Ky “qen i pamëshirshëm…”

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Nga Gjon Ndreja

Tek ecja bregut të detit, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, ku jam stacionuar për pushime në këto ditë të nxehta të fillim verës, befas më erdhi në mend një fragment nga një poezi e njohur e Migjenit ku e përkufizon kapitalizmin si “një qen i  pamëshirshëm, me bark shekulluer gjithmonë i pangishëm”. Dhe shkak për këtë u bë “Përroj i Agait” i cili ndodhet në mes të Shkëmbit Kavajës dhe Golemit i cili derdhet lirshëm në det. Kur shkova në drejtim të Golemit ai kalohej me lehtësi, pasi prurjet e tij ishin minimale dhe me një të kërcyer ndodhesh në bregun tjetër.

Por kur u ktheva prej andej ishte bërë i  pakapërcyeshëm për shkak se kishte shtuar volumin si rrjedhojë e derdhjes së ujrave të zeza në të dhe kjo kuptohej menjëherë sapo afroheshe pasi era e rëndë e fekaleve të zinte frymën. Në të dy anët këtij përroj janë ndërtuar disa resorte turistike që nuk përtojnë të vendosin pa hesap yjet në tabelat e tyre. U vura menjëherë për të  kërkuar burimin e derdhjes së ujrave të zeza por nuk ishte e mundur pasi përroj në gjithë rrjedhën e sipërme ishte i  mbuluar dhe kishte dalje vetëm në det.

Tek më erdhi në mendje vargu i poezisë së Migjenit po mendoja se si është e mundur që biznese të tilla që kanë harxhuar miliona euro për të ndërtuar këto ngrehina luksoze, nuk kanë ndarë disa shuma për të pakësuar ndotjen në mjedis. Në fakt kjo është shpjegohet me mentalitetin e biznesit, të lidhur me babëzinë për fitime, pasi në gjykimin tim kjo nuk më duket shumë rezultative edhe për vetë ata. Madje kjo qasje më duket si ajo e budallait që kishte hypur në pemë dhe po priste degën ku ishte mbështetur. Dhe kjo duket se është lehtësisht e verifikueshme për shkak se të gjithë shezlongjet ishin të boshatisura sepse klientët kanë filluar të “hakmerren” duke bojkotuar këto mejdise.

E ndërkohë nuk kishte si të mos vinte ndërmend deklarata e ministrit tonë të turizmit, i cili para do kohe i paralajmëroj të gjitha bizneset se do të ishte i pamëshirshëm ndaj atyre që derdhin ujërat e zeza në det dhe i kërcënonte ato deri edhe me mbylljen e aktivitetit tyre. Duke patur parasysh situatën që po përjetojë,  kjo deklaratë më ngjason me ato paralajmërimet kineze të viteve 70 për shkeljen e hapësirës ajrore nga amerikanët. Kjo sepse ujrat e zeza në këtë zonë derdhen lirisht në mes të ditës, apo ndoshta kjo ishte një harresë e rojes që e kishte zënë gjumi pasi ato derdhen natën vonë pas mesnate. Sido që të jetë ky është një veprim i papranueshëm dhe një qëndrim i  papërgjegjshëm jo vetëm i biznesve por edhe e strukturave publike, të cilat nuk kanë marrë masa për të monitoruar dhe identifikuar dhe do zoti edhe dënuar këto biznese që shkelin ligjin.

Nga pikpamja organizative kjo nuk ka asnjë vështirësi pasi zona në fjalë duhet të jetë e identifikuar si zonë me rrezik të lartë, pasi nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë por me sa duket “qeni i pamëshshirshëm” ka kafshuar edhe këto struktura që kanë për detyrë monitorimin dhe identifikimin e rasteve që thyejnë ligjin. Sipas legjislacionit një kusht paraprak për të licensuar një biznes të tillë është edhe leja mjedisore e cila lëshohet pas një studimi të kryer nga inspektorë të licencuar, lidhur me impaktin që kanë këto biznese në mjedis dhe mënyrat se si ato i kanë zgjidhur problemet që shkaktojnë impakte mjedisore. Në se do të ju kthehemi këtyre studimeve besoj se padyshim specialistët e mjedisit i kanë “kopsitur” zgjidhjet në letra dhe kështu nuk është e vështirë të identifikohen se si ato zgjidhje janë zbatuar por “qeni i pamëshirshëm” me sa duket i ka “kafshuar” të gjithë.

Për të vazhduar më tej argumentin për babëzinë e këtij “qeni të pamëshirshëm” dhe duke mbetur gjithnjë në zonën e plazhit po i referohemi të ashtuquajturave “plazhe publike”. Përpara tre vjetësh sapo kishin mbaruar zgjedhjet lokale apo kur ishim në prag të tyre, policia bashkiake dhe ajo e shtetit, ishin shumë të rreptë për të respektuar të ashtuquajturat plazhe publike, të cilat janë të destinuara për qytetarët pa pagesë, për të vendosur mjetet e tyre të pushimit si çadra apo shezllonge. Të gjithë qyetarët ishin shumë të kënaqur nga kjo sjellje e policisë bashkiake apo të rendit të cilët ndërhynë disa herë për të vendosur të drejtat e qytetarëve të cilët ishin nëpërkëmbur nga bizneset që kishin pushtuar hapësirat e bregut të detit duke rrethuar dhe vendosur çadra e shezllongë për të cilat qytetarët detyroheshin të paguanin.

Por kjo u harrua shpejt dhe prej asaj kohe të gjitha hapësirat janë pushtuar nga bizneset, të cilat jam i sigurtë se disa prej tyre nuk kanë paguar ose kanë paguar në rastin më të mirë gjysmën e taksës bashkiake për këtë qëllim. Këtë vit disa biznese me arrogancë kanë çvendosur mjetet e qytetarëve duke i hedhur e dëmtuar ose humbur, me qëllim për të vendosur mjetet e tyre dhe qyetarët e pambrojtur heshtin ose thërrasin ndonjë polic dhe këta të fundit i japin të drejtë biznesit. Çudia nuk ka kufi. Një biznes u paraqit me një tapi të kohës Zogut sipas të cilës ajo ishte toka e gjyshit të tij dhe i hoqi të gjitha instalimet e qytetarëve duke i kërcënuar ata, kur në dijeninë time në atë kohë e gjithë sipërfaqja e bregut të detit në një distancë të caktuar nga uji ka qenë pronë publike dhe nuk mund të tjetërsohesh.

Një nga mendimtarët më të shquar të ekonomisë, që ka bërë analizën e lindjes dhe të zhvillimit të kapitalizmit  thoshte se kapitalisti në fillimet e tij është një njeri i mirë i zakonshëm dhe punon së bashku me familjen e tij por kur ai siguron 10 përqind fitime shkëputet nga puna e drejtpërdrejtë dhe punëson të tjerët duke u kthyer në mbikqyrës të tyre. Por kur ai siguron 100 përqind fitim bëhet shumë agresiv dhe arrogant, ndërsa kur norma e tij e fitimit arrin në 300 përqind ai nuk ndalet përpara asnjë krimi. Morali i kësaj “përralle” në rastin konkret ka të bëjë me përmbajtjen e kapitalit, e cila ka në natyrën e vet të brendshme, vetinë për t’u  shtuar dhe pse jo shumëfishuar.

Pavarësisht se ne etiketuam si një “qen i pamëshirshëm” mendoj se sistemi kapitalist në kushtet e një shteti demokratik është padyshim sistemi më i përparuar shoqëror, që mobilizon dhe vë në shërbim të njeriut gjithë energjitë potenciale. E theksoj togëfjalëshin “në kushtet e një shteti demokratik”, pasi ky i fundit ka për mision që krahas nxitjes dhe zhvillimit të  ekonomisë kapitaliste, të frenojë “orekset” e tij që vijnë në dëm të interesave të qyetarëve. Për këtë qëllim shteti krijon një aparat të tërë burokratik, që mbikqyr dhe vë nën kontroll zhvillimet deri në atë masë sa të sigurojë një baraspeshim midis zhvillimeve dhe interesave qytetare. Në rastin tonë këto mekanizma duket se nuk funksionojnë siç duhet, si do që ato janë të krijuara dhe të mirë paguara nga taksat tona, si dhe kanë gjithë hapësirën e duhur ligjore për të vendosur ekuilibret që përmendëm.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

6 komente në “Ky “qen i pamëshirshëm…””

  1. poli says:

    shkrim i perkryer gjon por kujt ja shkruan?
    a din gomeret e shtetit dhe te bashkise te lexojne?

  2. Berti says:

    Nje shkim shume i mire, problemet e te cilit duhet te bien ne veshet e atyre qe e kane per detyre te degjojne.

  3. Asqeri kishta says:

    Bravo gjon, solidarizohem me ty se e kam oare vete kete gjendje por kujt i thuaj gjushit
    Ka 12 vjet k bashkie dhe tallet me shkembin e kavajes se ata nuk jane votuesit e tij,
    Vijne nga tirana
    Tepershendet asaeriu

  4. Roland says:

    Pune korrakesh…….

  5. Gezim says:

    Analize llogjike, por qe te kuptohen kushtet dhe shkaqet e mos funksionimit te shtetit dhe demokracise dhe çfare duhet korrektuar, duhet analizuar platforma e Ramiz Alise e Katovices

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *