Vllaznia, Gjoka: Ia dalim me Laçin

28 Prill 2018, 14:18Sport TEMA

Vllaznia ndodhet në udhëkryqin e mbijetesës dhe ndeshja e nesërme me Laçin duhet fituar me çdo kusht. Në “Loro Boriçi”, para tifozëve të saj, skuadra kuqeblu ka detyrimin e marrjes së 3 pikëve dhe ky fakt mund të sjellë presion, por futbollistët duhet ta përballojnë patjetër.

Edhe barazimi do të ishte fatal për Vllazninë në këtë ndeshje, ndërkohë që trajneri Ernest Gjoka, përveç anës teknik, ka folur edhe për “miqtë e vërtetë të Vllaznisë”. Ai kërkon mbështetje për të kaluar momentin e keq, por mbetet për t’u parë si do të tingëllojnë fjalët e tij në veshët e tifozëve kuqeblu.

Ja çfarë ka thënë sot trajneri Gjoka për ndeshjen me Laçin dhe gjendjen e Vllaznisë:

“Zhvilluam një mbledhje para pak ditësh, ku ishin të pranishëm edhe  personalitete të bashkisë dhe të sportit shkodran. Në momente të vështira duhet t’i ndihmojmë njerëzit. Në këto momente shihet kush janë miqtë e vërtetë të Vllaznisë, që nuk është e Nestit, por e gjithë qytetit. Nuk duhet të mungojë mbështetja ndaj skuadrës.

Jemi munduar të lëmë pas humbjen me Luftëtarin. Futbollistët e kanë marrë sinjalin pozitiv dhe mendoj se kjo skuadër nuk është për pozicionin që ka aktualisht. Ndaj Laçit duhet të ndryshojmë mentalitetin, ndërsa në formacion mund të ketë ndonjë ndryshim të vogël. E rëndësishme është që ata që do të luajnë të maksimumin. Duke ndryshuar mentalitetin dhe me besim në vetvete, mendoj se do t’ia dalim”, – ka thënë për “Shkodranews” trajneri i Vllaznisë, Enrest Gjoka.

Trajneri kërkon mbështetje nga tifozët, edhe pse skuadra ka zhgënjyer në javët e fundit. Në fakt, tifozët shkodranë janë të ndjeshëm, por asnjëherë nuk e kanë kursyer mbështetjen e tyre në stadium. Kur shohin në fushë këtë skuadër, ata i pushton pesimizmi, megjithatë ia duan të mirën skuadrës së zemrës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje