Kolonia ndëshkimore ndaj RTSH-së e drejtorit të MAPO-s

12 Qershor 2018, 17:14Politika TEMA

Nga Enkel Demi

Drejtori i gazetës “Mapo”, zoti Ervis Iljazaj ka mbërritur në një përfundim të prerë që Televizioni Publik është i dështuar, sepse nuk ka audiencë dhe paratë publike është shumë mirë që t’u jepen privatëve për shërbime publike të caktuara.

Kjo nuk është një ide vetmitare e zotit Iljazaj, por edhe disa opinionistëve të tjerë, të cilët natyrisht kur arrijnë në përfundime të këtilla, meqë përfaqësojnë mendimin kontekstualist duhet të nisen nga të dhëna shkencore. E qëmtova me kujdes shkrimin “Televizioni shtetëror nuk ka asnjë vlerë, po parave publike për televizionet private”, botuar në MAPO dhe nuk gjeta asnjë të dhënë. Natyrisht, si të gjithë komentatorët e shumtë të shtypit, drejtori i gazetës niset në analizën e tij nga negativja për të nxjerrë një përfundim negativ.

Përsa i përket të dhënës shkencore, me siguri burimi i vetëm i matjes së audiencës, për pasojë dështimit të RTSH-së, është vetëm një; “derisa unë nuk e shoh, nuk e sheh askush”. Me këtë logjikë i bie që të mendoj se, meqë këtë sezon nuk e kam parë asnjë të enjte zotin Iljazaj, kur ka qenë i pranishëm në studiot televizive, atëherë emisionet, ku ai merr pjesë janë zero në audiencë. Pyetja është përse çdo të enjte? Sepse TVSH jep ndeshjet e Europa League, pa pagesë dhe natyrisht audienca në këtë rast në të gjithë botën është në 60 për qind e lart për nga topi i lojës.

Natyrisht, ka gjasë që vetëm shqiptarët të bëjnë përjashtim nga ky rregull dhe të shohin emisionet me analistë politikë në vend të Atletico Madrid – Olympique de Marseille. Po kështu, duke nisur nga kjo e enjtje, unë për vete nuk do të shoh asnjë emision tjetër, sepse nis Botërori dhe jepet vetëm e vetëm në RTSH, pa pagesë, në asnjë pay tv, shoqëruar me emisione nga më të larmishmet, në të cilat nuk do jepen vetëm golat e rastet, por gjithçka ndodh brenda e jashtë futbollit, sepse pamjet e intervistat, fjala vjen të Leo Mesit dhe CR7 janë eksluzivitet i RTSH-së.

Por, meqë unë do të shoh vetëm Botërorin, kjo nuk do të thotë që nëna ime 70 e ca kusur vjeç nuk do të ndjekë diku në një studio zotin Iljazaj, veç nëse ato mbyllen, meqë ky sezon për të tjerët është pak më i shkurtër, përveç TVSH-së. Por, jo vetëm Botërori, madje turneu i Wimbledon në tenis jepet veç në TVSH, Formula 1, Moto GP, Olimpiada, ndeshjet e Kombëtares shqiptare, Kombëtarja e volejbollit që po merr rezultate të mëdha, Superliga shqiptare… upsss doli me shumë audiencë vetëm deri këtu TVSH-ja!

Meqë zoti Iljazaj e ka të elaboruar mendimin kontekstualist, do pyetje i kam për të; nëse Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli, Artan Hoxha kanë audiencë tek Fevziu përse nuk duhet të kenë në emisionin “Java” në TVSH, meqë janë po ata që e bëjnë… apo nuk kanë as tek Blendi, as tek dështimi i TVSH-së? Po emisioni “Përballë” i Lutfi Dervishit, i cili ka intervistuar në stilin hard talk gjithë krerët e politikës shqiptare, historianë, njerëz me peshë në Europë dhe SHBA ka shikues? Nëse ai nuk ka audiencë përse i zbardhet çdo intervistë, shumë prej tyre të publikuar në gazetën që drejton vetë zoti Iljazaj.

Si shpjegohet që një dështim e merr e boton në një gazetë që e shet me lekë? A e di kush që MasterChef Jounior është jo vetëm një sukses televiziv me audiencë tejet të lartë, por projekt që thithi si kurrë më parë marketing? Po Festivali me Adi Krastën pati audiencë? Eugent Bushpepën që e ndoqëm kudo deri në Lisbonë nga doli? Alfred Peza ishte pa oferta që nisi programin “Dita e 8” në RTSH? Të tjera pyetje nuk kam, se për mua vetë apo le ta hap krahun tek mëngjezorë si Piers Morgan audienca duhet të jetë zero, sepse nuk besoj që intelektualët çohen aq herët nga gjumi.

Ka një program mitik TVSH që quhet “Trupi dhe shëndeti” me Flamur Topin, i cili padyshim është i ndjekur ndoshta më shumë se të gjitha programet që prodhohen në këtë tokë shqipesh. Kaq i rëndësishëm është ky emision sa e kanë klonuar dhe këta privatët që duhet të bëjnë shërbime publike. Më e bukura, Arian Çani që promovon filozofët e shkollës kontekstualiste, një orë në javë e ke duke bërë “Trupi dhe shëndeti”, prej muajsh tashmë.

Por, a është mirë RTSH-ja? Natyrisht, duhet të ishte shumë më mirë, por jo për arsyet që jep zoti Iljazaj. Dikush tjetër do t’i kishte hyrë më në thelb punës; ligjit, me anë të cilit funksionon RTSH. Këtë ligj e kanë shkruar me dorën e tyre operatorët komercialë që media publike mos të hyjë kurrë në treg. Fjala vjen, për të bërë një skenografi të re aksh televizion privat, ka lirinë të marrë skenografin më të mirë të Italisë dhe ta sjellë këtu.

Unë para disa vjetësh për të shtruar me parket studion e projektit tim në RTSH, duhet të prisja tenderin. Bëhej fjalë për 90 mijë lekë vlerë malli dhe e fitonte vetëm njëri në Kukës, i cili e kishte parketin më të lirë, por vetëm me ngjyrë të bardhë. E keqja ishte që ne e donim me ngjyrë druri. Kompanitë e mëdha nuk pranonin të hynin në një tender të këtillë, sepse fitimi nuk ja vlente as për letrat që duhet të bënin.

Nëse do të flisnim për RTSH-në, pse nuk e thotë kush që një pjesë e mirë e aseteve të tij janë të zaptuara nga privati, madje prej televizioneve private dhe ky “gjigand” mediatik nuk ka ku ngre një studio të madhe për të bërë një spektakël? Po arkivën që ia vjedhin përditë këta që do bëjnë shërbimet publike?

Megjithatë, ka shumë për të bërë dhe afruar, ani se ngjarje po ndodhin përditë. Sot, ke një rrjet të dixhitalizuar që transmeton një buqetë kanalesh falas, sport, lajme, filma, muzikë e kështu me radhë. Është marrë një kredi e rëndë që të dixhitalizohet Shqipëria, të cilën RTSH e paguan çdo muaj. Ke një app që quhet “RTSH Tani”, e cila deri më tani po përdoret nga mbi 100 mijë njerëz në telefonat e tyre dhe të jep gjithë këto kanale falas. Po pate fëmijë të vegjël, mirë është ta shfrytëzosh kanalin më të ri për fëmijë, se e ke 24/24 dhe 7/7 filma, emisione, teatër e gjithçka. Unë për vete shpresoj për një sezon të ri që fillon në shtator e besoj në një ofertë të re, sepse kam informacion për këtë.

Ka një orkestër simfonike RTSH-ja që është një pasuri e madhe kombëtare. Ndoshta jo çdokush e pëlqen muzikën klasike që të ndjekë një sezon koncertor të plotë, ku veç tanëve, vijnë dirigjentë me zë në Europë dhe botë apo instrumentistët shqiptarë më të mirë në Perëndim. Si përherë, këto koncerte i ke qelepir, pa para. Por, sa për ta kuptuar vlerën, koncertin e “Tre musketierëve” apo Alban Skënderajt e bënë me këtë orkestër dhe e prodhoi RTSH. Sukses i jashtëzakonshëm e me siguri zotit Iljazaj do ketë qenë në sallë apo e ka parë në televizor, por si shumë të tjerë ka respektuar kodin e heshtjes, një farë “omertaje”, që e shohim, por nuk duhet ta themi, se ka logon “RTSH”.

E fundit, një mendimtar liberal apo konservator nuk mund të gëzohet kurrsesi që paratë publike i jepen kapitalistit, sepse ligjësia e funksionimit të tij është larg publikes, pasi e dikton tregu. Ose, keqadministrimi i medias ka qenë një dështim, sa ka nevojë për pare shteti që të lajë borxhet, duke shitur pavarësinë editoriale. Unë nuk e di përse do i marrë këto lekë privati, por Shqiptarja.com raportonte sot për t’i vënë kapak Fake News. Më fal, tani që do marrin pare publike nuk do e japin më këta propagandën e llojit ERTV? A nuk është kjo shplarje truri Fake News-i më i pashoq në kontinent, i ngjashëm me metodologjinë e Goebbels.

Por, si mund të kërkosh shërbime publike nga komerciali që edhe kur bën një emision-dokumentar që rrëfen Shqipërinë, natyrën, historinë, zhvillimet nëpër vende të konsideruara të humbura, i fut nja dy episode për një fabrikë kosi apo përpunimi mishi… Kjo ndodh, se komercialin e udhëheq marketingu dhe jo interesi publik. Nëse do të kishte një fije interes publik përse kishte për t’u rebeluar Blendi Fevziu?

Në pikëpamjen e pavarësisë së medias, këto para po blejnë pikërisht pavarësinë editoriale. Kam frikë se ky ligj nuk ka të ngjashëm në Perëndim. Nga ana tjetër prish krejt rregullat e konkurencës së lirë në treg. Si mund të futet një operator i ri në treg, kur të tjerët marrin miliona euro para publike pa filluar punë akoma në ndarjen e tortës së reklamës?

Tani, në pikëpamjen filozofike, nëse Ayn Rand do ta dëgjonte këtë “mrekulli” shqiptare, ku para publike i jepen si ndihmë kapitalit privat, me thënë të drejtën do të ishte rrotulluar nja dy herë në varr.

13 komente në “Kolonia ndëshkimore ndaj RTSH-së e drejtorit të MAPO-s”

  1. Luani says:

    TVSH KA BERE PERPARIME KA EMISIONE DHE PROGRAME EDUKATIIVE.

  2. Lere fare says:

    Fiks fare!
    Tëpkë dhe kaq! Nuk ke cfare I shton!
    Shah-Mat !

    1. pompisti says:

      TVSh si kurre me pare, i urojme te avancoje edhe me shume me emisione argetuese dhe ato sportive. E. Demi burri i karakurves.

  3. xhemal says:

    e lexoj rralle por mendimet e gazetaret .analiza e konkluzionet jane me duk dhe une mendoj qe parate publike te perdoren ne sherbimet publike cdo tentative tjeret eshte nje veprim klientelist bile Jam kunder publicitetit ne tv publik

  4. sadedin çeliku says:

    Me pelqen shkrimi i Enkel Demit sepse si reference ka marre faktet qe zor se kundershtohen.Eshte realitet i prekshem zhvillimi i RTSH-se madje edhe gazetaret,moderatoret dhe programet jane mjaft te mira cilesisht.
    Ju lumte

  5. Mondi says:

    Kam respekt per Kel Demin dhe shume gazetare apo analiste tjere ne TVSH.Ky televizion nuk ben dot lajme te pa aneshme as ne kohen e PD dhe as ne kohen e PS si i tille nuk siguron besueshmeri tek teleshikuesi dhe per emisione.Filmat e vjeter,muzike,sport te jape dhe shihen por keto nuk jane pjese e TV PUBLIK keto jane blej shit dhe mbaron puna.Deri sa shqiptaret paguajne nje takse per kete tv mos perdorni termin “falas” se beheni akoma me te pa besueshem.Kel ke bere nje shkrim per te mbrojtur vendin ku punon,eshte normale une te kuptoj.Hani pini dhe kendoni sa te jete lala gjoni “Tomas Gellcis” qe sakrifikon len Ameriken per ti sherbyer atedheut.

  6. ppa says:

    …. Iljazaj dhe te tjeret duhet te kuptojne qe audienca e emisioneve ” llogje pazari” nga nje studio private ne tjetren eshte pertoke , sepse jane kthyer ne nje bezdi …

  7. toni says:

    Ore po pse TVSH tash ne kohen e fundit jep program me nderprerje peer tv sat.Turpe per kete tv dhe drejtoreine pergj.

  8. besi says:

    Sa gjynah qe je Enkel Demi.Ate qe ta ka bere Mesila s’ta ben dot njeri

    1. Piro M. says:

      Te lumte Enkel. Ky Iliazaj me duket kot fare. I ka me te gjata titujt se lermbajtjen e editorialit te tij medioker.

  9. tomorraku says:

    I ashtuquajturi TV publik apo si rendom quhet RTSH vetem publik nuk mund te quhet ; bile per nji kohe te gjate u krijua bindja se ishte blere nga Enkel Demi , spse hapej e mbyllej me kete Demin , bile shpesh here me te njohurit e mi une perdorja shprehjen TV Demi.TV publik quhet nga qe “grabit” parat publike, per te cilat qenkan sefdallisur “Klanet” , “Mapot ” bile edhe te tjere qe nuk po i permend , Po me ben pershtypje “Ky Sander Mafishja” cfar do me parat publike apo nuk i dalin telebingot e Gjebrese dhe reklamat e pakufizuara qe ekane shndruar ne shperdorusin me te madh te parave qe nuk i dihen akoma burimet . Ne qoftese nga parat publike do tu jepet ketyre TV na mbetet ne qe te mos paguajme , sic kemi bere deri me sot dhe te kerkojme qe pagesa e TV te mos behet ne faturen e dritave por ne fature me vehte!

  10. Goni says:

    Enkel Demi, sigurisht i lexon komentet, dhe mund te veme nje “bast” te vogel. Boterorin do ta jape edhe Dixhitalbi edhe Tringu permes kanalit Rtsh 1 (tokesorit) qe e kane ne satelit. Tani, a jane marre vesh, a kane te drejte apo jo, ate do ta shohim. Mos prit te reagoje AMA e tyre (Genti Sala, ish drejtor i Digitalbit)!… Sa per shqetesimin qe ngre, eshte me te vertete e turpshme qe TV private te financohen me para publike. Por se mos jane te vetmet, fatkeqesihst cdo pasuri publike ne Shqiperi, perfundon ne interes te nje grupi te caktuar klientelist (private natyrisht)! Por, do behet mire, sepse nuk ka ku shkon me keq!

  11. aleksander says:

    Po Demi, ju keni bere nje shkrim shume te mire the realist. Por a nuk duket se ju vleresoni me shume ate qe ky TV ka, posedon se sa ai ka bere per tu lartesuar e konkuruar ne nje treg mediatik gati medioker. A nuk do te ishte kjo pasuri e TVSH (ne fact e popullit shqiptar) qe ai te ishte sot me i miri ose, te pakten te ndihmonit me kete shkrim qe te mund te behet ne te ardhmen, por jo te numeroni te gjitha llojet e sportit si gjeja me e mire qe po ben duke e kthyer ne nje institution “rubrika sportive” pas cdo loje te luajtur ne cfare do lloj sporti te jete. Vetem sport, sport, sport….? tani edhe tennis, rugby, formula 1,2,3, motorcycle etc, e populli me keto e te tjera ndjehet i kenaqur e shume i lumtur. E persa i perket programeve te tjera ka ndryshime por njerzit nuk besoj se duan te shikojne te njejtet gazetare “te pavarur” ne gati gjithe TV-te shqiptare, ku diku flasin tere pasion per partine e tyre qe do bej mrekullira per kete popull e ketu na dalin te te gjitheve, sepse ky eshte formati I TVSH.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje