Ku po trokasim?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Berlini, në krah të Angela Merkel, Edi Rama u shpreh dje se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave pas reformave të ndërmarra. Rekomandimi është dhënë, duhet të presim qershorin për hapin e radhës.

Edhe pas kësaj, pritja gjithsesi do jetë e gjatë.

Me një autoironi të pamëshirshme, sa herë bie fjala për nocionin e një Shqipërie anëtare të Bashkimit Europian, jo pak shqiptarë thonë: “Kur të bëhemi ne për t’u anëtarësuar, BE-ja do prishet”.  A është më “gjasë e pamundur” që, kur ne të plotësojmë kushtet për t’u anëtarësuar në BE, ky union të jetë i shkërmoqur apo në prag të shpërbërjes?

Pra, në ç’dyer po troket Shqipëria? Ç’na pret aty brenda? Mos vallë dera në vend që të hapet, do bjerë dhe pasi pluhuri të ulet, neve do na shfaqet para syve një rrëmujë dhe “njerëz që po përgatisin valixhet”?

Nuk është sekret: BE-ja po kalon këto vitet e fundit, krizën e parë të madhe që nga krijimi. Ithtarët e bashkimit kanë vënë re se ç’gabime janë bërë; nga pranimi në eurozonë i vendeve të papërgatitura, tek strukturat mamuthiane e aspak elastike të vendimmarrjes financiare e politike.

Zërat dhe lëvizjet kritike ndaj idesë së Bashkimit në fillim nisën si organizime të vogla euroskeptikësh apo formacione periferike ksenofobësh, por erdhën duke u fuqizuar sa më shumë që BE po shpalosej si një makineri shpesh inefiçente burokratike: që nuk prodhonte dot një politikë unike të jashtme, një vendimmarrje politike të fuqishme në arenën ndërkombëtare dhe që bluante pafund fonde projektesh e aparatçikësh, një gjigant i ngathët që sekush e milte kur ishte mirë (Greqia si rast ekzemplar), dhe e braktisin kur është në krizë, Britania e para.

Sot është bërë edhe më e vështirë. Rizgjedhja triumfuese e Viktor Orbanit në Hungari, qëndrimi ekstrem i shprehur kolektivisht nga Holanda dhe shtatë shtete të tjera veriore, përparimi i euroskeptikëve në Itali dhe sidomos maturia e detyruar e Angela Merkelit, e cila duhet të marrë parasysh krahun e djathtë të partisë së saj, janë të gjitha situata që e vështirësojnë situatën në BE dhe e bëjnë shumë pak inkurajuese për ambicien e vendeve si Shqipëria.

Le të analizojmë pikat pro dhe kundër një për një.

1-Triumfi i Orbán më 8 prill do të thotë se Polonia, Sllovakia dhe Republika Çeke do të mbështeten më shumë se kurrë tek Hungaria, për të afirmuar sovranitetin e Evropës Qendrore.

2-Me një shumicë liberiste, Evropa Veriore do të vazhdojë të kërkojë një ekuilibër në llogaritë publike, përpara se të pranojë qoftë edhe një investim minimal të përbashkët.

3-Italia do të mbetet pa qeveri për një kohë të gjatë, ose më keq, mund të afrohet me sovranistët e Evropës qendrore.

4-Dhe në fund, kancelarja gjermane nuk ka më fuqinë e mëparshme as brenda partisë së saj në Gjermani, rrjedhimisht ka shumë më pak hapësirë ​​për manovrim jashtë saj.

Po Shqipëria ku hyn në këtë ekuacion? Le ta themi hapur, shqiptarët e zakonshëm e kanë menduar BE-në si një klub vendesh e shoqërish të kamura, në të cilin po u futëm do t’u themi halleve tutje. Edhe politika ka bërë jo pak për ta ushqyer këtë iluzion. Premtimi i anëtarësimit është ende kartë kryesore në retorikën elektorale.

Por BE është ajo e përshkruara më lart. Me hallet e saj pa fund.

Çfarë duhet të bëjmë ne përveçse të presim? Ne duhet ta ndëshkojmë KËTU krimin dhe korrupsionin. Të mos vjedhim. Të arsimohemi. Të punojmë e të krijojmë. Dhe një ditë s’do jetë nevoja të trokasim gjëkundi. Do na ftojnë vetë.(Dita)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

2 komente në “Ku po trokasim?”

  1. Kadeti Bigler says:

    Dakort me perfundimin. Do te shtonja qe ne te njejten kohe te shofim alternativat e tjera qe ofrohen. Dikush dikur ka thene se Europa eshte k…….plake keshtu qe nuk eshte ndonje mekat po nuk i qendrove besnik nje tutoreje te tille.

  2. Iliria e bashkuar says:

    Shqiptaret shpetojne Kosoven dhe do te shptojne veten nga te trashet shekullor, nga injoranca, tradhetia e shume te tjera. Shqiptaret dembela do te kuptojne se kush nuk meson dhe punon do te perfundoje ne asistence per gjithe jeten. ………

Lini një Përgjigje te Kadeti Bigler Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *