Trajneri i ri, te Flamurtari zgjidhja për këtë sezon vjen nga “shtëpia”

19 Prill 2018, 12:33Sport TEMA

Dorëheqja e Shpëtim Duros pas ndeshjes kundër Kukësit ka krijuar një situatë mjaft të komplikuar te Flamurtari, ku ka filluar menjëherë kërkimi për trajnerin e ri që do të ulet në pankinën e kësaj skuadre.

VIP Sport mëson se nga persona brenda klubit janë kontaktuar trajnerë të ndryshëm dhe ka filluar biseda rreth vazhdimësisë në një sezon i cili po shkon përsëri drejt dështimit, si ato paraardhësit.

Por për të mos rrezikuar kaosin total, në klub mendojnë se gjëja më e mirë e mundshme është të zgjidhin “në shtëpi” çështjen e trajnerit, të paktën për këtë sezon. Administratori Idrizi është i bindur se për aq javë sa kanë mbetur, nëj trajenr që ka qenë larg skuadrës nuk do të ketë as kohën e duhur për t’u përshtatur.

Ndaj hipotezat më të mundshme janë ato të emërimit si trajnerë të përkohshëm të dyshes Petraq Bifsha-Jeton Beqiri. Të dy kanë qëndruar përkrah Duros në këtë sezon dhe e njohin me detaje skuadrën dhe ecurinë e çdo lojtari, ndaj shihen si të aftë për të bërë më së miri këtë punë dhe për të mbyllur sezonin pa telashet e mbijetesës që e kanë shoqëruar në vitet e kaluara.

Vlonjatët nuk kanë hequr ende dorë nga Europa, por do të duhet që në këto javë të mbetura të jenë thuajse perfektë në kampionat për të siguruar një nga pozicionet që të çon në Europa League. Si rrjedhojë, bisedimet që po bëhen me trajnerë të tjerë, kanë të gjitha të bëjnë me sezonin e ardhshëm, pasi për momentin nuk është e qartë nëse Flamurtari gjatë verës do të jetë në Europë apo jo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje