Tirana në Superligë, ja kush janë 3 rinovimet e rradhës

26 Prill 2018, 17:05Sport TEMA

E ardhmja e Tiranës nis me rinovimet. Vetëm një javë më parë “blinduan” Erjon Hoxhallarin (i cili edhe për dy vite do të mbetet pjesë e bardhebluve), por tashmë vëmendja është zhvendosur e gjitha te Majkëll Ngoo, Asion Daja dhe Dorian Kërçiku.

Janë këta të vetmit elementë që mbeten të lirë në fund të këtij sezoni dhe klubi nuk ka në plan që t’i humbasë tre titullarët e padiskutueshëm.

Përformanca e tyre ka dëshmuar se janë lojtarët që i duhen ekipit, ndaj firmat kthehen në prioritet. Në një lloj forme konfirmimin e dha vetë presidenti Refik Halili fill pas ngjitjes, kur i falënderoi shqiptarët për besnikërinë e shfaqur në Kategorinë e Parë. Me anglezin kanë nisur negociatat.

Klubi prej javësh ka folur me lojtarin për zgjatjen e marrëveshjes dhe parimisht ka akord. Çështja e vetme është që ai të qëndrojë për dy vite dhe jo një. Sigurisht që do të ketë edhe një rritje rroge. Fakti që edhe vetë sulmuesi gjigant do të rrijë, u pa edhe prej qëndrimit të tij në Shqipëri pas operacionit, ndërsa të gjithë procesin e riaftësimit e kreu këtu.

Disi më ndryshe është situata me mesfushorin dhe mbrojtësin. Daja ka folur që në janar, ku është shprehur vullneti dypalësh për rinovim. Por, sigurisht edhe në rastin e shtatshkurtrit do të diskutohet edhe për termat financiarë. Me pak fjalë, mund të themi që tashmë lojtari pret ofertën. Sakaq, Dorian Kërçiku i ka dhënë OK-in klubit që në dimër dhe dëshmi për këtë ishte fakti që refuzoi Kukësin. Ishte vetë presidenti Halili që e bindi në atë kohë, duke i dhënë garanci se do të kishte rritje në pagë.

Edhe gjatë kësaj kohe, klubi ka biseduar sërish me lojtarin e linjës së djathtë, ndaj mund të themi pa frikë që në fund të këtij sezoni do të vijë edhe firma, për të mos thënë edhe më herët. Me të zgjidhur rinovimet, klubi do të mendojë për afrimet. Duke nxjerrë mësime nga dështimet e janarit, drejtuesit do mendohen 100 herë para se të japin “veton”. Lojtarët duhet të jenë mbi nivelin e grupit ekzistues dhe ky është kusht i padiskutueshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje