Pangalos rrëfen bisedën me Berishën për “piramidat”: E paralajmërova se s’mund të luhej me paratë, por ai më sulmoi si marksist dhe se i doja paratë për bankat greke

Ish-zëvendëskryeministri dhe ministër i të gjitha qeverive të dala nga PASOK-u nga viti 1981 e deri më sot, Theodoros Pangalos, ka vizituar sërish Shqipërinë por këtë herë si publicist me librin e tij të përkthyer në shqip “Me Papandreun në Europë”.

Gjatë prezantimit të librit, ai ka kujtuar një bisedë që ka bërë me Sali Berishën për “piramidat”.

“Më është dashur të udhëtoj një herë bashkë me zotin Shehu nga Gjirokastra për në Vlorë me helikopter ku do të takohesha me presidentin e Republikës së Shqipërisë të asaj kohe që ishte zoti Berisha.

Dhe kam pasur nderin të flija në vilën e Enver hoxhës madje në dhomën dhe krevatin e tij. Një dhomë katër me katër dhe më besoni kam fjetur kaq mirë.

Me zotin Berisha kam biseduar gjithë atë natë dhe i thashë dy gjëra për të cilat këmbëngulja. Gjëja e parë ishin piramidat, që ju e dini jepnin para me interesa shumë të larta.

Në fillim Berisha u përpoq të shmangej duke bërë dhe shaka e duke më thënë se je dinak dhe kërkon që ato para t’u shkojnë bankave greke.

Pastaj më tha që je marksist dhe unë jam liberal demokrat. Unë i thashë nuk dua të ndërhyj në treg.

U detyrova në atë kohë dhe i thashë, ‘zoti president më falni nuk dua t’u jap mësime por duhet të dini që paraja është një mall i veçantë, nuk është si mallrat e tjera. Asnjë vend i botës nuk i le bankat e veta pa kontroll’”, tha Pangalos.

Ish-zëvendës kryeministri grek me origjinë arvanitase tregoi dhe se ka insistuar tek Berisha për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.

Gjeja tjetër që i thashë, e ftova që të nxirrte Fatos Nanon nga burgu. Më tha që është e paligjshme. I thashë, pse është e paligjshme, ju nuk keni një kushtetutë të re keni të vjetrën ndaj bëni një ligj pasi keni shumicën në parlament ku të thotë Fatos Nano të lirohet nga burgu. U bë çfarë u bë ju e dini shumë më mirë se unë.

E takova vite më vonë në Strasburg, hëngrëm dhe drekë me të dhe ishte në nderin e tij që e pranoi duke më thënë që për dy gjërat që diskutuam atë natë në Vlorë ke pasur të drejtë, edhe Nanon duhej ta kisha nxjerrë nga burgu edhe piramidat duhej t’i kisha ndaluar”, kujtoi Pangalos.(TemA)

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...