Aleatët: Sulmi ndaj Sirisë i ligjshëm dhe i justifikuar

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca thonë se sulmi i tyre ajror ndaj objekteve të programit të armëve kimike të Sirisë ishte i bazuar në ligjin ndërkombëtar. Duke folur gjatë takimit të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit, të kërkuar nga Rusia, përfaqësuesit e tre vendeve aleate thanë se sulmi ishte i nevojshëm për të parandaluar përdorimin e mëtejshëm të armëve luftarake të paligjshme dhe çnjerëzore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer, njofton nga selia e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori i Rusisë në OKB shprehu revoltimin e Moskës për sulmin e koordinuar ndaj depove të armëve kimike të Sirisë dhe të qendrave të saj kërkimore.

“Kërkojmë të ndalojë menjëherë agresioni dhe të hiqet dorë nga përdorimi i forcës së paligjshme në të ardhmen”, tha ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia.

Dje, një ekip inspektorësh i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike mbërriti në Damask për të hetuar në qytetin Douma. Zoti Nebenzia kritikoi tre fuqitë perëndimore për kryerjen e sulmeve ajrore përpara se ekipi i inspektorëve të përmbushte detyrën dhe të nxirrte konkluzionet.

“Kështu i doni të zhvillohen tashmë marrëdhëniet ndërkombëtare? Ky është huliganizëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe jo huliganizëm i vogël, pasi bëhet fjalë për fuqi kryesore bërthamore”, deklaroi ambasadori rus.

Tre fuqitë perëndimore iu përmbajtën pikëpamjes se sulmet ishin të justifikuara, legjitime dhe proporcionale.

“Mbrëmë, goditëm me sukses në zemër të sistemit të armëve kimike të Sirisë dhe jemi të sigurtë se kemi dëmtuar programin sirian të armëve kimike. Jemi të gatshëm ta ruajmë këtë presion, nëse regjimi sirian do të testojë me pamendësi vullnetin tonë”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley.

Rusia u shpreh gjithashtu se sulmet bien në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe Kartën e OKB-së. Ambasadori i Francës nuk ra dakord.

“Do ju kujtoja se ajo kartë nuk u hartua për të mbrojtur kriminelë”, tha ambasadori francez në OKB, Francois Delattre.

Ambasadorja e Britanisë tha se veprimi ushtarak ishte i kufizuar dhe shmangu viktimat në radhët e civilëve.

“Mbretëria e Bashkuar mendon se ishte e drejtë dhe e ligjshme ndërmarrja e veprimit ushtarak, së bashku me aleatët tanë më të afërt, për të lehtësuar vuajtjet e mëtejshme njerëzore duke degraduar aftësitë e regjimit sirian për armë kimike dhe duke parandaluar përdorimin e tyre”, tha ambasadorja e Britanisë në OKB, Karen Pierce.

Rusia dështoi në përpjekjen për të miratuar një rezolutë që do të dënonte sulmin, duke marrë vetëm 3 vota pro, nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit./voa/

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...