Stabiliteti i grupit, “fitorja” e Flamurtarit në këtë sezon, objektiv mbetet Europa

25 Prill 2018, 15:04Sport TEMA

Kupa ka ikur nga duart e bashkë me të pas asaj përmbysjeje nga Skënderbeu dhe Shpëtim Duro nga stoli.

Europa gjithsesi mbetet aty, tokë për tu kapur nga Behari me stafin e tij, por gjithsesi sido që të shkojnë gjërat, ky është një sezon ku Flamurtari ka fituar diçka jo pak të rëndësishme stabilitetin.

Sinan Idrizi është i bindur, gëzon grupin e futbollistëve më korrektë në epokën e tij në drejtim të klubit, ndërsa shprehur dhe qëllimin për të nisur rinovimin e kontratave me fokus sezonin e ardhshëm.

Baza do të ruhet, dhe për Flamurtarin është një lajm që merr kuptim të veçantë.

Këto 4 vjet Sinan Idrizi ka shpenzuar si pak të tjerë në Superiore, Flamurtari i tij ka qenë i vetmi klub që ka ndërtuar dy skuadra në çdo sezon, një në verë dhe një në janar, emra pa fund futbollistësh e trajnerësh të afruar tanimë të mbuluar nga pluhuri i harresës, asnjë sukses pavarësisht milionave të investuara.

Emëruesi i përbashkët i këtyre viteve të Idrizit është pikërisht ai i shpenzimeve të mëdha dhe mungesës së stabilitetit me shumë emra që kanë kaluar në skuadrën vlonjate pa mundur të lënë gjurmë.

Këto 4 vite për Flamurtarin kanë qenë një histori e ngjashme me pëlhurën e Penelopës, gjithmonë viti zero, ky aktuali të paktën mund të konsiderohet baza për të ndërtuar të ardhmen, gjithmonë pa harruar që Europa është aty, 4 pikë larg, distancë plotësisht e rikuperueshme në 6 ndeshjet e mbetura.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje