Patriarku rus kujton Ramën kryebashkiak: Në atë post kryeve vepra të mëdha. Ja përgjigja e kryeministrit

15 vjet më parë kur Patriarku Kirill erdhi për herë të parë në Tiranë, Edi Rama ishte kryebashkiak, ndërsa sot ai është takuar në pozicionin e kryeministrit.

Vetë Patriarku falenderoi Ramën për ndryshimet e Tiranës, kur ai ishte si kryebashkiak, duke u shprehur se “çështjet estetike luajnë rol të madh në jetën e njeriut”.

Ndërsa kryeministri Rama tha se vizita e tij përkon me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale shqiptare, ndërsa kujtoi edhe themeluesin e saj, Fan Nolin.

Kryeministri Edi Rama: Ju uroj nga zemra mirëseardhjen! Natyrisht është një nder për ne që ju kemi këtu. Kisha ruse, përtej besimit, përfaqëson edhe një vatër të jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës. Për mua personalisht është një nga pikat e referimit, Andrei Rublev, por dhe liturgjitë e Tchaikovsky dhe Rachmaninoff.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që vizita juaj përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, Imzot Fan Noli, u shugurua prift nga peshkopi rus i New York-ut, Imzot Platoni. Kështu që ka një përkim shumë të bukur me ardhjen tuaj, tani në fund të prillit, pasi në mars u festua dhe ditëlindja e Kishës Autoqefale.

Ju më thatë që jeni të impresionuar nga ndryshimet e mëdha të Tiranës. Shpresoj që të largoheni nga Shqipëria me një përshtypje sa më të mirë.

Shenjtëria e Tij Kirill, Patriark i Moskës dhe gjithë Rusisë: Shkëlqesia juaj, ju faleminderit shumë për këtë pritje! Unë jam vërtet shumë i impresionuar nga ato arritje, nga ajo punë që është kryer këtu në Tiranë. Këto janë ndryshime vërtet të jashtëzakonshme. Sot i thashë zotit Anastas që tani që kam ardhur për herë të dytë, për herë të parë kam qenë në vitin 2003, unë nuk e njoh këtë vend. Tirana u ndryshua shumë, tani është vërtet qytet shumë i bukur. Unë e di që merita është shumë e madhe dhe kjo ju përket juve si kryebashkiaku i Tiranës. Unë ju përgëzoj për ato vepra të mëdha që keni kryer në atë post.

Unë besoj që është fati i Tiranës që për disa vite ky qytet është drejtuar nga njeriu i artit. Ju si artist e dini shumë mirë që çështjet estetike luajnë një rol shumë të madh në jetën e njeriut. Estetika është shfaqje e jashtme e harmonisë, por, kur flasim për harmoninë, nuk flasim vetëm për gjëra të jashtme, por edhe ato të brendshme. Tani mund të theksoj edhe njëherë lidhjen e ngushtë midis punës së njerëzve të kulturës dhe punës së kishës. Andrei Rublev ka krijuar kryeveprat e tij, sepse ato mishërojnë eksperiencën e tij shpirtërore.

Në një vizitë timen, nuk do t’ju them konkretisht në cilin vend, unë pata mundësi të njihesha me shembujt e artit modern. Unë nuk do të konkretizoj emrin e kësaj pikture, por kur ma ofruan dhe më pyetën cili është impresioni juaj për këtë pikturë dhe ata prisnin që unë si njeri ortodoks, njeri besimtar do ta kritikoja atë pikturë, sepse ajo ishte shumë e largët nga perceptimet e mia të kulturës. Por përgjigja ime ishte e çuditshme për ata njerëz. Thashë që ajo është një pikturë shumë e fortë. Ajo më tronditi.

Më thanë, a mund ta shpjegoni pak?

Po patjetër, tani do jua shpjegoj. Unë thashë, në këtë vepër arti mishërohet gjendja shpirtërore e autorit.

Nëpërmjet artit, si nëpërmjet një dritareje të vogël, ne mund të studiojmë shpirtin e njeriut. Përveç artit nuk ka asnjë gjë tjetër që mund të përcjellë në mënyrë kaq të qartë botën shpirtërore të njeriut. Prandaj unë nuk them në asnjë mënyrë që kjo është mirë, kjo është keq. Unë them kjo është e mirë, nëse është autentike dhe ka përcjellë gjendje shpirtërore. Nëse është autentike, është e mrekullueshme, edhe nëse është e shëmtuar në aspektin estetik.​ (TemA)

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...