Superiorja nuk e njeh faktorin fushë, rekord fitoresh në transfertë

26 Prill 2018, 16:16Sport TEMA

Goli Bruno ditës, në sekondat e fundit të sfidës me Partizanin, fiksoi jo vetëm një tjetër fitore të rëndësishme për korçarët në rrugëtimin e tyre për titullin kampion, por edhe një statistikë të veçantë në llogaritë e përgjithshme të këtij kampionati.

Fitorja e Skenderbeut në “Selman Stërmasi” ishte e 50-ta në favor të skuadrave udhëtuese. Në 150 takime të luajtura në këtë kampionat, 65 fitore u përkasin ekipeve vendëse, 35 janë barazime, ndërsa 50 suksese shkojnë për skuadrat mike, që për nga përqindja e tyre përbëjnë një rekord historik për kampionatet tona.

Madje statistikën e fitoreve jashtë në masën e 1/3 së ndeshjeve nuk e gjen në asnjë kampionat tjetër që aplikon formulën me 10 ekipe. Për të dëshmuar rivalitetin e garës në Superiore është e rasti të kujtojmë se në Premier League numërohen 97 fitore të udhëtuesve në 35 javë kampionat, në Itali 128 fitore në 340 ndeshje të luajtura, në Spanjë në po kaq ndeshje janë 105 suksese të ekipeve udhëtuese.

Ndërkohë në Austrinë, që luan një kampionat me të njëjtën formulë janë regjistruar 48 fitore në 155 ndeshje të luajtura, ndërsa në po kaq ndeshje në Kroaci ekipet udhëtuese numërojnë 46 fitore. Një nga përqindjet më të ulëta të fitoreve jashtë numërohet në kampionatin e Kosovës, vetëm 33 në 168 ndeshje.

Skuadra e Superiores me më shumë takime të fituara në transfertë është Kukësi, me 9 suksese. Interesant është fakti që Lushnja, e rënë nga kategoria, fitoren e vetme jashtë e ka arritur në fushën e Kukësit.

Sikurse e konfirmojnë statistikat e këtij kampionati, faktori fushë është një element i arkivuar dhe të gjitha skuadrat janë të ftuara çdo javë për të dëshmuar vlerat e tyre më të mira dhe për të synuar të marrim maksimumin e pikëve në çdo ndeshje. (SS)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje