A njihni ndokënd që di të kënaqet?

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
Nga Alma Nikolli

A njihni ndonjë njeri që di të kënaqet? Me një shi të freskët vere, me shëndetin e fëmijëve a të prindërve, me një fotografi të dikurshme të “zhdukur” prej kohësh, me një kafe të mirë, me një telefonatë a letër, me një urim ditëlindjeje, me një trëndafil erëmirë, me një tingull violine, me një lëndinë me bar, me një bisedë, me një xhiro me biçikletë, me një buzëqeshje fëmije, me uratën e një të moshuari, me një akullore, me arritjen e një miku, me një xixëllonjë a një kumbull të thartë?

Me saktë, a njihni një njeri që di të kënaqet vetëm me këto? Që mjaftohet? Që thotë: Faleminderit Zot a jetë për këto që kam, nuk mund të dua më tepër për sot. Një njeri që gjen kënaqësi tek gjithçka që ka dhe s’ka?

Nëse e njihni, bëjeni të flasë sa më shpesh. Lexojani shkëlqimin në sy kur flet për përditshmërinë si diçka të përditshme, por që është çdo ditë ndryshe ama. Sepse një ditë krejt papritur mund të mos jetë. Dëgjojeni me vëmendje dhe besojeni. Sapo ta ndjeni, ndajeni edhe më të tjerë…E dini si përhapet energjia pozitive? Fluturimthi.

Mos dëgjoni ata që nuk e vënë re se kanë ditë për ditë sy për të parë, këmbë për të ecur, veshë për të dëgjuar e jetë për të jetuar. Mos u “infektoni” nga stresuesit që i çmend trafiku, të cilin s’e kanë aspak në dorë, shefi kokëçarës, lavatriçja që s’punon, paratë që u mungojnë, fustani që u bë me njollë, viza që nuk po u del apo celulari që u fik.

E çfarë se ka trafik? Unë jam mirë, po dëgjoj muzikën që dua, s’po më lëkund një tërmet, nuk po më bien flokët nga kimioterapia, nuk jam rrëzuar në shkallët e një pallati dhe bastuni nuk po zbret zhurmshëm nëpër kate. Do të zbres pak me vonesë fundja dhe do të vrapoj. Duke vrapuar do të harroj të mendoj. Do të arrij në destinacion dhe një buzëqeshje nga ato që përmenda në fillim do më kënaqë dhe u harrua.

Po mirë, trafikut ia dole, po shefit si t’ia bësh? Ai është më i kollajti. E lë atje në punë. Thjesht kalon pragun dhe je njeri i lirë, ti mund të ikësh kur të duash nga ai, por ai nga vetja e tij nuk ikën dot. A nuk është kënaqësi të dish që nuk je si ai?

Lavatriçja nuk punon? E ke provuar si bëhen rrudhat në gishta kur lan rroba me dorë? Provoje. Ndjen sikur u plake menjëherë. I mbaron shpejt e shpejt dhe del e shijon rininë, këput një trëndafil erëmirë, e nuhat bashkë me aromën e detergjentit në duar dhe të qeshet.

Paratë? Asnjëherë nuk do mjaftojnë. Përherë do të kesh më shumë gjëra për të bërë, se sa ato që bën. Përherë do të ketë një fustan, parfum, celular, makinë, destinacion e gjithçka tjetër më të lakmueshme se ajo që ke. Përherë ke për të dashur shumë e më shumë, e për t’u kënaqur pak e më pak.

Viza nuk del? Epo shumë mirë. A nuk beson ti se je i ndershëm? I duhesh këtij vendi. Nuk do që ti të ikësh. Po të tërheq për mënge, qëndro dhe bëje më të mirë.

Fustani me njollë? Qëndisi një lule.

T’u fik celulari, lum si ti. Ndiz ëndrrat e këmbët dhe vrapo kudo ku nuk të çojnë dot parajsat virtuale të miqve dhe jomiqve.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

2 komente në “A njihni ndokënd që di të kënaqet?”

  1. Moj shqipni e mjera shqipni says:

    Po te jetosh ne Zvicer ? Kjo mund te jete normale.
    Por nese jeton ne Albanistan duhet te jesh anormal te mendosh se je i kenaqur.
    Besoj se autori i ketij shkrimi jeton jashte Shqiperie ?

  2. Feniks says:

    Bravo moj cupe e xhaxhait se ke bere nje hartim te bukur,por per femijet!
    Pse them per femijet?
    Se femijet nuk pergjigjen qe nga lindja e deri sa behen per te dale te pavarur ne jete i ushqen ,vesh,prindi,i con me pushime prindi8,i ble kepuce,sandale rroba banje prindi,i con ne kurse sportive,muzikore etj,prindi,i cin ne cerdhe e kopesht prindi,ia blen librat prindi,perballon dobesite ne shkolle,semundjet,operacionet,grindjet me shoket e shoqet prindi,perballon diskot dhe pub-et prindi etj,etj
    Por femija,ashtu si edhe ti moj cupe nuk i di se cfare heq prindi per te nxjerre leket qe te perballohen te gjitha keto!
    Prindi e heq nga goja dhe ia jep femijes qe nga kenaqesitre e jetres,tek kokrra e molles,qershise etj,tek pushimet ne plazhe etj,etj!
    Por ti moj cupe ,si duket nuk te ka munguar gje ne kete jete se mbase prindet e tu e kane patur xhepin plot,prandaj edhe thua se a ka njeri qe te jete i kenaqur?
    Po si te jene te kenaqur 70-80 % e prinderve shqiptare kur jane te pa pune,te ngujuar nga gjakmarrja,me femijet neper burgjet e Europes,me femijet qe i kane tre zhdukur e nuk di ku jane,me prinbderit qe femijet u jane mbytur ne det duke kaluar matane apo neper malet me debore per ne Greqi!
    Si mund te jete i kenaqur shumica e prinderve shqiptare qe femijet e tyre kane marre dhene neper bote per nje jete me te mire,se atdheun e tyre e kane grabitur banditet politike qe nga Berisha,Nano,Meta,Rama etj dhe ata te mjere kane mbetur vetem e nuk ka kush t’u jape nje gote uji?
    Si mund te flasesh per kenaqesi per mijra prinder,gjyshe e gjysher,qe me nje pension skandaloz,PA ASNJE MBROJTJE NGA SHTETI DIKTATORIAL FASHIST,qe nuk kane leke per te pire nje kafe,qe tani nuk hipin as ne autobuzet urbane se bileta kushton 800 leke aQ SA KUSHTON BUKA e 2-3 diteve b per 2 pensioniste?
    Si te jene te kenaqur pensionistet,kur qeveria hiqet se nuk mund te na rrise pensionet se nuk ka,po biletat e autobuzit pse nuk na i ben FALAS?
    Po TVSH e dritave qe shkon rreth 20 mije leke ne muaj,pse nuk e heq?
    Cfare vlere ka demagogjia e Erion Veliajt se ka disa kafene ne Tirane qe deri ne nje ore te caktuar e japin kafen surrogato me lire?
    A e di ky kalama se me duhen 800 leke te te shkoj cdo mengjes te pij kafen me lire ne mes te Tiranes?
    A e di kryeministri dhe kryebashkiaku qe gezojne dhe mjelin postet e tryre me votat e shumices se pensionisteve dhge tani tallen me ne!?
    A e dine keta sundimtare se ne Europe ka autobuze urbane shteterore pa leke per pensionbistet?
    Apo nga Europa marrin vetem pervojen se si te na rjepin ne fukarenjve dhe si te shesin dengla per te mbajtur postin e tyre?
    Ne e duam nje qeveri antikomuniste,por jo antipopullore dhe antishqiptare!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *