SKEMA: Zbardhet vrasja e Cukut, personi që e porositi në kërkim ndërkombëtar, ja kur u pa për herë të fundit sipas TIMS

25 Prill 2018, 16:46Kronika TEMA

Personi që porositi vrasjen e Artan Cukut dyshohet të jetë 38-vjeçari nga Fieri, Bledar Jambelli, i njohur ndryshe edhe me emrin Rikardo Muho.

Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar me një vendim të datës 18 prill 2018, që është rifreskuar së fundmi nga Policia e Shtetit, ndonëse kërkimet për të kishin nisur prej qershorit të vitit të kaluar.

Me një vendim të dhënë në mungesë, të mbajtur sekret për mediat dhe në fshehtësi të plotë, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Bledar Jambellin.

Masa e sigurisë është caktuar më datë 12 qershor të vitit 2017 dhe menjëherë vendimi i është përcjellë Policisë së Shtetit për ekzekutim.

“Shtetasi Bledar (Rikardo) Jambelli (Muho) shpallet në kërkim me kartelë të ‘kuqe’, pasi më shkresën nr.3303, datë 17 prill 2018, Prokuroria e Krimeve të Rënda, Tiranë, ka dërguar urdhrin e datës 12 qershor 2017 për ekzekutimin e vendimit nr.292, të datës 12 qershor 2017 të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për veprën penale ‘Vrasje e punonjësit të policisë së shtetit”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 79/b të Kodit Penal. E ndjek Seksioni për Krimet ndaj Jetës.

Të ndalohet”, ky është urdhri i shpalljes në kërkim ndërkombëtar të Bledar Jambellit.

POROSITESI

Sipas grupit hetimor, në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, janë përfshirë 3 persona.

Personi që kreu ekzekutimin e Cukut mbrëmjen e 8 prillit, te rruga e “Kosovarëve” në Tiranë, është arrestuar. I dyshuari për kryerjen e vrasjes është Mikel Shallari, i cili ndodhet në paraburgim.

Ndërsa Policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë. Njëri në rolin e porositësit dhe tjetri në rolin e ndërmjetësit e bashkëpunëtorit.

Ky i fundit është kushëriri i Mikel Shallarit, ndërsa porositësi është 38-vjeçari nga Bledar Jambelli. Sipas të dhënave të Policisë, të dy këta persona ndodhen jashtë Shqipërisë.

Për arrestimin e Bledar Jambellit, janë kryer disa verifikime në Gjermani, por nga të dhënat e siguruara në rrugë operative është mësuar se ai lëviz herë pas here mes Gjermanisë dhe Spanjës.

Hera e fundit që Jambelli është regjistruar në sistemin Tims është data 28 janar 2017, kur ai ka udhëtuar nga Aeroporti i Rinasit në drejtim të Frankfurtit, në Gjermani dhe nuk është kthyer më.

DESHMIA E SHALLARIT

Mikel Shallari, personi që u arrestua vitin e kaluar si i dyshuar për vrasjen e Artan Cukut, gjatë deklarimeve që ka dhënë para hetuesve ka treguar detajet e planit për kryerjen e vrasjes.

Ai ka treguar se porositësin për vrasjen e Artan Cukut e kishte takuar përmes kushëririt të tij, i cili kishte thënë se po kërkonin dikë që nuk kishte probleme me ligjin dhe që mos të gjendej lehtë.

Për takimin me porositësin, Shallari ka rrëfyer se pasi ishin ulur në një lokal, ai e kishte urdhëruar mos ta shikonte në fytyrë.

“Do të të vras, po ma përmende emrin. Mbaroje këtë punë”, i kishte dhënë urdhër porositësi.

Në vijim të planit, sipas Mikel Shallarit, atij i ishin dhënë 3500 euro parapagim dhe shuma prej 15 mijë eurosh kur të mbaronte porosinë. Në rrëfimin e tij, Shallari kujton se i ishin dhënë dy pistoleta dhe një makinë.(panorama)

1 komente në “SKEMA: Zbardhet vrasja e Cukut, personi që e porositi në kërkim ndërkombëtar, ja kur u pa për herë të fundit sipas TIMS”

  1. Ishte nje propozim says:

    Ata qe e kon liru nga arrestimi kete kriminel te rrezikshem duhet te perballen me drejtesine dhe te denohen me burgim te perjetshem per te shlyer kete dem te pallogaritshem qe i kon bo shoqerise dhe shtetit ……..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje