Kukuvajkat!

18 Prill 2018, 20:26Blog TEMA

Nga Anri Bala

Vendimi i rëndësishëm i ditës së djeshme, për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë, ishte me të vërtetë një ditë e veçantë, për shumë shqiptarë.

Them për shumë, se nuk mund të themi për të gjithë… kur në këtë vend të bekuar jeton edhe një racë e mallkuar, që nuk e di se çfarë mitre e ka ngjizur, antishqiptarë, por “patriotë”, që dje kanë qarë, pavarësisht se me shpirt ndërdhëmbë, janë munduar të qeshin… duke heshtur.

Kjo racë, as që u ndje, a thua sikur kishte rënë mortaja, në shtëpinë e tyre dhe po priste të merrte veten nga goditja. Përveçse dy tre të dëbuarve, si plangëprishës, që i jepnin këshilla qeverisë dhe i tregonin vendin “hajnit të partisë”, të gjithë heshtën deri dhe mediat e tyre të krra-krraut.

Asnjë fjalë, asnjë klithmë, asnjë krra-krra, nga ato të përditshmet… korbash. Korbat që kanë ditë, muaj, e vite që krrakërisin, e harruan këngën! Madje, u shqetësuam, se përse kaq shpejt u erdhi ngordhja… se edhe korbat duhen, për veshët shurdhë dhe ata të zënë me dyllë?! Por gabuam, sepse u zgjuan… të trembur, por  gjallë dhe gjallë!

I pari “kukudhi” nga ërrësira, kërcëlliti dhëmbët që i kanë mbetur në gojë, kur kryekorbi e zbrazi thesin e gurëve, duke i qëlluar “Shqipërisë me gurin e fundit”: Do ta shikoni në Qershor!

Pas tij, tufa e mbetur nga bomba e fundit që ra mes tyre, e mori sinjalin e krrakëritjes së mekur të kryekorbit. U gjallërua edhe ajo!

Ca korba minaresh e qiparizesh, që nuk besonin se  Doruntina mbërriti në shtëpi, filluan avazin për copën e djathit të humbur, duke u pikëlluar për gëzimin e të tjerëve, që nuk bënin pjesë në racën e tyre.

Këtyre të shkretëve, që i duan, e kanë folur me kukudhin, duke krrakëritur si korbat përditë, po u themi: Mos mbani shpresë, sepse ka rënë “flama”, edhe nëse vazhdoni krrakërisjen përsëri, asgjë nuk do ndryshoi për ju!

Ndërsa, orlat e racës pa ngjyrë dhe moral, që silleshin rrotull, për të rrëmbyer çfarë u shikonte syri, u kthyen në kukuvajka. Kanë ditë që qajnë… e na qajnë se: Ditë të këqija po vinin, e se pas këtij vendimi nga “shurdhët dhe qorrat” europian, për Shqipërinë e friksuar, që nuk do të dijë nga të shkoi, foleza më e ngrohtë është ajo e saj me lesh, li dhe miell p…, ku mund të strehohesh nëse paguan, e askush nuk mund të të gjejë e të të trazoi.

“Drejtësi e kapur, krim i madh, vjedhje e madhe dhe kthim mbrapa, si në vitet më të këqija”, parashikon më i famshmi i racës së këtyre  grabitqarëve, “petriti pa pupla”, që po na ruan nga larg, e po na lajmëron, për të na shpëtuar nga… vetvetja e të tijët. Në të vërtetë, nuk e presin Shqipërinë dhe shqiptarët ditë më të zeza, por grabitqarët e llojit “antishqiptar patriot”.

Tashmë, nuk ka arsye që të besojmë kukuvajkat, që po vajtojnë, për vdekje e ngordhje mes tyre, por duhet t’i ndihmojmë grabitqarët, që po u bien puplat nga “flama”, që sa më shpejt të futen në ujin e valuar, duke mos i lënë të presin me tmerr, për të marrë atë që u takon sojit të tyre… thikën e kasapit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje