Kosova viktimë e Turqisë dhe Serbisë

18 Prill 2018, 13:26Rajoni TEMA

Si duhet të lexohen raportet e fundit të BE-së? Edhe kësaj radhe ato janë përplot «diplomaci», ndryshe pra nga perceptimet, analizat dhe qëndrimet që de facto i kanë primatët që përbëjnë Këshillin e Ministrave të BE-së. Kandidatët e ardhshëm reale janë Mali i Zi, Shqipëria, pastaj edhe Maqedonia. Tjerët shihen si satelite blloqesh tjera. Zgjerim mirëpo – siç tha presidenti Macron – nuk ka para se të rregullohet vetë BE, e cila ka devijuar totalisht.

Nga Xhemal Ahmeti

1.Dje, me 17 prill, «Bashkësia Europiane» publikoi «Prologun» e «Raporteve të Progresit», që do të pasojnë për çdo shtet të të ashtuquajturit Ballkan perëndimor veç e veç. Parathënia, krahasuar me raportet që u dorëzohen personalisht qeverive juglindore, nuk konsiderohet dot si kondensator, hyrje, përmbledhje korrekte e asaj se si realisht vlerësohen, se si perceptohen re ipsā aspirantët për në klubin e Brukselit. Teksti është politik, «diplomatik», eufemik dhe i asaj linje që në asnjë mënyrë nuk dëshiron të dekurajojë as Turqinë e lere më vendet tjera, tek të cilat BE vërtet synon ndikim.

Dy deklarata paralelisht me publikimin e «Prologut të Raporteve të Progresit» qartësojnë gjithë kontestin më së miri: Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker zbërtheu arsyen e retorikës gatipsalmeske ndaj kombeve juglindore kur tha:

«Nuk do të dëshiroja të shoh sërish luftëra në Ballkanin Perëndimor».

Kur kemi parasysh se reformat që kërkon BE ndodhin vetëm atëherë kur Hoyt Lee dhe Donald Lu ecin vërdallë Gadishullit duke shpërndarë ultimatume, atëherë lehtë dekodojmë peshën dhe esencën e floskës nga Brukseli. BE si tradicionalisht ashtu edhe aktualisht nuk ka kapacitete për të ndaluar, fituar apo drejtuar luftëra. Shkakun e këtij fragiliteti, tashmë kronik, e shpalon deklarata tjetër e së njëjtës kohë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron;

«Para nesh ka një rrezik gjeopolitik nëse Ballkani Perëndimor lëviz drejt Turqisë ose drejt Rusisë. Ky është rrezik Nuk dua që Ballkani të kthehet drejt Turqisë ose Rusisë, por nuk dua që Evropa të ketë probleme të funksionojë me 28 anëtarët e saj (…) nën të njëjtat rregulla».

Fjalia e parë e Macron është përgjigje ndaj Junckerit: Jo luftërat e mundshme në Ballkan janë problemi krucial i organizatës, por paaftësia e BE-së për të sfiduar ndikimin rus dhe atë turk aty. Ndërkaq fjalia e dytë shkul nga thellësia e nxjerr në sipërfaqe devijimin total intern të Unionit, i cili s’ka aspak të bëjë me kandidatët por me anëtarët e saj si Polonia, Hungaria, Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia.

I ndodhë BE-së ajo e njëjta që dikur Denis de Rougemont e formuloi si: «rënie për shkak të anarkisë së kombeve të saja» [Europa. 1962: 221] që ia adresoi OKB-së, tashmë vërtet total të defaktorizuar?

2.Polonia gjendet në procedurë të sanksioneve eventuale për shkak të shkeljes së shumicës të normave dhe vlerave të BE-së. Vendlindja e Gjon Palit të II-të tashmë nën regjinë e konservatorit nacionalist Jaroslaw Kaczynski dhe kryeministrit Morawiecki ka hartuar disa plane nën nofkën «Polexit» sipas mostrës paraprake «Brexit». Polonia në mënyrë sistematike suspendon shtetin ligjor, demokracinë liberale dhe të drejtat e njeriut – tri shtyllat këto të Kontratës me BE-në për çdo kandidat. Hungaria e Viktor Mihály Orbánit të Fidesz në këtë drejtim është edhe më brutale: as dy doajenëve e despotive aktuale si Putini dhe Erdogani nuk kanë ditur më me perfiditet të çmontojnë çdo liri qytetare në favor të monopartizmit si primatët aktualë të Warszawa-s. Spanja me rastin e Katalonisë dhe lirimin e presidentit katallan Carles Puigdemont nga gjykata gjermane dëshmoi se fryma e Francisco Paulino

Hermenegildo Teódulo Franco y Bahamonde Salgado Pardo ende është burimi më masiv edhe i krenarisë së spanjollit të sotëm. Ekonomikisht, vendi nga grupi i anëtarëve veteranë të lidhjes, vazhdon të jetë «rasti më social» dhe i pashpresë i Unionit. Greqia mezi shpëtoi nga bankroti total. Megjithatë asgjë nuk e modeston popullin postbizantin të «Malit Athos» që mos të shkel në emër të legjendave të huaja të drejtën e qindra mijë personave që të quhen si të duan ata; asnjëri shtet tjetër përveç ky i kalkidikëve aq të privilegjuar nga eurocentrizmi infantil i perëndimorëve dhe sivëllezërve të tyre serbe (por këta s’janë në BE) nuk shkel të drejtën ndërkombëtare rreth sovranitetit dhe lirisë e popujve të quhen ashtu siç ndihen – sidomos kur asnjë shtet tjetër nuk quhet i tillë dhe kur kihet parasysh se Greqia emërimin e krahinave me Maqedoni e bëri pas shpalljes së FYROM shtet të pavarur. Rumania ka degraduar komplet në luftën kundër korrupsionit – çka donë të thotë se nuk e lufton por e shumon. Diskriminimi i minoriteteve ndaj hungarezëve dhe romëve është eklatant dhe para eksplodimit. Sllovakia nuk ikë nga BE vetëm për shkak të fondeve, përndryshe i njëjti sistem si në Hungari është në instalim e sipër.

3.Gjitha këto shtete që radhitëm shkelin këmbeduar parimet, vlerat dhe marrëveshjet që janë esenca dhe fiziologjia e BE-së. Si ka mundësi që një organizatë që në flamurin e saj ka të drejtat dhe liritë njerëzore nuk e përjashton nga kontakti Turqinë që me hov ecë drejt sheriatit; me miliona të arrestuar, përjashtuar nga puna dhe të linçuar nga çdo e drejtë njerëzore? Pse BE i bën presion Zaevit ta njohë njërin nga emrat e propozuar e kundër dëshirës së demosit të tij e nuk i thotë Greqisë që ne klub me legjenda të tilla qesharake nuk ka vend. Grekët kanë luftuar me Maqedoninë e Filipit dhe Lekës së madh dhe sllavët s’kanë qenë hiçfare aty atëkohë – historia i ka riprodhuar këto fakte mijëra herë e përherë më bindëse. Po ja që në atë Maqedoni ka edhe kultura tjera post-athos-ike që mund të përdorin Maqedoninë si referencë. Jo mirëpo këta që përlahen për atë hipotekë historike. Përse Mogherini truset para agresivitetit spanjoll që ende sheh ëndrra imperiale edhe pse rast social dhe ushqehet nga Katalonia dhe nuk lejon autonominë e plotë të sajë dhe tjerëve që s’duan të jetojnë në atë monarki tashmë të demoduar? E drejta e popujve, liritë njerëzore, e drejta në referendum? Pse janë ende në BE Hungaria dhe Polonia duke shkelur çdo obligim? Së paku pse nuk janë në procedurë të përjashtimit ose ende të pasanksionuara? Me këtë ambiguitet që BE përdor ndaj anëtarëve dhe kandidatëve përçon të vetmin mesazh që edhe perceptohet gjithandej: «Sillu sikur ke plotësuar kushtet që i kërkojmë dhe kur të hysh bën çka të duash, mbyti tjerët, fqinjët, popullin që ke nën pushtet. Bën çka të duash pra»!

4.BE nuk mund të pres si kontinentalët gjatë luftës së dytë botërore që amerikanët të zbresin në Normandi saherë që këta s’dinë mëtutje. Ashtu siç bëri së fundi sërish Washingtoni me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Këto vende janë tashmë favoritet reale për në BE ngase aty asistojnë me ngulm e pa pardon amerikanët me britanikët e jo se vepron Hahn-i me ekuipazhin e tij plotë me delegatë të shteteve të veçanta që sabotojnë duke parainformuar për gjithçka Greqinë, Serbinë dhe tjerët.

Për këto probleme e ka Macron fjalën. Aderimi i kandidatëve të rinj pa zgjidhjen e këtyre problemeve ekzistuese është sikur tenton ta shërosh një të helmuar duke i pompuar në damarë edhe më helm. Së shpejti pritet që kësaj kritike t’i bashkëngjiten me aksione konkrete edhe Gjermania, Skandinavët, Italia dhe Austria.

Mosfavorizimi i disa vendeve dhe çelja e negociatave me të tjera a është rezultat i kësaj politike fragjile, jotransparente, jokorrekte, ambivalente e Brukselit? A do të jetë e mundshme që gjithë vendet e Ballkanit të futen bashkë në BE? Dy herë dhe sipas realpolitikës (jo asaj të raporteve dhe kontingencave): Jo! Shumica e qeverive që duan të futen në BE nuk kanë vetëm aspirata pozitive për në klub por edhe negative. Ato aspirojnë të hyjnë aq sa për mirëqenie e

paqe poashtu aq edhe për të përdorur veton ndaj fqinjëve të tyre gjatë kontesteve. Relacioni aktual negativ i BE-së me treshen Serbi-Kosovë-Bosnjë ndërtohet nga këto dy dimensione: 1. Animi serb pro Rusisë, politikat proturke të Kosovës dhe destruksioni serboruso-turk në Bosnjë 2. Si pasojë e këtyre ndikimeve shtetet në fjalë nuk implementojnë seriozisht shtetin ligjor, tregun e lirë në vend të tregut të zi qeveritar (tenderët dhe denacionalizimi i ekonomive në favor të ndikimeve politike), nuk praktikojnë në masën e duhur të drejtat dhe liritë njerëzore dhe nuk luftojnë korrupsionin ose e bëjnë atë anë formë kozmetike; nuk demokratizohen drejt liberalizmit por drejt njëpartizmit (Serbia) dhe tjera si këto.

Serbia do të jetë e fundit që do të mundet të hyjë në BE. Këtë e dinë primatët në Beograd para se Brukseli të publikojë diçka, prandaj edhe polemika po me këtë temë nisi qysh një muaj para se të shpallen raportet. Në këtë rast vlen ajo që nuk thuhet por dihet: Pa NATO s’ka BE në këtë rast! Situata ndryshon nëse Serbia braktis përfundimisht Putinin, ndryshe jo.

Kosova ndjek Serbinë në këtë drejtim. Jo me Serbinë por me Turqinë: deporton njerëz, mbyllë banka, dhe resorët kryesorë të ekonomisë ia ka dhënë kastës së Erdoganit. Veç tash – sa herët! – ministri Abelard Tahiri gëzohet për miratimin e një pako ligjesh konform kërkesave të BE-së. Ç’bëtë deri tash? Të mos veprosh në kohë donë të thotë dikush bllokon. Duke komentuar raportin e BE-së Presidenti Hashim Thaçi tha se është lodhur me raporte, duhet që Brukseli ta trajtojë sikur tjerët? Sikur cilin? Paraprakisht: në bazë të cilit mandat flet Thaçi me Brukselin? Si ministër i jashtëm, kryeministër, i mandatuar nga Parlamenti për Integrimet, i mandatuar si dialogues me Beogradin apo si ndërmjetësues i Erdoganit – siç perceptohet së fundi korridoreve dhe zyrave të Brukselit?

Thaçi shkruan:

«Kosova ka vullnet të mjaftueshëm politik për të intensifikuar hapat e saj drejt integrimit në BE».

Pse atëherë kjo ngecje në implementimin e reformave në drejtësi, arsim, shëndetësi, ekonomi? Pse Shqipëria mundi? Se Rama vesh patike dhe brekë të gjata si ato Kazait afgan? Pa mandat, pa plotësuar asnjë kusht si duhet dhe arrogant?

Kosova duhet të plotësojë kushtet dhe të kontribuojë vetë për paqen. Ndërkaq me sigurinë e rajonit merret BE dhe tjerët s’ka pse humb energji Hashim Thaçi për këtë punë. Ashtu siç do të bëjë BE për të eliminuar barrikadat e veta brenda, duhet edhe partitë kosovare të qartësojnë orientimin, agjendën dhe të jenë aktiv, jo si deri tani sa për farsë e duke dashur të mjelësh të gjithë, por me transparencë dhe seriozitet institucional.

5.Pas një hulumtimi të tekstit dhe nëntekstit të raporteve publike, analizave jopublike dhe këmbimeve dokumentare të veçanta bilaterale të shteteve kryesore të BE hierarkia (aktuale) e integrimit dhe zgjerimit është ky:

1.Mali i Zi – Shqipëria

2.Maqedonia

Kosova dhe Serbia varen nga njëra tjetra dhe Rusia e Turqia. Gjersa Serbia e ka shumë rëndë të ndahet nga Rusia e të aderojë në NATO mbetet kandidati më i pashpresë. Kosova – bazuar në disponimin e partive – ka gjasa ta ndryshojë këtë gjendje, duke profesionalizuar dialogun dhe duke nacionalizuar ekonominë, gjyqësinë dhe duke implementuar me rigorozitet konventat europiane mbi të drejtat dhe liritë e njeriut e të llojit. E për ta nis një front të këtillë asaj i duhet eliminimi i bllokadave – se cilat janë u tha pak më lartë.

2 komente në “Kosova viktimë e Turqisë dhe Serbisë”

  1. Dibrani says:

    Erdogan Mongoli sulltani i zagarve

  2. Klimax says:

    Turku Xhamal Ahmet i “evropianizuar” me perzierje mentaliteti te nje historiku sllav (me sa duket eshte brymosur ne rinine e hershme te tij me librat e historise te Titos) dhe nacionalisti shqiptar te pas vitetve 1990 na “shpjegon” historine e Maqedonise (te Lashte dhe te Re)!!!!
    Ky tip duke “harruar” se shtet-formimi ne periudhen e Greqise se Lashte ishte qytet-shtet, na “verteton” se meqenese Filipi II dhe me vone Alexandri i Madh (Leka sipas tij) fituan ndaj Athines, Thives, Spartit, etj tregon se ata nuk kishin asgje te perbashket me greket!!!!!!!
    Po mire more Xhemal Ahmet apo Jon Leka, edhe Sparti Luftoi ndaj Athines apo Athina ndaj Spartit (kush nuk ishte grek nga keto dy qytet-shtete??!!), nje lufte qe zgjati mbi 27 vjet duke shkaterruar plotesisht shkelqimin e Athines, aq sa ju nevojiten me shume se 50 vjet kesaj te fundit te fillonte rikthimi i lavdise se dikurshme dhe kjo fale edhe Filipit II e ne vazhdim Alexandrit te Madh dhe mbi te gjitha ishin ata qe bene te mundur ribashkimin e aleancave dhe miqesive midis qyteteve-shtet te civilizimit grek duke i zhvilluar ato edhe me lart, nje civilizim qe u percua nga Egjypti deri ne Indine e sotme me fushatat e Alexandrit te Madh! Apo mos valle “shikon” ndonje civilizim romak apo ilir ne rrugetimin 10 vjecar te tij??!!
    Nga ana tjeter cfare i lidhte fiset ilire me maqedonet? Asgje! Jo vetem qe nuk ishin aleate, por ishin armiq me njeri-tjetrin dhe kjo vertetohet nga ngjarjet historike ku Filipi II dhe Alexandri i Madh me betejat ushtarake te tyre shtypen cdo tentative te fiseve ilire per zgjerime territoresh!
    Nga ana tjeter shqetesohet perse BE-ja ben presion ndaj “te drejtes” (sipas Xhemal Ahmet) se kryeministrit sllavo-maqedonas Zoran Zaev!!!!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje