REPORTAZHI: Piramida komuniste e Shqipërisë hyn në epokën dixhitale

21 Qershor 2018, 10:03Kulturë TEMA

Një Piramidë ikonike e ndërtuar 30 vjet më parë për të strehuar një muze në nder të liderit komunist Enver Hoxha ka mbetur në gjendje të keqe, por janë në proces plane për ta shndërruar atë në një qendër të teknologjisë dixhitale.

Nga Fatjona Mejdini

Në kryeqytetin shqiptar në tetor 1988, një grup arkitektësh të udhëhequr nga vajza dhe dhëndri i udhëheqësit të vdekur komunist Enver Hoxha hapën Piramidën e Tiranës, një ndërtesë e madhe ku ndodhej një muze i përhershëm që kujtonte jetën e diktatorit famëkeq.

Por muzeu nuk u mbeti i përhershëm – rënia e regjimit komunist në vitin 1991 solli fundin e ekzistencës së tij.

Megjithatë, arkitektura e pazakontë e piramidës i dha asaj një rol të papritur të ri – si një strukturë ku vendasit kënaqen duke u përpjekur të ngjisin anët e saj të pjerrëta.

Nëse arrijnë në majë, ata shpërblehen me një panoramë 360 gradë e Tiranës. Për të zbritur përsëri poshtë, ata duhet thjesht të rrëshqasin.

Muajin e kaluar, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, paraqitën një projekt për të rivitalizuar Piramidën duke e kthyer atë në një qendër teknologjie dhe kulturore.

Firma e dizajnit me qendër në Roterdam MVRDV do të kryejë transformimin, i cili pritet të përfundojë në vitin 2019.

Kur ata shfaqën projektin në Tiranë, arkitektët e saj nuk lanë pa përmendur se ridizenjimi do t’i lejojë ende njerëzit “të ngjiten” në Piramidë, por shtyllat e saj të jashtme të pjerrëta prej betoni do të shndërrohen në shkallë, duke i dhënë të gjithëve mundësinë që të ngjiten në majën e saj dhe të shijojnë pamjen.

“Ndërtesa më e mirë komuniste shqiptare”

Velo sapo ishte liruar nga një burg komunist, ku ai u mbajt i arrestuar sepse pikturonte në një mënyrë jo të pranueshme për regjimin, por ai kujton se u habit kur pa se Piramida ishte një vepër mbresëlënëse arkitekture moderne.Piktori dhe arkitekti shqiptar Maks Velo kujton ditët kur piramida ishte e hapur për publikun si muze që përkujtonte diktatorin Hoxha.

“Meqenëse projekti u realizua nga vajza arkitekte dhe dhëndri i diktatorit, regjimi lejoi modernizma në të. Struktura është padyshim ndërtesa më e mirë komuniste shqiptare,” tha ai për BIRN.

Velo u impresionua edhe nga pjesa e brendshme e Piramidës, në mes të së cilës ndodhej një monument prej mermeri tre metra i lartë i Enver Hoxhës.

“Ishte një vepër gjigante e ndërtuar për të bërë përshtypje me madhësinë dhe pasurinë e saj,” tha Velo.

Piramida shërbeu si muze i Hoxhës nga viti 1988 deri në vitin 1991 dhe vizitohej jo vetëm nga banorët e Tiranës, por edhe nga mijëra të tjerë nga e gjithë Shqipëria, të cilët silleshin çdo fundjavë me autobusë dhe kamionë.

Pas përfundimit të regjimit komunist në vitin 1991, Piramidës iu vu një emër i ri dhe pati funksione të reja. Ajo u shndërrua në një qendër multi-funksionale kulturore e cila mori emrin e Pjetër Arbnorit, një i burgosur politik për 28 vjet gjatë komunizmit, i cili u bë kryetari i parë i parlamentit pas rënies së regjimit.

Nga viti 1993 deri në vitin 1999, në të mbaheshin pothuajse çdo ditë aktivitete kulturore, duke e bërë atë një qendër të jetës kulturore në Tiranë.

Velo beson se ky ishte përdorimi më i mirë i pjesës së brendshme të Piramidës.

“Gjatë kësaj kohe, brenda saj do të mbaheshin aktivitete të ndryshme interesante, nga ekspozita në konkurse muzike dhe bukurie e deri në konferenca,” tha ai.

Piramida u bë një qendër për jetën e natës në qytet, ku disa nga klubet e para të Shqipërisë u hapën në mjediset e saj.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, kur refugjatët që i largoheshin forcave serbe kërkuan sigurinë në Shqipëri, NATO pati gjithashtu zyra në të për një periudhë të shkurtër kohe.

Në fund të viteve 1990, në Piramidë u vendosën stacionet e para private radiofonike të vendit dhe në fillim të vitit 2000 stacioni televiziv privat Top Channel.

Në vitin 2004, përpjekjet për ta kthyer Piramidën në një teatër nuk dhanë fryte dhe qeveria tjetër që do të vinte në pushtet vitin pasues nuk i vazhdoi planet.

Pastaj, në vitin 2011, parlamenti miratoi një ligj për prishjen e Piramidës, duke u zotuar të ndërtonte një kompleks të ri parlamentar në vendin e saj.

Një nga argumentet e përdorura ishte fakti se Piramida ishte një simbol i një kohe të errët në historinë e vendit dhe prania e saj e vazhdueshme shqetësonte disidentët e regjimit.

Por kërcënimi i zhdukjes së saj shkaktoi protesta dhe peticione, edhe pse arsyeja e vërtetë pse ajo nuk u shemb ishte fakti se në vitin 2013 qeveria që erdhi në pushtet nuk e mbështeti planin.

Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme për të ndryshuar qëllimin e saj kanë pasur barrën e tyre, duke e lënë atë pa asnjë mirëmbajtje gjatë dekadës së fundit dhe në një formë shumë të keqe, pothuajse në rrënim.

Një simbol i ndryshimit të kohëve

Saimir Kristo, zëvendës dekan i Fakultetit Arkitekturë dhe Dizajn në Universitetin Polis, e sheh atë si një simbol të tranzicionit shqiptar, edhe pse u ndërtua në periudhën e komunizmit.Duke zënë një hapësirë prej 17,000 metrash katrorë në qendër të Tiranës, Piramida 30-vjeçare është shndërruar në një nga monumentet më të rëndësishme të kryeqytetit.

“Piramida, si rezultat i madhësisë së saj dhe më e rëndësishmja, zonat e saj të mëdha përreth, tani është një pikë e rëndësishme takimi për qytetin,” tha Kristo për BIRN.

Kur firma holandeze e arkitekturës MVRDV e paraqiti projektin e rinovimit muajin e kaluar, theksi i saj ishte ta kthente hapësirën në një qendër për teknologjitë më të fundit dixhitale.

“Ne do ta transformojmë këtë ndërtesë ikonike të kryeqytetit tonë në qendrën më të madhe për të rinjtë, duke u fokusuar në edukimin dixhital, kulturën dhe artin e IT, kurse profesionale dhe hapësira të tjera rinore,” premtoi kryebashkiaku Veliaj.

Projekti i rinovimit do të bashkëfinancohet nga Bashkia e Tiranës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, një organizatë amerikane që investon në zhvillimet në Shqipëri.

Velo, piktori, arkitekti dhe ish-i burgosuri politik, beson se nëse kjo pikë referimi e ndërtuar nga komunistët dëshiron të jetë e suksesshme me mishërimin e saj të fundit në ekzistencën e saj 30-vjeçare, ajo duhet të joshë të gjithë brezat.

“Koha ka treguar se Piramida bëhet tërheqëse kur është një qendër multi-funksionale me aktivitete interesante për të gjitha moshat,” tha ai.(BIRN)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje