Rama për ‘AFP’: Integrimi i Ballkanit, jetik për vetë Europën. Verbëri ta shohësh ndryshe!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

“Është verbëri të mos shohësh nevojën e Bashkimit Europian për t’i dhënë një perspektivë europiane Ballkanit”.

Ky është thelbi i një prononcimi të dhënë nga Kryeministri, Edi Rama, për agjensinë prestigjioze të lajmeve “Agence France Presse”, gjatë vizitës së tij në Paris.

Në deklaratën e pasqyruara gjerësisht në shtypin europian, theksohet se: “Përsa i përket negociatave, ne nuk po kërkojmë asgjë që nuk e kemi merituar. Nuk kërkojmë asnjë qindarkë nga ana e Bashkimit Europian, por vetëm këshilla për mënyrën se si të vijojmë reformat që na presin më tej”.

Ky është artikulli i plotë i publikuar në shtypin francez

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e gjykoi këtë të martë si “jetik” integrimin e Ballkanit për interesat e vetë Bashkimit Europian. Sipas tij, integrimi do të ishte një “faktor paqeje dhe stabiliteti”, në një rajon që “nuk do të përjetojë sërish” spektrin e luftës që ka përjetuar në të shkuarën.

“Është në interesin e vetë Europës që Ballkani t’i bashkohet. Është jetike për Ballkanin, por është jetike edhe për Europën. Duhet të jesh i verbër që të mos ta kuptosh”, deklaroi Rama për “Agence France Presse”, gjatë një vizite në Paris. Një anëtare e NATO-s që prej vitit 2009, Shqipëria shpreson që sivjet të hapë negociatat e anëtarësimit.

“Ne jemi një vend i përbërë nga muslimanë dhe nga të krishterë, por feja jonë e përbashkët është Europa. Ne besojmë fuqimisht tek Europa si një faktor paqeje dhe stabiliteti, besojmë në një bashkëjetesë miqësore dhe në një bashkëpunim të vazhdueshëm midis Europës dhe rajonit e vendit tim”, vijon Rama. “Mundet që qytetarët e Europës ta kenë harruar, pasi për ta lufta është vetëm një film bardh e zi në “Netflix”, por për ne që e kemi përjetuar, është diçka të cilën nuk duam ta përjetojmë kurrë më”, shton ai në referencë ndaj luftës së Kosovës në vitet 1998-99.

Konflikti i fundit në serinë e luftimeve që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990, kjo përballje midis forcave serbe dhe atyre kosovare la më shumë se 13 mijë të vdekur.

Hapja e negociatave

Komisioni Europian i propozoi vendeve anëtare në muajin prill hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë, kjo pavarësisht hezitimeve të disa vendeve anëtare, përfshirë Francës. Zoti Rama përshëndeti në atë moment vendimin e marrë si rrjedhojë e përpjekjeve reformuese në vendin tij, veçanërisht në fusha si lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni.

“Nuk do t’i ndodhë asgjë Francës, Gjermanisë apo BE-së në tërësi nëse do të vendoset që të hapen negociatat e anëtarësimit. Shqipëria nuk është një kërcënim për ta”, theksoi Rama gjatë vizitës së tij në Paris. “Përkundrazi, hapja e negociatave do të na lejojë që të përforcojmë shtetin tonë ligjor, institucionet tona dhe do të na lejojë të bëhemi një vend më i mirë për të jetuar. Nuk bëhet fjalë për para. Ne nuk po i kërkojmë asnjë qindarkë Bashkimit Europian, por kërkojmë vetëm rekomandime të mëtejshme për reformat që na presin”.

Progresi i kërkuar

“Ne kemi përmbushur të gjitha ato që duhet të përmbushnim për hapjen e negociatave. Të gjithë janë dakord mbi fatin që Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për t’u përgatitur për këto negociata. Është diçka që e meritojmë dhe nuk i kuptoj këto hezitime në lidhje me këtë çështje”, shton Rama.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të kancelarive europiane, trafiku i kanabisit nga Shqipëria është i barazvlefshëm me një të tretën e Produktit të Brendshëm Bruto të këtij vendi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kërkojnë me këmbëngulje një progres të qënësishëm të Shqipërisë në luftën kundër trafikut të drogës dhe korrupsionit. Tirana zyrtare, nga ana e saj thekson se ka shënuar disa suksese të rëndësishme gjatë muajve të fundit në luftën kundër trafikantëve.

https://www.7sur7.be/7s7/fr/1505/Monde/article/detail/3430661/2018/05/29/L-adhesion-a-l-UE-est-vitale-pour-les-Balkans.dhtml

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *