Rama mesazh opozitës: Mos çoni baltën e politikës në zyrat e Europës, jeni bërë qesharakë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Kryeministri Edi Rama akuzoi opozitën se ka transportuar baltën, fjalorin dhe sherrin e brendshëm politik në vendet e BE, duke folur kundër Shqipërisë dhe për rrjedhojë kundët integrimit evropian të vendit.

Duke folur në seancen e sotme parlamentare pas rekomandimit të KE për regomadimin për çeljen e negociatave, Rama me ironi tha se “kemi një opozitë qesharake e cila është gati gati të thotë vetë, se ne me zgjedhje nuk ju mundim dot, por ne do bëjmë tonën”.

Fjala e plotë e Ramës në Kuvend

Së pari, dua të falënderoj të gjithë deputetët dhe deputetet e Partisë Socialiste për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë, qoftë gjatë mandatit paraardhës, qoftë në vijim për të garantuar se Reforma në Drejtësi dhe më pas ligji i Vetting-ut të mos mbeteshin një dëshirë popullore dhe një ambicie kombëtare e parealizueshme, por të ktheheshin në norma kushtetuese dhe ligjore për zbatim.

Iu jam shumë mirënjohës të gjithë deputetëve që u përfshinë në procesin e hartimit të Reformës në Drejtësi, si dhe çdokujt ndër anëtarët dhe anëtaret e grupit tonë parlamentar që garantoi këtë reformë me vendosmërinë e duhur, edhe pse e kujtojmë të gjithë shumë mirë, sepse është një kujtim i freskët, që, në momentin kyç mes kalimit të Reformës dhe dështimit të saj, vetë qeveria dhe shumica jonë qeverisëse ishte e kërcënuar.

Një falënderim i veçantë për anëtarët dhe anëtaret e Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, për Komisionin e Ligjeve dhe patjetër edhe për të gjithë ata që e mbështetën punën e udhëhequr prej nesh në rolin ekspertëve të jashtëm nga bota akademike dhe nga vetë brenda sistemit të drejtësisë.

Sot Shqipëria ka fituar një staturë të re në shoqërinë e vendeve europiane dhe rekomandimi pa ekuivok i Komisionit Europian është një dëftesë kuptimplotë që mishëron kryerjen një për një të detyrave të shtëpisë nga vendi ynë, në funksion të çeljes së negociatave për anëtarësim.

Një fazë historike e rëndësishme është mbyllur dhe një fazë tjetër historike ka nisur, sepse procesi që kemi përpara nesh është një proces përgjegjësish të mëdha dhe sfidash të rënda.

Gjithçka kemi bërë me sforco dhe durim të madh deri tani nuk do të thotë aspak se ka përfunduar nga pikëpamja e domosdoshmërisë për të investuar energji të jashtëzakonshme në këtë proces, por, përkundrazi do të thotë se duhet shumëfishuar.

Dua të theksoj që Komisioni Europian është një mekanizëm i pamëshirshëm në leximin e çdo aspekti që lidhet me detyrat e dhëna me shkrim dhe rekomandimi për hapjen e negociatave është i bazuar vetëm në një element, në meritën.

Komisioni Europian nuk bën dhurata dhe as nuk ka bërë ndonjëherë gjeste bujarie për askënd. Në këtë aspekt, ka një vlerë të jashtëzakonshme fakti se Komisioni Europian ka njohur progresin e bërë mjaftueshmërisht për të arritur në një vendim aspak të lehtë për Komisionin, në kushtet kur Europa e bashkuar nuk është në ditën e vet më të mirë, në raport me projektin e madh të zgjerimit.

Sigurisht që, në këtë proces dhe në këtë arritje të jashtëzakonshme historike për Shqipërinë kanë pasur rolin e tyre të gjitha aspektet, të gjitha prioritetet, nga e para deri tek prioriteti i pestë, por themelore ka qenë beteja jonë për Vetting-un, një betejë, të cilën ne e zhvilluam me forcë dhe vendosmëri në kushtet kur ishim vetëm.  Natyrisht, vetëm në këtë sallë, jo vetëm në këtë betejë, në kuptimin e mbështetjes së madhe, qoftë popullore, qoftë ndërkombëtare. Të gjithë e kujtojmë që në vitin 2016 Shqipëria mori një rekomandim për çeljen e negociatave me mirëkuptimin (nënkupto kushtin) që procesi i Vetting-ut të shkonte përpara.

Sot, Shqipëria ka marrë rekomandimin e pastër, pa kushte, të drejtpërdrejtë për të gjitha vendet anëtare, pikërisht sepse Vetting-u ka filluar të japë rezultatet e para. Por, në të gjitha aspektet ka një dallim të madh mes fazës që është mbyllur dhe fazës që sapo ka nisur. Për ta kuptuar këtë dallim, shembulli më i thjeshtë dhe më kuptimplotë është pikërisht procesi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetting-ut.

 Nëse deri tani për të mbyllur një fazë ka mjaftuar që Vetting-u të nisë dhe si rezultat i Vetting-ut, 21 persona, deri në momentin që po flasim, të vetëpërjashtohen, apo përjashtohen nga sistemi i drejtësisë, faza e re kërkon që jo vetëm sistemi të pastrohet nga të gjithë gjykatësit e prokurorët e korruptuar, por të veprojë si një sistem i pastër ndaj kujtdo që ka hesape për të larë me drejtësinë, që do të thotë, se, nuk do të mjaftojë që këta gjykatës dhe këta prokurorë të largohen, do duhet që të përgjigjen, ashtu sikundër do duhet të përgjigjen politikanët, zyrtarët e lartë dhe padiskutim të gjithë shkelësit e tjerë të ligjit përballë një drejtësie të çliruar nga të korruptuarit dhe të zgjidhur nga zinxhirët e ndryshkur që po këputen të kapjes për fyti të drejtësisë prej politikës.

Pra, është një fazë e re e vështirë që do të kërkojë zbatimin në realitet të forcës së sistemit të drejtësisë në raport me shkelësit e ligjit.

Nga ana tjetër, është me fort rëndësi të theksohet se në këtë fazë të re, siç ka ndodhur me të gjitha vendet që kanë çelur negociatat me Bashkimin Europian vendi fiton një fuqi të re tërheqëse në aspektin e zhvillimit ekonomik; fiton një fuqi të re bindëse për investimet e huaja; fiton një fuqi të re negociuese në raport me domosdoshmërinë për të rritur këtu, në vendin tonë, praninë e kompanive të mëdha që krijojnë punë dhe që hapin rrugën për të hyrë në një fazë të re edhe në shpërblimin e punës.

Ka mbetur tërësisht jashtë vëmendjes dhe është e natyrshme aspekti i raportit që është materializuar me rekomandimin që lidhet me ekonominë.

Nëse shohim se çfarë shkruhet në këtë raport, kemi, e zeza mbi të bardhë, pasqyrën e një progresi shumë të rëndësishëm që përbën dhe bazën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit.

Nëse shohim shifrat, që janë shifrat e Komisionit Europian dhe të mos harrojmë që është Komisioni Europian mekanizmi, e përsëris, më i papërkulshëm, kur vjen në raport me çdo shifër e sidomos edhe me shifrat e ekonomisë, ku Shqipëria ka shënuar një progres të dukshëm, qoftë në rritjen ekonomike, qoftë në uljen e papunësisë, qoftë në balancën e brendshme të llogarive të shtetit.

Nëse jemi rritur nga 0 presje diçka ku e nisëm, në afro 4%po t’i referohemi vitit të shkuar, këtë vit do të rritemi të paktën me 1 pikë mbi 4 dhe projeksioni ynë, gjë për të cilën jemi zotuar edhe në fushatën e qershorit të shkuar, është që brenda këtij mandati ne të kapërcejmë pragun e 5% rritje ekonomike, që do të thotë, të arrijmë në një pikë ku rritja ekonomike nuk është thjesht një statistikë për shumëkënd, por është një vlerë e shtuar, e prekshme në ekonominë reale të çdo familjeje shqiptare.

Sigurisht që do të kishte qenë vërtetë shumë më mirë që në këtë proces ne të ishim të gjithë bashkë, jo kështu ku shumica ka qenë e pranishme dhe e gatshme për të përballuar çdo sfidë dhe e vendosur për të fituar çdo betejë dhe pakica ka qenë e munguar, ose e kundërvendosur, qoftë kur ishte fjala për të kaluar ndryshimet kushtetuese, qoftë kur ishte fjala për të kaluar ligjin e Vetting-ut, qoftë sot kur është fjala për të mos shfrytëzuar askënd dhe askund në Europë për t’i nxjerrë bishta Shqipërisë.

Dua të bëj një dallim. Rekomandimi i Komisionit Europian është dokumenti që provon se ne i kemi bërë një për një të gjitha detyrat. Vendimi i vendeve anëtare është momenti kur edhe politikisht Shqipëria duhet të mbështetet. E natyrisht që drejt atij momenti, jo të gjithë, jo gjithkund janë dakord, jo sepse domosdoshmërisht kanë një problem me Shqipërinë, por sepse sot në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian dhe sidomos në vendet e mëdha ka një dinamikë e cila flet qartë për rritje dhe kërcënim të projektit të Europës së bashkuar nga individë dhe forca që duan mbylljen dhe jo zgjerimin.

Në këtë aspekt, është e papranueshme dhe e pafalshme në raport me historinë dhe në raport me popullin shqiptar, që qoftë dhe një shqiptar i vetëm që ka mundësinë të komunikojë me këdoqoftë në çdo nivel në vendet anëtare të Bashkimit Europian t’i bashkohet këtyre individëve dhe këtyre forcave, duke ushqyer me propagandën e baltës së prodhuar në vend për politikë të brendshme në Shqipëri ata individë dhe ato forca. Kjo është ajo që ka ndodhur edhe në Berlin 48 orë më parë. Kjo është ajo që fatkeqësisht do vazhdojë të ndodhë deri në sekondën e fundit. Kjo është ajo që e bën realisht të sekëlldisshme marrëdhënien me opozitën, e cila është larg së qeni aq e pjekur për të qenë në lartësinë e këtij momenti, ku çdo shqiptar që ka mundësi të thotë një fjalë për vendin e vet në gjuhë të huaj të thotë fjalën e duhur në shërbim të vendit të vet.

Sigurisht që pa Partinë Socialiste dhe pa qeverinë e Partisë Socialiste, Shqipëria nuk bëhej dot vend kandidat, pavarësisht përrallave që tregohen pas beteje, Shqipëria nuk e merrte dot rekomandimin e kushtëzuar të 2016-ës, Shqipëria nuk e merrte dot rekomandimin për të çelur negociatat sot. Kjo nuk diskutohet! Por ama kjo nuk do të thotë që kjo është një fitore e Partisë Socialiste, apo e qeverisë, apo e imja, sepse në fund të ditës ky është një rezultat për të cilin është punuar për shumë e shumë vite, pavarësisht se dikush ka bërë më shumë e dikush ka bërë më pak, pavarësisht se në një periudhë të historisë, Shqipëria ka ecur më mirë e në periudha të tjera ka rënë në gropë.

Në këtë aspekt, unë dua të nënvizoj edhe njëherë, që, është shumë e madhe për ardhmërinë e vendit kjo përgjegjësi dhe është shumë i madh interesi i vendit në këtë moment për të mos përsëritur se ne duam dhe kërkojmë dhe jemi të gatshëm që të bëjmë gjithçka që na takon e që mund ta bëjmë, nëse mund ta bëjmë, që opozita në rastin më të mirë të mos flasë kundër Shqipërisë, duke eksportuar nëpër kryeqytete të vendeve anëtare, baltën e prodhimit të përditshëm vendas, 100 metra nga këtu dhe pastaj në rastin ideal të bashkohet me ne në këtë përpjekje, sepse çelja e negociatave nuk është anëtarësimi dhe rruga drejt anëtarësimit është e gjatë dhe në këtë rrugë duhet kontributi i të gjithëve dhe në këtë rrugë duhet marrë shembulli i të gjitha vendeve që ia kanë dalë me sukses.

Betejat e brendshme politike janë të ndezura edhe në vende të tjera, historikisht. Kacafytja mes shumicës dhe opozitës ka arritur pika kulmore dhe në vende të tjera që sot janë anëtare të Bashkimit Europian. Por kurrë asnjë vend që sot është anëtar i ri i Bashkimit Europian nuk e ka eksportuar baltën e brendshme, nuk i ka eksportuar sherret e brendshme, nuk e ka eksportuar fjalorin për politikën e brendshme në zyrat ku gjykohet vendi si i tërë dhe prandaj ia kanë dalë më shpejt dhe më mirë se ne.

Mjafton t’ju them rastin më aktual, Bullgarinë. Bullgaria sot është presidente e radhës e Bashkimit Europian. Konflikti politik në Bullgari ka qenë dhe është një konflikt i ndezur mes opozitës dhe qeverisë. Ama, në programin e presidencës bullgare ka kontribuuar njësoj, nga pikëpamja e angazhimit, edhe qeveria edhe opozita. Nuk ekziston një Komision tjetër i përbashkët parlamentar që shkon në Bruksel që të bëjë atë që bën Komisioni ynë i përbashkët parlamentar, që e kthen bashkëbisedimin me palën tjetër në një seancë teatri lokal, ku pala tjetër rri përballë dhe shikon se si zihen shqiptarët me njëri tjetrin.

Nuk ekziston! Nuk ekzistojnë deputetë dhe përfaqësues opozitash në vendet e tjera që të vijnë vërdallë korridoreve të Brukselit, apo korridoreve të tjera në kryeqytetet e Europës me çanta në dorë, mbushur me dokumente propagande kundër vendit të tyre, se në fund të ditës, sado të thuash që këto janë fakt kundër një qeverie që nuk e po e qeveris mirë vendin tim, për ata që i marrin ato dokumente ato janë dokumente që shkojnë kundër vendit.

Natyrisht, na takon ne një përgjegjësi më e madhe sesa këtyre që nuk janë sot këtu dhe që kanë kohë që nuk janë fare prezent në skenën e debatit dhe të alternativave politike, por janë të pranishëm vetëm në arenën e kacafytjeve, që të bëjmë më të mirën e mundshme për të krijuar një klimë sa më të favorshme ndërveprimi dhe bashkëveprimi, për të mos thënë bashkëpunimi se duket një fjalë utopike në momentin që flasim dhe mbi të gjitha, për ta mbyllur, na takon ne, është detyra jonë që në fund të ditës, të mos e harrojmë asnjë çast se në këtë përshkallëzim të mëtejshëm të reformave të shtetbërjes që do të jenë edhe më të vështira duhet të jemi shumëfish herë më pranë njerëzve dhe duhet të jemi shumëfish herë më të gatshëm për këtë sfidë, në radhë të parë në raport me njerëzit, sepse procesi i integrimit nuk është procesi i bërjes së valixheve për ta marrë Shqipërinë dhe për ta çuar në Bruksel, por është procesi i ndërtimit të Shqipërisë europiane këtu; procesi i ndërtimit të një sistemi drejtësie europiane këtu; procesi i ndërtimit të një ekonomie funksionale këtu; procesi i ndërtimit të shërbimeve cilësore europiane këtu. Për t’i bërë të gjitha këto, natyrisht duhet kohë, duhet punë e jashtëzakonshme, duhet durim shumë i madh e mbi të gjitha duhet vendosmëri dhe gatishmëri. Vendosmëri për të vazhduar drejt përpara e gatishmëri për të shpjeguar, shpjeguar, shpjeguar.

Prandaj, jo vetëm që është domosdoshmëri që të nxjerrim mësimet tona, duke i lexuar si duhet edhe gabimet tona, por, mbi të gjitha është domosdoshmëri që të mos i përsërisim të njëjtat gabime dhe të mos lejojmë inercinë e një pushteti që është i pasfiduar dhe për këtë është dhe në rrezik, pasi është shumë më e lehtë të qeverisësh, kur ke një opozitë që sfidon dhe është shumë më e vështirë të mbash ritmin e të bësh gjërat e duhura kur ke një opozitë qesharake që gati-gati sa nuk ta thotë vetë që ne do bëjmë tonën se ju me zgjedhje nuk ju mundim dot. (TemA)

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

4 komente në “Rama mesazh opozitës: Mos çoni baltën e politikës në zyrat e Europës, jeni bërë qesharakë”

  1. LORA says:

    Shume xheneroz je zoti Kryeminister (opozita qesharake !?!?) nderkohe qe shumica e cilesuar e shqiptareve eshte e bindur ,prej shume kohesh,qe ata jane nje bande antishqiptaresh te perbetuar,me rekorde transparante,ne syrin dhe vemendjen publike.
    Qofte i shenjteruar verdikti shqiptar i 25 qershorit 2017,qe kete bande gangsteresh te integrum i coi ne te s’emes,,,,verdikt qe i celi Shqiperise udhen e suksesimit progresiv te Reformes qilizme ne Drejtesi dhe
    Vetting-ut.Shume trauma e dhimbje hoqen njerzit pas-nentedhjetes,,,por rrugen e shpetimit e shtruan vete.

  2. shqip says:

    Po mre , si mendon ti km i Shqiperise , Kane alternative tjeter ata , perveçse baltes dhe anarshise ? E di mor Ed . Por Saliu , Myrrizi , Nul Moka , e te tjere deficente , nga balta Kane dale . Leri ata . Perveç rruges nuk njohin ambient tjeter . Nga rruga erdhen ne pushtet . Si gangsteret e Arturo Ui-s . Ne kohen e tyre balta zevendesoi asfaltin . Ne ketu kemi qene , nuk vijme nga Marsi . I nxorren ujin e zi Shqiperise . Ku njihnim balte ne , ku nderpritej korenti ? Nuk flas per fshatin e Saliut apo te Myrryzit . Nuk eshte edhe fare e pa pritur kjo . Balta do gjeje abitatin e vete . Paske qene me fat o Edi Rama . Me keta baltoret e shkemboret , ka rrezik te dalesh ne pension si kryeminister . Bile mos u merr fare me ta . Bej ndonje Pune , qe edhe Po s’bere , s’ndryshon shume . Nuk ma merr mendja qe ” shqiptari gjysem analfabet ” , te marroset e te votoje baltoret . Ja ,dolen nga kuvendi . Dolen se do shkojne ne rruge , te vendi . E veshtire , shume e veshtire . Kjo lloj specie ( shqupist ) , nuk e njeh nocionin shtet . Prandaj dhe them qe eshte shume e veshtire te besh progres . Megjithate do zoti dhe ata europarlamentaret e ppe-s nuk bien ne nivelin e çunit te Fahri Balliut .

  3. rumpallhana e ripjelljes says:

    Mire e ka ky trimi me mire Saje Qorrin minister dhe deputet sesa ta marin vesh armiqte e huaj qe ky vend eshte bere republike bananesh. Pse duhet te qeshin dhe tju bejme qefin atyre armiqeve per Roshin, Beqen, Frokun, Qifen, Ndoken, etj qe kjo republike bananesh ka pa fund. Vetingu do ti beje shqiptaret qe te hane me luge floriri ndaj e ka mire ky nastradini nderkombetar qe asnje mos te hedhe balte ndaj ketij legenit.

  4. Dibrani says:

    O Ram ti je i mbaruar,…nuk shkohet ne Europe si lyps,..Rekomandimi eshte nje dekoment pa-vlere,..qe me shum te ternit kur e sheh.

    Si puna e bixhozit qe te le ,te besosh edhe fito.

    Ti je shum von,..per Europen ,..ngaqe ke qen i zen me koncesionet korruptive,…Europa ta ka pi lengun ti

    Prandaj edhe Greqia ,.te ka nxjerr konflikt ,.pa pasur ndonje.

    Ti qe ne momentin e pare kur more Shtetin duhej te reformoje sistemin ,….zgjedhor ,partin, heqjen e imunitetit te cdo plotikani ,dhe viting cdo politikani .

    Pastaj ja nisje me reformen ne drejtesi dhe ate kushtetuse.

    Zhdukje e oligarkis nga asetet publike ,..dhe nisje te nje plani ekonomik duke hapur deren investitoreve.
    Dhe po ti beje keto detyra themelore ,..Europa do ishte shum afer teje,.plus do kishe nje opozit te paster dhe te denje per parlamentin.

    Opozita eshte shembelltyra jote ,..mos u cudit
    Ti do mbahesh mend si Saliu-Meta-Basha,..i korruptuar

Lini një Përgjigje te shqip Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *