Reforma në drejtësi, si mit dhe realitet!

16 Prill 2018, 08:32Blog TEMA

Nga Alfred Peza

Nëse do të bëhej ndonjë studim se cili ka qenë togfjalëshi më i përdorur në Shqipëri gjatë 2-3 viteve të fundit, me siguri që do të ishte: Reforma në drejtësi! Ndërsa si fjalë: vettingu! E kjo e ka një shpjegim. Kryesorja me siguri lidhet me retorikën politike fillimisht, me inflacionin e jashtëzakonshëm që ky togfjalësh pësoi për shkak të debatit parlamentar, mediatik dhe publik mbi reformën. E më pas, për shkak të efekteve që solli qartësimi se çfarë do të sillte ajo për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pushteti i drejtësisë konsiderohej dhe perceptohej si kolona më e kalbur e shtetit shqiptar. Për shkak të kalçifikimit të kulturës së mosndëshkueshmërisë, procesi i hartimit, miratimit dhe implementimit, reforma në drejtësi u shoqërua me disa rekorde. Ku mes tyre shkëlqen: mbështetja me rreth 95% të qytetarëve për këtë proces. Nga ky presion popullor por edhe për shkak të vendosmërisë së ndërkombëtarëve, për herë të parë një reformë në Shqipëri u votua me 100% të votave të 140 deputetëve të Parlamentit.

Të vetmit grup shoqëror që kjo reformë ndoshta deri në miratim, iu duk më e largët se sa gjithë të tjerëve, ishte ai grupit të 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit. Por edhe një pjese të lidershipit politik, që kishte akses të plotë mbi drejtuesit e organit të akuzës dhe pikat kyçe të gjyqësorit. Sepse, ata ishin të fundit në këtë botë, që u interesonte, ndryshimi i “status quo”-së.

Sigurisht që në gjithë këtë përplasje kaq ekstreme interesash mes shoqërisë dhe një pjese të elitës së kalbur e të korruptuar, ka patur edhe një dimension tjetër. Me sa duket, ajo qenka e pashmangshme në rastet e një trazimi kaq të fortë të ujërave të një kënete që rrezikonte të thithte brenda llumit të saj, gjithë ëndrrat, shpresat dhe prespektivën e gjeneratave të sotme. Dhe reformat e thella strukturore të shtetformimit modern, e paskan këtë cilësi.

Ajo lidhet me mitin e krijuar rreth kësaj përmbysje kaq të madhe dhe realitetit që ajo pritet të sjellë në vijimësi. Mitizimi i reformës në drejtësi është ushqyer me legjenda nga të gjitha kahjet, duke krijuar nga njëra anë idenë se nëpërmjet saj ishte gjetur më në fund çelësi i shpëtimit nga të gjitha dertet e këtij populli hallemadh. E nga ana tjetër, miti i rremë se e gjitha çfarë po bëhet ka vetëm një qëllim: Ndërrimin e kuajve të karrocës së drejtësisë, e bashkë me huqet e tyre, edhe ndërrimin e karrocierit.

Mazhoranca qeveritare e ka lidhur përgjithësisht këtë reformë me një nga kushtet themelore që Brukseli i kishte vendosur Shqipërisë në rrugën gati të pamundur të anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian. Ndërkohë që lidershipi i opozitës megjithëse e ka votuar reformën dhe është shprehur publikisht pro integrimit, aksionin e saj opozitar e ka ndërtuar mbi gjetje që janë lexuar si përpjekje për ta penguar atë. Një sjellë sa nga dhimbja që të sjell humbja e monopolit mbi një pushtet kaq të rëndësishëm dhe ca nga frika për atë që mund të sjellë drejtësia e re, për sjelljet e tyre të vjetra.

Mediat gjermane fillimisht dhe burimet zyrtare të Brukeslit sëfundi, kanë konfirmuar se në raportin e progresit që publikohet të martën më 17 prill, Shqipëria dhe Maqedonia pritet të marin rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Sipas “Deutsche Welle” në “Paketën e zgjerimit”, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, liria e shprehjes dhe konfliktet bilaterale janë vlerësuar sërish si “çështjet më të dhimbshme” për të gjithë rajonin.

Sipas Eduard Kukan, Kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perendimor,  “Shqipëria ka bërë një reformë të thellë në drejtësi, e cila, pasi të zbatohet do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit, dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE.”

Pas kësaj, kuptohet edhe më mirë se përse reforma në drejtësi është më shumë se sa një togfjalësh i keqpërdorur. Atë ndoshta do ta kuptojmë më mirë pasi ëndrra europine e shqiptarëve, të bëhet realitet./Alpenews.al

1 komente në “Reforma në drejtësi, si mit dhe realitet!”

  1. amla says:

    Po c’reforme kur nuk te futi ty o hajdut ne burg?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje