Minatori – kryeministrit Rama: Prije timonin pak majtas se po ecën shumë djathtas

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Minatorët i kanë parashtruar sot shqetësimet dhe kërkesat e tyre kryeministrit Edi Rama dhe ministrave Arber Ahmetaj dhe Damien Gjiknuri.

Dy nga kërkesat kryesore të minatorëve, të cilat u shtruan në një interpelancë online me kryeministrin, ishin zgjidhja e statusit të minatorit dhe rritja e pensionit të tyre.

Themeluesit e Sindikatës së Minatorëve “Janari 1991”, tani në pension, kanë kërkuar shpjegime për ecurinë e projektit të statusit të minatorit.

Njëri prej minatorëve i ka kërkuar kreut të qeverisë që ta kthejë pak timonin “majtas”, pasi politikat e tij janë zhvendosur shumë djathtas, çka rëndon më së shumti mbi njerëzit në nevojë.

“Unë desha të theksoja se minierat më të vështira janë në Mirditë. Nëse atëkohë ne merrnim 7 mijë lekë, jetonim pa marrë me listë, sinqerisht, pensioni 23 mijë lekë është komplet i papërballueshëm. Nëse ka mundësi na jepni një zgjidhje. Edhe një këshillë… Prije pak timonin majtas se po ecën shumë djathtas. Ne e dimë që shteti me taksa mbahet, por jemi njerëz të sëmurë, me ilaçe”.

Rama ka thënë se qeveria e tij e ka hequr taksën në ilaçe dhe e ka zgjeruar listën e personave për rimbursime. Ai ka theksuar se tarifat për shërbime nuk bën të ngatërrohen me taksat.

“Sot ka një dallim në asksesin e medikamenteve, në krahasim me më parë. Ne kemi hequr taksën e ilaçeve. Kemi përfshirë në listën e rimbursimeve 600 mijë njerëz që nuk janë pjesë e sistemit të sigurimeve. Nëse do bënim një llogari të përgjithshme, të gjitha këto para janë para që i paguan buxheti i shtetit. Nëse njerëzit ishin mësuar të mos paguanin ujë e drita, këto s’janë taksa, janë pagesa për shërbime që si çdo mall paguhet”, ka thën Rama.

Një tjetër minator ka kërkuar mbështetjen e qeverisë për familjet e minatorëve që humbin jetën në minierë.

Kryeministri Rama ka treguar se qeveria e tij ka në plan t’ua imponojë kompanive sigurimin e jetës së minatorëve.

“Rruga nuk është buxheti. Rruga është sigurimi i jetës dhe ne e kemi pjesë të planit që t’u imponojmë kompanive sigurimin e jetës së çdo minatori”, është shprehur Rama.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *