Rusia vendos mbylljen e Telegramit. Çfarë fshihet pas këtij vendimi?

19 Prill 2018, 09:28Hi-Tech TEMA

Një gjykatë në Rusi vendosi ndalimin e shërbimit Telegram, një aplikacion i ngjashmë me Whatsapp-in që përdoret në shumë shumë vende të botës. Që në ditët e para të lançimit, Telegram pati premtuar një shërbim të mbrojtur përpjekjet kureshtare të agjencive ruse të spiunazhit, për të marrë informacion nëpërmjet tij. Prova se ky aplikacion e ka vënë në jetë premtimin e bërë është vendimi për ndalimin e tij në vend, pasi krijuesit e tij refuzuan t’i dorëzojnë çelësat e kodimit qeverisë ruse.

Vendimi për mbylljen e Telegramit vjen në momentin kur debati për përdorimin e të dhënave personale të përdoruesve të Facebookut në funksion të fushatave politike është në kulmin e tij.

Telegram fitoi reputacion të keq si një metodë komunikimi e përdorur për propagandë terroriste, për shkak të ruajtjes së privatësisë së mesazheve që shkëmbehen në të.

Pavarësisht efekteve anësore të mbylljes së këtij shërbimi, vendimi është i pakthyeshëm. Rregullatori rus i Telekomunikacionit i ka kërkuar Apple-it dhe Google-it ta tërheqin nga dyqanet e tyre virtuale këtë produkt.

Një rol të madh në “nxirjen” e imazhit të Telegramit në Rusi ka luajtur edhe media, që mbështetet kryesisht nga pushteti. Në mediat ruse është raportuar shpesh për akte terroriste të organizuara nëpërmjet Telegramit, madje në jo pak raste përdoruesve të tij u është rekomanduar TamTam, një aplikacion i ngjashëm. Por TamTam nuk është e njëjta gjë, pavarësisht se propagandohet ndryshe. Ai është një “kopje e varfër” në pronësi të Alisher Usmanov, një mik i ngushtë i Putinit.

Në Rusi, Telegram ka 12 milionë përdorues, shumica e tyre në Moskë. Aplikacioni është zgjedhur prej tyre si një mënyrë e sigurt komunikimi, për shkak të ruajtjes së privatësisë së bashkëbiseduesve.

Ndërkohë, Telegram mbetet aktiv në pjesën tjetër të botës. Në vende si Britania e Madhe, SHBA-të, Franca dhe vende të tjera të BE-së, numri i përdoruesve po rritet. Kjo të bën të mendosh se këta të fundit janë shtetas rusë që po përpiqen t’i shpëtojnë ndalimit të shërbimit në vendin e tyre.

Rasti i mbylljes së Telegramit të kujton atë të Lavabit, një shërbim emailesh i kriptuar, i cili u lançua në vitin 2004. Ai u pezullua në gusht të 2013-s pasi qeveria federale amerikane kërkoi t’i jepeshin kodet SSL, me qëllim që të kishte mundësi të kontrollonte emailin që përdorte ish-agjenti Eduard Snouden. Lavabit ishte kanali i preferuar i komunikimit për agjentin e NSA-së, por u mbyll pasi nuk pranoi të dorëzonte të dhënat te federalët.

Një vit më parë, pronari i Lavabit, Ladar Levinson, njoftoi se shërbimi do të riniste sërish, duke përdorur Dark Internet Mail Environement (DIME), një platformë e internetit e dizajnuar për t’i shpëtuar mbikëqyrjes nga të tretët. Megjithatë, pasi kaloi në platformën DIME në qershor 2017, shërbimi iu ofrua vetëm klientëve të vjetër dhe atyre që përfituan nga regjistrimi i hershëm.

Ashtu si Telegram, edhe Lavabit është themeluar me qëllim mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje