ANALIZA/ Të papërgatitur para stuhisë: BE, Kosova dhe Serbia

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Ka kaluar tashmë një vit qëkur pjesëmarrësit e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë, të kryesuar nga BE, i cili zuri fill më 2012, njoftuan për fillimin e një «faze të re» të dialogut në Bruksel në korrik të vitit 2017.

Faza paraardhëse ishte dhe ngelet ende e lidhur me sfidat e palëve për të zbatuar tërësisht Marrëveshjen e Prillit të 2013-ës. Megjithatë negociatat mbi një marrëveshje të obligueshme ligjore mbi normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ende s’kanë filluar.

Për një vit, kjo çështje është anashkaluar në mënyrë strategjike. BE – përmes Përfaqësueses së Lartë për Politikat e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, apo ndonjërit prej përfaqësuesve të shteteve kryesore anëtare – nuk ka përcaktuar ende publikisht një platformë me strukturën përkatëse sipas të cilës do të bëhen negocimet, apo të përcaktohet rezultati përfundimtar i pritur. Kjo ka çuar në lëkundje politike, tensione, madje edhe një përshkallëzim gati të dhunshëm në mars, kur Policia e Kosovës arrestoi kreun e kabinetit qeveritar serb për Kosovën, Marko Gjuriq, në Mitrovicën veriore, duke e dëbuar më pas në Serbi.

Përpos faktit që faza e re do të ketë të bëjë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ka një moskuptim të përgjithshëm në rajon, mes politikbërësve, analistëve, shoqërisë civile si dhe publikut të gjerë mbi këto: a) nëse BE dhe SHBA do u japin fund në të vërtetë debatit mes Kosovës dhe Serbisë për statusin, b) cilat janë qëllimet e kësaj marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, c) a i kanë vënë BE dhe SHBA pikat mbi ‘i’ përfundimisht, d) ku bazohen elementet dhe alternativat e marrëveshjes përfundimtare. Mbi të gjitha, politikbërës të ndryshëm, grupe të ekspertizës, analistë politikë, akademikë nga Kosova dhe Serbia dhe Perëndimi kanë dalë me një sërë idesh, propozimesh dhe modelesh, duke i shtuar kështu keqkuptimet, pa i qartësuar gjërat më tutje.

Por ndryshe nga këto propozime të llojllojshme, të cilat ravijëzojnë një sërë skenarësh dhe përfundimesh për negociatat e ardhshme, në të vërtetë, faza e re nuk lë vend për manovra. Nuk ka kohë për meditime mbi skenarë të mundshëm.

Është koha për lojën finale. Ka vetëm dy opsione kryesore për përfundimin e negociatave gjithëpërfshirëse të lëna hapur: ose një arritje madhështore, ose një kolaps i plotë i përpjekjeve të gjata të BE-SHBA-së për të gjetur një rrugëzgjidhje të qëndrueshme për debatin Kosovë-Serbi.

Njoftimi për fillimin e fazës së re në dialogun politik pa e përfunduar fazën e mëparshme ishte në njëfarë mënyre pranim i nënkuptuar i dështimit të Mogherinit dhe ekipit të saj të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm. Kjo ishte një lëvizje e pazakontë për BE-në, që kallëzon qartë se dinamikat e jashtme e kanë çuar dialogun e stërzgjatur përtej kontrollit të Brukselit.

Qasja e dialogut politik, të ndërmarrë nga kancelarja gjermane Angela Merkel më 2011, ka dështuar. Kjo lidhje mes pranimit të Serbisë në BE dhe progresit substancial në «normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës» fitoi pikë pasi koalicioni aktual qeverisës në Serbi erdhi në pushtet në 2012 dhe kur u nënshkrua Marrëveshja e 2013-ës.

Ajo çka e karakterizoi dështimin e dialogut politik në fazën e tij të parë ishte «gradualiteti» i tij në dy aspekte. Së pari, procesi gradual i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve fqinje, Serbisë dhe Kosovës i dha prioritet rritjes së «çmontimit të strukturave paralele në Kosovë». Kjo  do të shpërblehej me progresin e Serbisë drejt anëtarësimit. Së dyti, vetë ky «gradualitet» ishte një koncesion i Perëndimit ndaj Serbisë.

Rezultatet e dialogut kanë qenë pak a shumë të përcaktuara që në fillim me kushtet e Merkel-it për Serbinë dhe njohjen de facto të Kosovës nga Serbia e nënkuptuar në Marrëveshjen e Prillit: sovranitet dhe integritet i plotë territorial dhe ushtrim i plotë i subjektivitetit ndërkombëtar i Republikës së Kosovës, përfshirë këtu dhe integrimin e plotë të serbëve të Kosovës.

