Mami mos m’i publiko më fotografitë në Facebook!

15 Maj 2018, 11:22Blog TEMA

Nga Alma Nikolli*

Mami, unë sot në mëngjes u zgjova 20 vjeçe, vite që i kam gëzuar falë teje. Si thuajse në çdo ditë të jetës sime edhe sot prite me durim që të hap sytë përtueshëm për të më dhuruar një përqafim të ngrohtë dhe për…të më shkrepur një fotografi që ta ndaje me miqtë në facebook. Edhe sot do t’u tregoje me krenari se jam bërë vajza më e mirë dhe më e bukur në botë dhe se ti je krenare për mua.

Më pas ti dole nga dhoma dhe unë fillova të mendoj se cfarë dua të bëj në jetë tani që preka këtë moshë magjike. Në mendje më parakaluan shumë vite të miat.

E mban mend ditën e parë të shkollës në klasën e dytë? Më bleve disa lule për mësuesen, e unë nuk doja as të shkoja në shkollë. Isha mërzitur për macen që na humbi në plazh nuk doja fare të qeshja, aq më pak për një fotografi. Ti më the të qeshja sa për facebook. Me bishtaleca të shtrembëruara dhe duke qeshur me zor, vajza jote mori një lumë komentesh pozitive. Të gjithë panë tek unë një fëmijë të lumtur që shkon me mall e gaz në shkollë, gati sa edhe ti harrove që nuk kam më mace.

Një ditë të bukur t’u shkrep të më bëje modele. Seç u hap një konkurs reklame dhe fëmija më i pëlqyer do të ishte fatlumi. Me ditë të tëra fotografia ime i shkonte çdo të afërmi, fqinji, miku e miku të mikut. Nuk u bëra dot modele, se nuk fituam, kushedi kush na tha po e nuk na votoi.

Pastaj fillova të mësohem. Në çdo gjë që bëja “monitorohesha”. Një fustan i ri, një kala në rërë, një letër që ta lija pas dere… gjithçka, gjithçka ndahej me miqtë në facebook, që duhet thënë që nuk na i kanë kursyer asnjëherë fjalët e ëmbla dhe ne nuk ua kemi bërë me hile për fëmijët e tyre.

Fillova të mësoj që dëftesa të më dilte në facebook, nisa kurs pianoje, edhe pse e lashë shpejt, bëmë udhëtime e qepëm plot fustane pa e pasur në mendje.

Një ditë të bukur ti mami më more te parada e homoseksualëve, jo s’e kishim ndonjë të tillë në shtëpi, por thjesht për të qenë. Unë atëherë isha dakord më çdo gjë që ishe ti, por s’e kuptova pse prindërit e tjerë që të kishin inat më shanë edhe mua. Ndoshta ishin ata prindërit që nuk na bënë like tek fotoja, ku do bëhesha modele, mendoja atëherë. Ku e dija unë ç’peshë kishte një bluzë, unë atë me Frozenin kisha të preferuarën, të tjerat i vishja pa përtesë, mjafton të më blije një vezë kinder në këmbim.

Po tani jam rritur, jam 20 vjeçe. I kuptoj të gjitha. E di se nuk dua të bëhem as modele, as pianiste dhe as fëmija më i pëlqyer në facebook.

Mendoj fëmijërinë tënde mami, më kujtohet se më ke thënë që e vetmja vuajtje ishin gjunjtë e vrarë dhe tetat që u puthnin pa u pyetur në rrugë. Mua teta Romina një ditë më pa dhe as kokën nuk ma ledhatoi se më tha që më prishte flokët se i kisha kapur shumë bukur, se m’i kishte parë në facebook.

Të lutem mami, tani që jam rritur mos m’i posto më fotografitë në facebook. Kam nevojë që ndonjë teta apo xhaxhi edhe të më shohë e dojë për atë që jam në jetën reale.

*Letër imagjinare i një fëmije që sot është 5 vjeç, duhen dhe 15 vite që ajo të dërgohet, por unë e kam shkruar sot.

2 komente në “Mami mos m’i publiko më fotografitë në Facebook!”

  1. Lara says:

    Kopjuar nga nje blog italian

  2. e verteta says:

    RReth gati 5 vjet me pare ka filluar nje fushate per mospostimin e fotove te femijeve ( perfshi edhe te moshave 13-18 vjecareve qe quhen teenagers ne anglisht) ne facebook. Ne te kane marre pjese mjeke, psikologe, profesore, mesues, prinder dhe persona e personalitete te ndryshem. Ne te u behej thirrje sidomos nenave per rreziqet dhe pasojat qe sjellin publikimi i fotove si edhe te dhenave te tjera personale te femijeve ne facebook, sic jane emri, mosha, shkolla qe ndjekin etj. Ky sensibilizim i opinionit duhet nisur edhe ne Shqiperi dhe mundesisht sa me pare. Por mendoj qe rruga e duhur nuk eshte kopjim/perkthimi i materialeve te marra nga interneti. Ose pershtatje me shume pak ndryshime, ose si me thene duke i dhene ngjyra shqiptarce artikullit dhe duke e botuar si origjinale. “Autorja” po te ishte ne ndonje shtet tjeter do te ishte paditur per plagjiarizem dhe do te gjykohej sipas ligjit ne fuqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje