“Skifterët” e Brukselit, ja çfarë ndodhi me Pëllumb Xhufin në Belgjikë

Brenda një kohe të shkurtër dhe thuajse për të njëjtën tematikë po bëj këtë intervistë të dytë me historianin e njohur, Profesor Pëllumb Xhufin.

Një konferencë në Belgjikë për Skënderbeun është anuluar vetëm se aty do të merrte pjesë dhe do të fliste Prof. Xhufi! Duket në kufijtë e një absurdi të papranueshëm, por ja që ndodhi.

Pse u anulua ajo konferencë dhe cilët janë autorët e atij incidenti, të cilët Profesori i quan “skifterë”. Rikthim te kampi i Tepelenës që kërkohet të kthehet në “Aushvicin shqiptar” dhe një apel për neofashistët që nuk i ka hiç xhan as Europa dhe as Amerika…

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Profesor Xhufi, para dy ditësh është botuar një shkrim i z. Sulejman Gjana, ku ky njofton se është anuluar një konferencë mbi Skënderbeun në Skarbek të Belgjikës, mbështetur nga Bashkia e kësaj qyteze dhe nga Ambasada jonë në Bruksel. Z. Gjana thotë se shkaku i anulimit ishte prania juaj si i ftuar në atë konferencë. A është e vërtetë kjo që thuhet?

-Kur më kërkove dje Xhevdet, të komentoja shkrimin e z. Sulejman Gjana mbi anulimin e Konferencës mbi Skënderbeun, në Skarbek të Brukselit, unë nuk e kisha lexuar atë.

Të kërkova kohë për intervistën deri sa të njihesha me shkrimin në fjalë. Në fakt, bëra mirë që  nuk t’u përgjigja dje, sepse z. Gjana është nga ata që nuk meriton përgjigje “reaktive”, siç do ishte ajo që më kërkove, por të qetë e të thelluar.

Njihem me z. Gjana, jam ballafaquar e jam kundërshtuar me të edhe herë të tjera, por më duket se jemi vlerësuar e respektuar përtej ideve që nuk ndajmë e që janë të shumta.

Ndaj, më habiti fakti që edhe z. Gjana i është bashkuar symbylltazi korit të organizuar e të koordinuar kundër meje me rastin e polemikës mbi të ashtuquajturin “Aushvici shqiptar”, d.m.th., kampi i internimit të Tepelenës. Konstatoj me keqardhje, se vitet e gjata të kaluara në Perëndim, nuk paskan mjaftuar as për z. Gjana të shohë e të mendojë kthjellët.

Por, le t’i kthehemi thelbit të pyetjes tënde. Po, nën presionin e ulërimat e një grushti njerëzish, ku marr vesh se bën pjesë edhe z. Gjana, u anulua një aktivitet mbi Skënderbeun në 550-vjetorin e tij, organizuar nga komuniteti shqiptar e Brukselit dhe i mbështetur nga Bashkia e Skarbekut dhe nga Ambasada jonë në Belgjikë. Në të isha ftuar të merrja pjesë e të merrja fjalën edhe unë.

Por, përfshirja ime këto ditët e fundit në debatin mbi të ashtuquajturin “Aushvici shqiptar”, na i paska prekur keq ndjenjat antikomuniste të z. Gjana e të “skifterëve” të tjerë të Brukselit, të cilët janë turrur të protestojnë tek kryebashkiaku i qytezës së vogël të Skarbekut.

Këtij i janë hakërruar se do ta prishnin me çdo kusht aktivitetin, për sa kohë në listën e panelistëve isha edhe unë, “armiku” i betuar i tyre.

Të gjorin kryetar i Skarbekut e gjeti belaja: këto ditë i duhet të jetojë me shqetësimet e zgjedhjeve të afërta lokale, e papritur i lind edhe një shqetësim i ri.

Kështu që, kur pa eksitimin e këtyre “bijve të shqipes” të njohur për bëma bukur “më të lavdishme” se sa prishja e një konference, me siguri ka menduar: “Nuk doni të bëhet konferenca? Kurrë mos u bëftë, në djall shkofshi ju, me gjithë Skënderbeun tuaj”.

Dhe kështu, kjo histori që nisi si një histori turpi për Gjanën dhe shokët e tij, fillon e bëhet një histori turpi për të gjithë ne shqiptarët, përfshirë edhe për mua vetë.

Në rrethana të tilla, kur “për shkakun tim” trimat e z. Gjana kërcënonin të prishnin qetësinë e qytezës së paqme të Skarbekut, unë më i pari e mirëprita anulimin e aktivitetit për Skënderbeun.

Sigurisht, jo se u frigova nga kërcënimet. Por do më vinte turp, që pas gjithë asaj potere, të vija e të shihja në sy Kryetarin e Bashkisë së Skarbekut dhe Ambasadoren tonë të shkëlqyer në Bruksel, zonjën Suela Janina, bijë e një familjeje me kockë e me palcë, e cila me siguri është pataksur nga aq shumë egërsi e intolerancë ndërshiptare.

– Z. Gjana pohon se konferenca për Skënderbeun u anulua pasi ju, z. Xhufi, jeni i papranueshëm për Evropën. Në të vërtetë kjo është një akuzë që ju bëhet, identikeme ato që ju kanë bërë këto kohët e fundit ca “skifterë” të Tiranës, që i përkasin llogores së Gjanës. Si u ndjetë kur e dëgjuat këtë?

-Në fakt, Evropa për z. Gjana është vetëm një pretekst. Me një krekosje mburravece e butaforeske ia atribuon prishjen e konferencës vetes dhe trimave të tij.

E thotë shprehimisht: “Ne bëmë të mundur që komuna e Skarbekut të anulojë konferencën…etj. etj.” Sigurisht, pasi vetëkënaqet me fjalët e tij, zotit Gjana i intereson të thërrasë në mejdan edhe Evropën: kështu, pas trimave të Brukselit, edhe Evropa vendosi të mos e pranojë, por ta refuzojë një “tip” si unë. Zoti Gjana nuk e njeh mirë Evropën, ndonëse nuk i mungojnë sjelljet evropiane.

Do ta zhgënjeja, po t’i thoja se, përkundrazi, Evropa dhe Amerika i kanë shumë xhan “tipat” si unë, të cilëve nuk ua mohon vizën, as kur flasin për Shqipërinë, as kur flasin për Kosovën, dhe aq më pak kur flasin për Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Në fakt, vetëm në këta dy-tre muajt të fundit, veç takimeve që kam patur me shkollat, universitetet e akademitë e vendit, kam shkuar “pa problem” për të njëjtin qëllim në SHBA, Itali, Zvicër, Gjermani, Kroaci, Hungari. Me siguri do vete edhe në Belgjikë.

Në Bruksel, pavarësisht asaj që ndodhi, mund të takoj edhe z. Gjana dhe grupin e tij. Edhe me ta jam në gjendje të bisedoj shtruar e pa maraz, për Skënderbeun e për shumëçka. Madje edhe për kampin e Tepelenës.

-Në fakt, debati mbi kampin e Tepelenës duket se ka trazuar folenë e grerëzave. Përse të ndodhë kjo Profesor pas kaq e kaq vitesh nga përmbysja e diktaturës?

-Sepse thelbi i debatit për këtë kamp, për sa më përket mua, nuk kishte të bënte me njohjen apo mosnjohjen e represionit të diktaturës komuniste.

Druhem se edhe këtë faqe të historisë unë e njoh më mirë se z. Gjana (por sigurisht jo aq mirë sa z. Previzi). Prandaj edhe këmbëngul, që për nevojat e memories historike duhen rehabilituar në gjendjen reale e të bëhen të vizitueshme burgjet e diktaturës, si Burreli, Spaçi etj.

Aty gjen të bashkuar, në vuajtje, përfaqësuesit e të gjitha krahinave të Shqipërisë, të të gjitha shtresave sociale dhe të të gjitha bindjeve politike: intelektualë,  punëtorë, fshatarë, klerikë, fashistë, kolaboracionistë, antifashistë, partizanë, komunistë, nga Jugu e nga Veriu.

Aty u mbyllën dhe u torturuan kundërshtarët e vërtetë të regjimit. Mirëpo, dikush kërkon me çdo kusht ta bëjë Tepelenën “Aushvic”.

E di mirë, se pas projektit të “Aushvicit shqiptar”, d.m.th. kampit të Tepelenës, ndërthuren interesa të caktuara ekonomike. Siç e di mirë, se pas atij projekti fshihet një qëllim ogurzi politik i grupimeve me frymëzim antishqiptar e neofashist.

-Në fakt, në shkrimet tuaja për këtë çështje, ju e ngrini vazhdimisht problemin e ideve e të qarqeve profashiste. Por, a është fashizmi një problem i të sotmes?

– Sigurisht që është. Z. Gjana e shumëkush tjetër duhet ta dijë, se sot në Evropë si asnjëherë tjetër po flitet për antifashizmin, si një vlerë e si një mit themelues i Evropës demokratike, ndërkohë që është rritur shqetësimi për ringjalljen e forcave neofashiste.

Sot nuk ekziston më “gogoli komunist”, i cili në kohën e Luftës së Ftohtë i ndihmoi shumë jerarkë të fashizmit e të kolaboracionizmit shqiptar, të liroheshin nga kampet e përqendrimit, ku i kishin mbyllur pas luftës Aleatët, e të përdoreshin në luftën kundër regjimit të Hoxhës.

E theksoj: u përdorën nga shtetet e huaja, në radhë të parë nga Jugosllavia e Titos dhe nga Greqia e Papandreut të Parë, që i stërvisnin në kampet e tyre dhe i nisnin në Shqipëri për të bërë terror. Partitë Komuniste sot janë krejt inekzistente në gjithë Evropën, kështu edhe në Shqipëri.

Dhe këtu në Shqipëri, kushdo e di mirë, se nën flamurin e “antikomunizmit” janë konsumuar krimet më të përbindshme të këtyre viteve: tradhëtitë, vjedhjet, plaçkitjet, ndarjet ndërshqiptare, zaptimet, përjashtimet, baltosjet.

Në këtë kuptim, do të kishte patur më shumë vlerë që një kategori e caktuar e të përndjekurve politikë të distancoheshin nga fashizmi dhe krimet e kryera prej tij në dëm të Shqipërisë e të popullit shqiptar, se të distancohesha nga komunizmi unë, që komunist nuk kam qenë kurrë.

Edhe z. Gjana do ndjehej më i lehtësuar në rast se do e bënte një discrimen të tillë. I duartrokas vërtet pohimet e tij në dënim të antisemitizmit, që Evropa e qytetëruar e ka dënuar edhe kur ai bartet nga mendje të shquara, si ajo e shkrimtarit francez Louis Ferdinand Céline.

Por, edhe këtu ka një “por”. Sepse, shokët e tij të llogores në debatin për kampin e internimit të Tepelenës (ndër ta ka edhe shkrimtarë që mbahen për të shquar), kanë arritur deri aty, sa të deklarojnë se “Aushvici ishte lule në krahasim me Tepelenën, pasi në Aushvic, duke i djegur në furra, nazistët thjesht ua shkurtonin vuajtjet hebrejve”. Dhe ai nuk shprehu asnjë shenjë mosmiratimi.

Pra, do t’i sugjeroja zotit Gjana, që leksionet e tij mbi Evropën, demokracinë dhe antisemitizmin t’ia mbajë miqve të tij. Për sa i përket fashizmit, antifashizmit, kolaboracionizmit, shqiptarizmit apo antishqiptarizmit, mendoj se është z. Gjana dhe shokët e tij që duhet të dëgjojnë leksionet e mija.

– Por, le ta mbyllim me aktivitetin e anuluar mbi Gjergj Kastriotin në Bruksel. E parashikonit një gjë të tillë?

-Parashikoja vështirësitë, por ndër vështirësitë nuk llogarisja asfare faktin që e shqetëson aq shumë z. Gjana, se do më duhej të takoja e të rrija në një krah me z. Previzi. Unë mund të rrij, të bisedoj e të bëj shoqëri me këdo që nuk më fyen. Kjo që them, vlen në nivelet më ekstreme.

Në vitet ’60 jam rritur duke patur shok një nipin e personit që në nëntor 1943 dorëzoi tek gjermanët gjyshin tim, intelektual antifashist në Vlorë. Më vonë, në Tepelenë ku im at ishte transferuar pas “fjalës së partisë”, u njoha dhe u shoqërova me xhaxhain e të parit, që në Tepelenë ishte për një arsye krejt tjetër, si i internuar politik.

Ju siguroj, se me Cenin dhe me Eqon jam shoqëruar, jo për t’i spiunuar, por sepse ma donte xhani. E sot e gjithë ditën takohem përmallshëm me ta.

Pra, takimi me ish të persekutuar politik nuk ishte e nuk mund të ishte problem për mua. Që te jem i sinqertë, e kisha një shqetësim, që lidhej me ndonjë prej tyre.

Duke folur për Skënderbeun, do më duhej të përcillja edhe mesazhin kryesor të jetës e të veprës së tij, që është: Një popull i vogël mund ta fitojë lirinë e dinjitetin e tij vetëm me sakrifica e duke luftuar kundër pushtuesit. Mirëpo e di mirë se këto fjalë, që pak a shumë janë thënë të tilla edhe nga vetë Skënderbeu, lidhen me një debat që e mundon sot e gjithë ditën opinionin shqiptar.

Liri, apo skllavëri? Rebelim, apo nënshtrim? Skënderbeu apo Hamzai? Kjo ishte vështirësia, kjo ishte dilema, që më duhet ta shtroja përpara auditorit në Skarbek të Brukselit, ku jo të gjithë e kanë kuptuar drejt mesazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ndoshta, kjo ishte në thelb arsyeja e prishjes së programuar të Konferencës mbi Skënderbeun nga një grusht i vogël njerëzish, që mendojnë se Shqipëria mund të ekzistojë vetëm duke ndjekur rrugën e Hamzait.(Dita)

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...