Qasja graduale e dialogut politik supozohej se do t’i linte hapësirë dhe kohë elitave politike të Serbisë për të ndrequr hap pas hapi politikat e tyre dhe për t’i përgatitur qytetarët e tyre për realitetin e mohuar për një kohë të gjatë që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. Ajo qasje graduale ka dështuar, meqë BE e la Beogradin dhe Prishtinën ta vonojnë pafundësisht zbatimin e Marrëveshjes së Prillit, duke i lënë kësisoj elitat qeverisëse të Serbisë t’i ndërrojnë vazhdimisht tonet mbi Kosovën dhe madje të ndryshojnë qëndrimet që mbanin në vitin 2013.

Nëse dialogu vijon me këtë hap breshke si tani, BE mund t’i vë në përdorim mekanizmat lidhur me pranimin e Serbisë, kapitulli 35 mbi Kosovën, siç është e paracaktuar në Kornizën për Negociatat për Pranim në BE dhe t’i ngrijë negociatat për anëtarësim plotësisht.

Ky skenar sigurisht do të çonte në shkatërrimin e plotë të marrëdhënieve BE-Serbi e po ashtu të kërcënojë themelet aktuale të regjimit të Vuçiq. Si rezultat, nuk ka ndonjë rrugë tjetër për në pikën përfundimtare të negociatave.

Ose secila prej palëve të bien në marrëveshje gjithëpërfshirëse nën kushtet origjinale, që Serbia përfundimisht të pranojë humbjen e Kosovës dhe ta njohë vendin fqinj si shtet në një formë apo tjetër, duke hapur kështu rrugën për anëtarësim në BE të Serbisë dhe po kështu edhe të Kosovës. Tjetra rrugë është dështimi i negociatave. Kjo do i jepte fund dialogut, procesit të integrimit të Serbisë në BE dhe politikave pro-evropiane të Vuçiq-it, duke e hedhur kështu vendin në kaos të thellë politik.

Ndërsa vetë retorika mund të shkaktojë dëshpërim, realitetet shënojnë kah një depërtim, nëse do adoptohej një strategji më pak diplomatike do adoptohej. Pavarësisht flirtimit me Rusinë (dhe rezonancën e saj), Europa i përafrohet shumë më tepër shoqërisë së Serbisë, ekonomisë dhe zhvillimit – siç e pasqyrojnë edhe valët e emigrimit të të rinjve të talentuar serbë. Njëkohësisht, Rusia nuk ofron asnjë rrugëzgjidhje praktike, siç e demonstrojnë shifrat tregtare.

Sidoqoftë, asnjë nga tri palët e negocimit nuk ka kontribuar për të caktuar platformën që bisedimet e ardhshme përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Vuçiq dhe të tjerë politikanë serbë, me qëllim që t’i orientojnë negociatat e ardhshme në një drejtim të kundërt me qëllimet dhe objektivat e dialogut origjinal, janë bërë mjeshtër të dredhive politike.

Nëse i merr për bazë ato çka thonë, negociatat kanë të bëjnë me arritjen e një «kompromisi» klasik me atë se çfarë i jepet Serbisë, duke ofruar «zgjidhje» si shkëmbime e ndërrime territoriale të cilat kapërcejnë vijat e kuqe të përcaktuara kohë më parë.

Në anën tjetër, Mogherini dhe ekipi i saj kanë ngritur dyshime serioze mbi atë se sa e kuptojnë ata që roli i tyre nuk është vetëm në «lehtësimin» teknik, por në shënjimin e vijave të kuqe, të qarta dhe të përcaktuara në kornizën e negociatave, e cila është në thelb të zbatimit. Në Kosovë, sjellja e elitave politike qeverisëse dhe opozitare, ka ngritur shqetësime mes politikbërësve perëndimorë mbi atë nëse Kosova do të jetë e aftë të sillet si një palë serioze për negocim.

Deklarata si ajo e Ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, i cili tha se «Serbia nuk ka nevojë të thotë se e njeh Kosovën, por të bëjë sikur e njeh», tregojnë që Prishtina po i lëshon pe Beogradit para se negociatat të fillojnë.

Në të njëjtën kohë, ka dyshime sa i përket situatës së ndjeshme politike të brendshme, nëse negociatorët kosovarë janë të aftë të mbledhin mbështetje të mjaftueshme politike për të garantuar zbatimin e ardhshëm të çdo marrëveshjeje të nënshkruar.

Do të jetë themelore që Perëndimi – qeveritë e shteteve kryesuese të BE-së, bashkë me SHBA-në – të përcaktojnë platformën për një zgjidhje konkrete. Duhet t’i bëhet e qartë Vuçiq-it se i nevojitet t’i rikthehet realitetit politik që krijoi bazën e rrugës së përbashkët në 2012. Së fundi, kosovarët duhet të përgatitin veten para se të nisin negociatat. (BIRN, kallxo.com)

Bodo Weber punon si analist për Democratization Policy Council në Berlin.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “ANALIZA/ Të papërgatitur para stuhisë: BE, Kosova dhe Serbia”

  1. says:

    Shtetet e BE-së jan fundosur nga borxhe pa fund., fiscale dhe sociale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *