferencë për shtyp ku tha se goditjet ishin motivuar nga sulmi i qeverisë siriane me armë kimike. Sulme të tilla qeveria siriane ka bërë edhe më parë, tha kryeministri italian, duke theksuar se bota nuk mund të lejojë akte të tilla.

“Operacioni ishte një përgjigje e motivuar nga përdorimi i armëve kimike në Douma dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë që regjimi sirian përdor armë kimike gjatë këtij konflikti. Besoj se një shekull pas Luftës së Parë Botërore nuk mundemi të pranojmë idenë e përdorimit të armëve kimike gjatë konflikteve të tanishme”, tha Kryeministri Gentilioni.

Edhe Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, shprehu mbështetje për sulmet ajrore të aleatëve.

“Sulmi i Assadit me armë kimike ndaj popullit të tij është jo vetëm i tmerrshëm, por edhe një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar. Armët kimike nuk mund të tolerohen dhe komuniteti ndërkombëtar u detyrohet viktimave, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit vazhdon të jetë i bllokuar. Prandaj është e drejtë që Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar morën këto masa”, tha zonja von der Leyen.(voa)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje