Vlahutin: Ministria e Brendshme po bën punën e duhur, duhet dhe Prokuroria e Gjykata

25 Prill 2018, 09:32Kronika TEMA

Ambasadorja e BE-së në Tiranë Romana Vlahutin, e ftuar në emisionin “Përballë” në RTSH me gazetarin Lutfi Dervishi u shpreh se për të patur rezultatë në luftën kundër krimit të organizuar, veç Policisë duhet të mirë-funksionojë edhe Prokuroria e Gjykata.

“Ne mendojmë se Ministria e Brendshme po përpiqet vërtet të bëjë punën e duhur. Ka shumë punë për t’u bërë. E di, ka një arsye pse pati kaq shtysë për reformën në drejtësi, pasi asnjë çështje e shtetit të së drejtës nuk mund të zgjidhet, përpara se të ketë një sistem funksional drejtësie.

Për të luftuar krimin e organizuar nuk duhet vetëm policia, por ndjekja e duhur nga prokuroria, gjykata që janë në gjendje t’i trajtojnë çështjet si duhet, etj. Pra, është një cikël i plotë njerëzish dhe institucionesh që duhet të merren me këtë”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e BE-së në Shqipëri.

Znj.Vlahutin shtoi se BE po vijon të ndihmojë institucionet tona me ekspertizë.

 “Ne jo vetëm po nxitim, por edhe po ndihmojmë me ekspertë të huaj që janë vendosur në institucionet shqiptare. Do të vijnë edhe më shumë njerëz. Na duhet të përforcojmë të gjithë anën institucionale të pastrimit të parave. Ka një sërë gjërash që po bëjmë e po përpiqemi të ndihmojmë ligj zbatimin në Shqipëri për ta bërë punën e vet si duhet në interes të qytetarëve shqiptarë, por, po kështu, edhe në interes të qytetarëve të BE-së”, tha ambasadorja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje