Arrestohet administratori i firmës “Briland”, nën akuzë për falsifikim ushqimesh

7 Maj 2018, 17:02Kronika TEMA

Pas tetë muajsh në kërkim, Xhavit Kasemi u arrestua për herë të dytë nga Policia e Shkodrës për veprën penale të falsifikimit të produkteve ushqimore.

Nga Anila Dushi

I shpallur në kërkim prej tetë muajsh, pronari i një fabrike, i cili akuzohet se prodhonte pije alkoolike dhe produkte të tjera ushqimore në mënyrë të kundraligjshme u arrestua të hënën nga policia e Shkodrës. Xhavit Kasemi, 53 vjeç, pronar i fabrikës “Briland”, në të cilën sipas prokurorisë falsifikoheshin produkte ushqimore, u shpall në kërkim pas vendimit të gjykatës në shtator të vitit 2017.

“Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, me Vendim nr. 827, datë 25.09.2017, ka vendosur ‘arrest me burg’ për këtë shtetas, pasi si administrator i subjektit “Briland” ka prodhuar produkte ushqimore në mënyrë të kundraligjshme dhe të dëmshme për shëndetin, ku gjatë kontrollit në subjektin “Briland” në  lagjen Ajasem, Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor Shkodër, u gjetën dhe u sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasi të mëdha pije alkolike,” njoftoi policia.

BIRN nuk mundi të kontaktojë me avokatin e Kasemit, para publikimit të këtij shkrimi.

Kasemi i cili është gjykuar  edhe më parë për të njëjtën vepër penale fitoi pafajësinë në dy shkallë të gjyqësorit në vitin 2013, ndërsa katër vite më vonë ai u kap në kamera të fshehtë nga emisioni “Stop” duke shitur dhe reklamuar prodhime false si të importuara nga Italia.

Menjëherë pas publikimit të pamjeve, më 19 shtator, policia kontrolloi ambientet e subjektit të tij dhe zbuloi  se në depozita karburanti të ndryshkura, Kasemi mbante vajin ushqimor të cilin më pas e hidhte në treg. Në magazinë u gjetën gjithashtu ambalazhe pijesh të ndryshme.

Në një shkrim të mëparshëm BIRN gjeti se Kasemi, ashtu si edhe mjaft të akuzuar të tjerë për falsifikim ushqimesh, i shpëtonin drejtësisë duke marrë pafajësi dhe përfituar nga amnistitë, ndërsa mjaft prej tyre riktheheshin të kryenin të njëjtën punë.

Kasemi akuzohet  për veprat penale “Shkelje e të drejtës së pronësisë industriale”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve industrial e ushqimor”, “Falsifikimi i formularëve”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehje të të ardhurave”.

1 komente në “Arrestohet administratori i firmës “Briland”, nën akuzë për falsifikim ushqimesh”

  1. sunitet nuk bejne ''shtet''........... says:

    dhe Xhavit dhe brilant..!!!??

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje